Ndërlidhjet

logo-print

(S’)Ka monopol në licencimin e bankave


Prishtinë...

Prishtinë...

A ekziston monopol në tregun bankar, kur bëhet fjalë për licencimin e bankave të reja? Përfaqësues të bizneseve dhe afaristë thonë se monopoli ekziston në formë të pashkruar, konkretisht për aplikuesit për licencë të bankave vendore, kurse autoritetet përgjegjëse mohojnë një gjë të tillë.

Ndryshe, tregu bankar në Kosovë karakterizohet nga veprimtaria e degëve të bankave të huaja dhe shumë pak banka vendore. Nga 10 banka që operojnë në Kosovë, vetëm dy janë me kapital vendor, kurse të tjerat janë banka ndërkombëtare, të cilat aktivitetin e tyre e zhvillojnë në vende të ndryshme të Ballkanit.

Ndërkaq, është paralajmëruar se gjatë këtij vitit në treg do të hyjnë edhe dy banka të tjera ndërkombëtare.

Me gjithë faktin se vazhdimisht është ngritur nevoja për një konkurrencë më të madhe në tregun bankar për shkak të uljes së shërbimeve të bankave ekzistuese, një proces i tillë po pengohet nga autoritetet kompetente, thotë Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit.

Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë është krijuar një monopol në mënyrë jo të shkruar për licencim të bankave të reja. Kjo, sipas tij, ka bërë që qytetarët të kufizohen në bankat ekzistuese me shërbimet e tyre të shtrenjta.

“Fuqia për të pasur një bankë vendore, është ndoshta më e kufizuar, Edhe krijimi i monopoleve për licenca të bankave ekziston - ekziston në mënyrë jo të shkruar dhe kjo e bën që të kufizohemi në bankat ekzistuese dhe këto banka shërbimet i kanë shumë të shtrenjta”.

Ne kemi shumë kërkesa nga banka të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe këto licenca nuk jepen. Po kemi disa banka që së fund u është dhënë licenca. Disa bankave turke, është mirë që iu është dhënë po duhet të liberalizohen këto licenca në mënyrë që të kemi më shumë konkurrencë dhe konkurrenca të sjellë shërbim më të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Një nga bankat vendore që ka aplikuar për licencë në vitin 2011 dhe nuk ka arritur të pajiset është Banka e propozuar Ulpiana, me aksionarë vendorë.

Personi që ka aplikuar është Milazim Abazi, i cili konsideron se ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me ligjet në fuqi, por që Banka Qendrore e Kosovës, sipas tij, në mënyrë të padrejtë, nuk i ka dhënë licencën për themelimin e bankës.

“Unë me aksionarët e bankës, kemi pritur dy vjet e gjysmë për përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës( BQK). Kjo tregon më së miri klimën e bizneseve në Kosovë. Sikur të licencohej kjo bankë, sigurisht do të ndikonte pozitivisht në tregun bankar të Kosovës dhe do të ndikonte që mos të ulen ndjeshëm interesat në kursime, por të ulen ndjeshëm interesat në kredi”.

“Mirëpo, BQK-ja, fatkeqësisht është e kapur, sikur institucionet tjera, pasi licencon vetëm njerëz që janë afër tyre dhe që kanë interesa të ngushta të lidhura me ta”, shprehet Abazi.

Ndryshe, asnjë person nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja, pasi kjo e fundit është përgjegjëse ekskluzive për dhënien e licencave për të gjitha bankat.

Zyrtarë të kësaj të fundit nëpërmjet një përgjigjeje elektronike, për Radion Evropa e Lirë, pranojnë se Kosova Holding SHPK ka aplikuar në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK) për marrjen e licencës për themelimin e Bankës Ulpiana.

Mirëpo, aplikacioni është refuzuar për arsye të mospërmbushjes së kritereve të përcaktuara me Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare dhe Rregulloren për licencimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja.

Në këtë ligj thuhet se brenda tre muajve nga data e pranimit të kërkesës së kompletuar për licencë, BQK-ja paraprakisht miraton ose refuzon atë dhe njofton me shkrim paraqitësin e kërkesës për vendimin e saj; njoftimi për refuzim të licencës duhet të cekë arsyet mbi bazë të së cilave është refuzuar licenca

Banka Qendrore thuhet në ligj refuzon një licencë, nëse sipas gjykimit të saj të arsyetuar, lëshimi i një licence të këtillë do të vinte në rrezik qëndrueshmërinë financiare të bankës së propozuar ose të sistemit bankar në përgjithësi, rrezikon interesat e depozitorëve të bankës së propozuar, apo zvogëlon në mënyrë substanciale konkurrencën.

Edhe pse zyrtarë Bankës Qendrore të Kosovës nuk kanë specifikuar arsyet e refuzimit të kërkesës për licencim të Bankës së propozuar Ulpiana, përfaqësuesi i saj, Milazim Abazi, tregon disa nga arsyet e dhëna, e që sipas tij, janë të padrejta.

“Arsye ka qenë se aksionarët e bankës kanë qenë të ngarkuar me kredi, kjo është plotësisht e pavërtetë, sepse 78 për qind të aksionarëve të bankës nuk kanë asnjë lloji kredie. Pra, janë bizneset më të fuqishme, më të sigurta që ka Kosova. Pastaj, është thënë se aksionarët e bankës kanë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-se. Edhe kjo ka qenë një gënjeshtër e kulluar, ngase aksionarët e kësaj banke janë taksapaguesit më të mirë në Kosovë ndaj ATK-së”, tregon Abazi.

Kërkesë tjetër sipas ligjit përkatës, për themelimin e një banke në Kosovë, thuhet se çdo bankë duhet të ketë kapital të paguar prej jo më pak se shtatë milion euro. Por, Abazi thekson se kanë grumbulluar mbi 15 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG