Ndërlidhjet

Obama dhe Merkel shprehen të alarmuar me lëvizjet e Rusisë


Angela Merkel dhe Barack Obama
Angela Merkel dhe Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë shprehur të alarmuar për lëvizjet e Rusisë brenda Ukrainës, gjatë një bisede telefonike, mbrëmë vonë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama dhe Merkel thanë se prania e ushtarëve të Rusisë në Ukrainë, përqendrimi i forcave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe hedhja e predhave brenda Ukrainës, paraqet përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve nga ana e Moskës.

Të dy zyrtarët e lartë thanë se janë pajtuar që konvoji rus, i cili ka hyrë në Ukrainë pa leje, është edhe një provokim tjetër i Rusisë, me të cilin cenohet sovraniteti i Ukrainës.

Kjo bisedë telefonike u bë para vizitës së zonjës Merkel në Kiev, të paraparë për sot.

Rusia tha se konvoji, i cili ka hyrë në Ukrainë gjatë ditës së djeshme, kishte qëllime humanitare, por Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka dështuar t’i respektoj kushtet e paraqitura nga Kievi dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Barack Obama dhe Angela Merkel janë pajtuar që Rusia duhet ta largoj konvojin dhe të tërhiqet nga territori i Ukrainës.

XS
SM
MD
LG