Ndërlidhjet

Obama dhe Merkel - të alarmuar për lëvizjet ruse në Ukrainë

  • RFE /RL

Angela Merkel dhe Barack Obama

Angela Merkel dhe Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, janë shprehur të alarmuar për lëvizjet e Rusisë brenda Ukrainës, gjatë një bisede telefonike, të premten vonë.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama dhe Merkel thanë se prania e ushtarëve të Rusisë në Ukrainë, përqendrimi i forcave ruse përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë dhe hedhja e predhave brenda Ukrainës, paraqesin përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve nga ana e Moskës.

Të dy zyrtarët e lartë thanë se janë pajtuar që konvoji rus, i cili ka hyrë në Ukrainë pa leje, është edhe një provokim tjetër i Rusisë, me të cilin cenohet sovraniteti i Ukrainës.

Rusia tha se konvoji, i cili ka hyrë në Ukrainë gjatë ditës së djeshme, kishte qëllime humanitare, por Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia ka dështuar t’i respektojë kushtet e paraqitura nga Kievi dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Barack Obama dhe Angela Merkel janë pajtuar që Rusia duhet ta largojë konvojin dhe të tërhiqet nga territori i Ukrainës.

Më herët, Ben Rhodes, zëvendës-këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Obama, tha se Rusia do të ballafaqohet me çmim shtesë nëse konvoji nuk tërhiqet. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara, për këtë çështje, do të diskutojnë me partnerët në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në seancën e mbyllur të Këshillit të Sigurimit, të premten vonë, disa vende e kanë kritikuar Rusinë për atë “që shumë thonë se ishte aksion ilegal dhe i njëanshëm nga Federata Ruse”, u tha gazetarëve, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Mark Lyall Grant, i cili e ka kryesuar seancën.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, tha se gjatë diskutimit të tij i ka mbrojtur aksionet e vendit të tij, duke përkujtuar se Moska kishte marrë “një notë zyrtare” nga Kievi, me të cilën ishte mirëpritur ideja për konvojin rus.

“Këtë synim ne e kemi shpallur më 8 gusht, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Por, për fat të keq, siç e dini, disa nga kolegët tanë kanë zgjedhur të bëjnë politikë me këtë. Megjithëqë konsiderohet normale në këtë ndërtesë këtu, ju i dëgjoni njerëzit se dëshirojnë që të dërgohet ndihmë humanitare, por për disa arsye, në këtë rast të veçantë, ata ishin përpjekur të bëjnë çdo gjë, me qëllim që të krijojnë pengesa politike në dërgimin e kësaj ndihme humanitare”, tha Churkin, në një konferencë me gazetarë në Kombet e Bashkuara.

Ai e ka përsëritur qëndrimin e Rusisë se rojet kufitare të Ukrainës me qëllim e synonin ndaljen e konvojit.

Por, zëvendësambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Oleksandr Pavlichenko, vlerësoi se aksionet e Rusisë ishin “të natyrës agresive”.

“Fakti se kamionët rusë kanë hyrë në territorin e Ukrainës pa procedura përkatëse kufitare dhe doganore, dhe se transporti nuk u është kaluar përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, indikon natyrën e qëllimshme dhe agresive të aksioneve të Rusisë”, tha Pavlichenko, në një konferencë me gazetarë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka tërhequr vërejtjen se “çfarëdo aksioni i njëanshëm ka potencial për keqësimin e situatës tashmë të rrezikshme në pjesën lindore të Ukrainës”.

Në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka vlerësuar se vendimi i njëanshëm i Rusisë për t’i dërguar më se 130 kamionë, me atë që thonë se është ndihmë humanitare, në hapësirat që janë nën kontrollin e kryengritësve, paraqet “shkelje të hapur të përkushtimeve ndërkombëtare të Rusisë”.

NATO-ja, po ashtu, ka thënë se artileria e Rusisë po përdoret kundër forcave të Ukrainës, si nga matanë kufirit, ashtu edhe nga brenda territorit të Ukrainës, dhe se Moska është parë “duke transferuar sasi të mëdha të armatimit të avancuar, përfshirë tanke, makina të blinduara dhe artileri, për separatistët”.

Bashkimi Evropian, gjithashtu, ka vlerësuar se veprimi i Rusisë është shkelje e kufirit të Ukrainës.

Kuptohet, ne shprehim keqardhje të thellë për vendimin e Rusisë për të hyrë me transport në territorin ukrainas dhe pa përcjelljen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, apo pa pëlqimin e autoriteteve të Ukrainës”.

“Kjo për ne është shkelje e qartë e kufirit të Ukrainës dhe është në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme, që ishin arritur ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Pra, ne kërkojmë që Rusia ta tërheq vendimin e vet”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sebastien Brabant, zëdhënës i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se kamionët ishin gjysmë të zbrazur dhe nuk kishin për qëllim të dërgojnë ndihmë, por të krijojnë provokim. (f. bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG