Ndërlidhjet

Rrahmani: Fëmijët në Kosovë nuk lexojnë mjaftueshëm


Erina Rrahmani, krijuese për fëmijë.

Erina Rrahmani, krijuese për fëmijë.

Erina Rrahmani, autore e tri vëllimeve me poezi për fëmijë, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se fëmijët në Kosovë nuk lexojnë mjaftueshëm. Sipas saj duhet bërë më shumë vetë prindërit e tyre, mësuesit, si dhe i gjithë sistemi arsimor, në mënyrë që t’i nxisin fëmijët të lexojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju shkruani poezi për fëmijë dhe tashmë keni botuar tri vëllime. A ka edhe poetë të tjerë që shkruajnë poezi për fëmijë dhe sa botohen veprat e tyre ?

ERINA RRAHMANI

Fatmirësisht ka edhe shumë shkrimtare të tjera mjaft produktive në këtë lëmi si për shembull Drenusha Zajmi – Hoxha, e cila me shumë dashuri dhe me shumë produktivitet ofron shumë libra për fëmijët, sidomos këtë librin e fundit “Vishe botën me buzëqeshje”, që ka pasur një sukses shumë të madh. Pastaj ka shumë shkrimtare të tjera... Nga shkrimtaret e reja ndoshta mund të jem e vetmja që shkruaj dhe botoj për fëmijë. Jam e sigurt për botimin, mirëpo jo edhe për faktin, se mund të ketë femra diku tjetër që shkruajnë për fëmijë, mirëpo nuk kanë botuar për arsye të ndryshme, për shembull për arsye morale apo financiare, shumë prej tyre nuk kanë pasur guximin që t’i plasojnë krijimet e veta.

Kështu që nuk do të thosha që jam e vetmja. Unë do të jem shumë e lumtur nëse do të ketë shkrimtare të reja, sidomos të gjeneratës sime, por edhe më të reja që do t’ia shtonin edhe më shumë laramaninë dhe do ta eksplorojnë edhe më shumë botën e fëmijëve, e cila pa dyshim është shumë e madhe dhe shumë e paeksploruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa lexojnë poezi fëmijët në Kosovë?

ERINA RRAHMANI

Poezi mund të them që lexojnë mjaftueshëm. Në përgjithësi, mund të them që jemi në deficit me lexues të vegjël, sepse ka shumë pak. Prindërit që unë do t’i quaja si fajtorët kryesorë, po edhe mësuesit dhe arsimtarët gjithashtu, nuk po bëjnë sa duhet për t’i nxitur fëmijët të lexojnë. Edhe teknologjia e ka bërë të veten tashmë, duke ofruar lojëra kompjuterike dhe shumë gjëra tjera që janë shumë më atraktive sesa të lexuarit.

Mirëpo, lexuesit e vegjël do të bëhen në të ardhmen njerëz me vizion dhe këtë duhet ta kemi parasysh kur i nxisim fëmijët tanë që të lexojnë.

Unë kam fatin që kam pasur rastin të takoj shumë fëmijë me Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë, nëpër gjithë Kosovën.

Më vjen keq të them që nëpër qytete lexohet shumë më pak sesa që lexohet në vende rurale. Ndoshta sepse teknologjia nuk ka arritur ende ta zgjasë mirë dorën e vet nëpër këto zona, mirëpo interesimi është shumë më i madh te fëmijët që jetojnë nëpër fshatra, madje edhe nëpër fshatrat e thella sesa nëpër qytete. Prandaj, duhet të bëjmë shumë, sidomos nëpër qytete, që t’i nxisim këta fëmijë që të lexojnë, të shkruajnë dhe ta duan librin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni pronare edhe e një librarie në vend. Atëherë sa është interesimi i fëmijëve për të blerë libra?

ERINA RRAHMANI

Kam fatin që familja ime gjithmonë e ka dashur librin, duke filluar prej gjyshit tim. Ne kemi Shtëpinë Botuese “Faik Konica”, e cila ka sjellë dhe vazhdon të sjellë vazhdimisht libra jo vetëm për të rritur, por edhe për fëmijë. Nën këtë emër kam botuar edhe unë tre librat e mi. Tash që kemi edhe librarinë “Konica”, unë mund të them që ka interesim të fëmijëve, por është një interesim më shumë i sforcuar, do të thotë një interesim i fëmijëve që vijnë më shumë për shkak se e kanë lektyrë shkollore, apo sepse prindërit i kushtëzojnë që të lexojnë, e që është mirë, sepse duhet t’i kushtëzojnë për të lexuar. Mirëpo, jo shumë pse dëshirojnë vetë për të lexuar.

Shumica e fëmijëve që vijnë për të blerë libra, kërkojnë libra që janë më pak voluminoz, për shembull “Aventurat e Tom Sojerit” është shkurtuar në 80 faqe në krahasim me librin origjinal, apo “20 mijë milje nën det”. Pra, vijnë dhe kërkojnë libra që janë më pak voluminoz, sepse kështu i lexojnë më shpejt edhe e arrijnë atë normën e leximit të kërkuar nga mësuesit apo prindërit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendon se duhet bërë më shumë për nxitjen e fëmijëve që ta duan librin, marrë parasysh "dashurinë" e tyre për teknologjinë?

ERINA RRAHMANI

Unë mendoj dhe konsideroj se duhet punuar që prej shkollimit në çerdhe, në shkollimin fillor dhe atë të mesëm duhet ta instalojmë te fëmijët idenë që leximi është diçka e mirë. Të lexuarit libra tashmë është një fenomen në zhdukje në të gjithë botën dhe jo vetëm në Kosovë.

Në gjithë botën leximi i librave ka filluar të ketë rënie, ka më pak lexues të librit. Mirëpo, unë mendoj se librit nuk do t’i humbë asnjëherë vlera edhe pse teknologjia po e bën të veten, njëjtë sikurse edhe filmi, se për shembull po ndërlidhem me një libër për fëmijë si “Harry Poter”, i cili është një libër shumë i mirë dhe asnjë fëmijë i ditëve të sotme nuk duhet ta kalojë fëmijërinë pa e lexuar sagën e Harry Poterit, mirëpo shumica prej tyre nuk e lexojnë për shkak se e kanë parë film.

Është shumë me rëndësi që të shohin edhe filma, sepse sigurisht se edhe filmi na e pasuron imagjinatën, mirëpo Harry Poter nuk do të jetë asnjëherë mirë i realizuar në film siç është i realizuar në libër, sepse shumë detaje humbasin kur bëhet film domethënë libri ka shumë detaje, të cilat filmi nuk mund të arrijë t’i realizojë dhe shfaq. Mandej, teknologjia lojërat kompjuterike të gjitha këto e bëjnë të veten, mirëpo ne si shoqëri në përgjithësi, duhet të bëjmë sa më shumë që ta subvencionojmë librin, të ndajmë mjete financiare, qoftë Qeveria, qoftë komunat, të ndajnë fonde për biblioteka, për pasurimin e tyre, dhe për ta bërë më atraktiv leximin te fëmijët.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendon se libri është i shtrenjtë për standardin tonë?

ERINA RRAHMANI

Jo nuk mendoj se libri është i shtrenjtë për standardin tonë. Meqenëse e përmendëm që kemi një shtëpi botuese dhe një librari, unë e shoh librin në të gjitha etapat e zhvillimit të tij – prej kur është në letër, qoftë edhe i shkruar me dorë, e deri në momentin që shkon për shtyp për librat bëhet një punë shumë e madhe.

Ta kemi parasysh që libri duhet të redaktohet, lekturohet, të përgatitet për nga ana kompjuterike, ajo teknike, të dizajnohet kopertina - të gjitha këto janë gjëra që kushtojnë. Domethënë është një numër shumë i madh i njerëzve që punojnë për një libër dhe një shumë e caktuar mesatarisht prej ta zëmë 5 eurosh, nuk mund të jetë e shtrenjtë. Sigurisht që duhet të sakrifikojmë diçka për ta blerë një libër, sepse po investojmë në diçka më të rëndësishme.

Mund t’i sakrifikojmë 5 kafe që mund t’i pimë për dy ditë edhe ta blejmë një libër mjaft kualitativ. Kështu që nuk mendoj që është shtrenjtë. Ky ndoshta është një arsyetim i njerëzve që nuk lexojnë dhe nuk e marrin mundin të blejnë libra, prandaj e gjejnë si arsyetim që është i shtrenjtë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG