Ndërlidhjet

SHBA: Gatishmëri për aksione të mëtejshme kundër Shtetit Islamik


Pamje nga Uashingtoni

Pamje nga Uashingtoni

Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të ndërmarrë aksione të mëtejshme kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik, të cilët e kishin vrarë gazetarin amerikan, James Foley, me prerje koke.

Zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, u tha mbrëmë reporterëve se Uashingtoni është i gatshëm për t’i mbrojtur shtetasit amerikanë. Ai tha se grupi Shteti Islamik është më i rrezikshëm sot se sa që ishte para 6 muajve.

Në shënjestër të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara aktualisht janë caqet e Shtetit Islamik në Irak, por zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se po e shqyrtojnë mundësinë e luftës kundër këtij grupi brenda në Siri, ku e ka bazën.

Zyrtarët amerikanë këtë javë kanë zbuluar se kishin bërë përpjekje për lirimin e të rrëmbyerve amerikanë nga militantët e Shtetit Islamik, por përpjekja kishte dështuar.

Zoti Rhodes tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë çdo gjë të mundshme për t’i shpëtuar personat amerikanë të rrëmbyer nga Shteti Islamik dhe këtë do ta vazhdojnë ta bëjnë.

XS
SM
MD
LG