Ndërlidhjet

Poroshenko: Agresioni e ka shkatërruar rendin global

  • RFE /RL

Parada ushtarake për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës

Parada ushtarake për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës

Ukraina shënoi të dielën 23-vjetorin e pavarësisë, megjithëqë në pjesën lindore të këtij vendi vazhdon konflikti ndërmjet trupave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kryesoi paradën ushtarake në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, i njohur si “Maidan”, ku parakaluan makina të blinduara me armatim anti-tank dhe mitraloza, ndërsa kamionët i bartnin sistemet raketore, të përcjella nga kolonat e ushtarëve.

Zoti Poroshenko tha se gjatë muajve të fundit ishte një luftë e vërtetë, edhe pse e pashpallur.

Zhvillimet e muajve të fundit janë shndërruar në luftë reale për ne, edhe pse e pashpallur. Është e mundshme se do të mbahet mend në histori si Luftë për Atdhe e vitit 2014, luftë kundër agresionit të jashtëm, luftë për Ukrainën, për lirinë e saj, dinjitetin dhe nderin, për popullin e saj dhe për pavarësinë e saj”, tha Poroshenko.

Ai theksoi se agresioni kundër Ukrainës e ka “shkatërruar rendin global”.

“Agresioni kundër Ukrainës është shumë më tepër se vetëm një mospajtim bilateral. Ai po i shkatërron themelet e rendit global, po e shkatërron të drejtën ndërkombëtare, po e kërcënon Evropën dhe sigurinë globale. Në zemër të Evropës, në shekullin XXI, po dëshmohen përpjekjet e papritura të kalimit nëpër kufirin shtetëror të një vendi sovran, pa shpalljen e luftës”, theksoi Poroshenko.

Ky përvjetor u shënua vetëm një ditë pasi qindra kamionë të Rusisë me ndihma humanitare u kthyen në shtëpi, nga pjesa lindore e Ukrainës, e cila është nën kontrollin e kryengritësve pro-rusë.

Rusia, në mënyrë të njëanshme, i ka dërguar këta kamionë në Ukrainë, nëpër pikën kufitare që kontrollohet nga separatistët pro-rusë, para dy ditësh, duke thënë se e kishte humbur durimin me taktikat e zvarritjes së autoriteteve të Ukrainës.

Por, hyrjen e kamionëve të Rusisë në Ukrainë, Qeveria në Kiev e ka përshkruar si invadim.

Poroshenko ka shpallur se Ukraina do të shpenzojë afro 3 miliardë dollarë për ripajisjen e armatës në periudhën 2015-2017.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se buxheti aktual i saj është 1.5 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, gjatë vizitës së saj në Kiev, të shtunën, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka shfaqur shpresën se do të gjendet një zgjidhje paqësore për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës, ku sipas Kombeve të Bashkuara, deri tash janë vrarë më se 2 mijë vetë, ndërsa 340 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zonja Merkel, pas takimit me presidentin Petro Poroshenko, tha se Gjermania e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.

“Vizita ime do të thotë se qeveria gjermane dhe unë personalisht, dëshirojmë ta bëjmë shumë të qartë se integriteti territorial dhe mirëqenia e Ukrainës janë qëllime esenciale të politikës së jashtme gjermane dhe se ne dëshirojmë të punojmë së bashku si miq”, tha Angela Merkel, dhe ka shtuar se Gjermania dëshiron, që të drejtat dhe ligjet e shtetit të Ukrainës të sigurohen, ndërsa paqja të arrihet “sa më shpejt”.

Më tutje zonja Merkel ka theksuar se është me rëndësi të mendohet se si “rajone të ndryshme të Ukrainës do të mbesin së bashku”, derisa presidenti Poroshenko prej ditës së parë në zyre, ka thënë se ai e mbështet forcimin komunal, decentralizimin, dialogun kombëtar, reformën kushtetuese, dhe të drejtat kulturore dhe gjuhësore.

Merkel tha se “këto janë oferta shumë të rëndësishme për të gjithë nga Lvivi në Donjeck dhe ne me gjithë zemër do t’i mbështesim ato”.

Kancelarja Merkel e përmendi edhe aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

“Aneksimi i Krimesë është i gabueshëm. Populli thotë se kanë kaluar tre muaj dhe problemi ende nuk është zgjidhur. Ka çështje politike që marrin më tepër kohë për zgjidhje. Pavarësisht nga kjo, ne themi se edhe pas tre muajve prej aneksimit rus, kjo është ende shkelje e integritetit territorial brenda Evropës".

"Nëse ne e pranojmë këtë shkelje të parimeve tona, atëherë ne kemi problem në gjithë Evropën. Atëherë, kjo nuk është vetëm Krimeja dhe Ukraina, por atëherë është çështje që i takon secilit vend evropian, pasi është në zemër të koekzistencës sonë paqësore në Evropë”, deklaroi Angela Merkel. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG