Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza politike, reflektim negativ në Raportin e progresit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kriza politike në vend do të pasqyrohet në Raportin e progresit të Komisionit Evropian, si kusht plotësues në procesin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar vendimin e fundit të opozitës për vazhdimin e bojkotit të Kuvendit, si dhe formimin e institucioneve paralele për kontrollin e punës së pushtetit ekzekutiv.

“Unë mendoj se po, pavarësisht asaj se informacionet e fundit flasin se çështja e emrit është duke u përfunduar në koluare të ndryshme. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se çështja e raportit do të jetë shumë më negative krahasuar me raportet e viteve më parë“, konsideron Mersel Bilalli, analist dhe profesor në Universitetin Fon të Shkupit.

Edhe Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike, thotë se kriza politike kësaj radhe mund të jetë më e pranishme në Raportin e progresit. Ai shton se gjendja, në të cilën ndodhet vendi, në planin politik, dërgon mesazhe negative mbi zhvillimin e demokracisë në vend.

Sigurisht se kjo do të qëndrojë në raport si kritikë. Evropianët këtë dinë ta bëjnë edhe në një formë më të butë, por gjithsesi se vërejtje do të ketë. Opozita nuk është në Kuvend dhe ky është një minus i madh për demokracinë në Maqedoni, pa marrë parasysh se kush ka ndikuar që të kemi një situatë të këtillë".

"Është fakt se në Evropë ka shumë pak Parlamente që veprojnë pa praninë e opozitës, madje në 20-30 vitet e fundit, as që kemi parë diçka të ngjashme në Evropë. Ata për të gjitha problemet ulen dhe bisedojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, kurse ne tregojmë se ende nuk jemi të pjekur dhe se demokracia, në vend që të forcohet, ajo ngec në vend apo edhe kthehet pas“, thotë Dujoski.

Nga ana tjetër, Mersel Bilalli për gjendjen e këtillë në planin politik, fajëson pushtetin aktual. Ai thotë se BE-ja, deri tani ka qenë më tolerante në krahasim me ngecjet në sferat tjera, duke i dhënë përparësi çështjes së emrit, por kësaj radhe ai vlerëson se vërejtjet do të përfshijnë sferat ku vërtet Maqedonia shënon ngecje të theksuara.

“Pra, është pasojë e shumë politikave të gabuara të pushtetit, të cilat i udhëheq pushteti. Kemi shumë çështje serioze që në të kaluarën, në emër të premtimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit, janë shikuar nëpërmjet gishtave, siç është çështja e administratës shtetërore, çështja e gjyqësisë, e mediumeve, e kështu me radhë”.

Të gjitha këto janë toleruar nga ana e institucioneve evropiane dhe relativisht kemi pasur raporte pozitive. Por, tani gjithçka është zhveshur dhe lirisht mund të themi se diktatura shihet edhe nga kozmosi dhe e gjithë kjo do të tregojë imazhin real të Maqedonisë në raportin që pritet të publikohet“, thotë Bilalli.

Ndryshe, kriza politike në Maqedoni e pranishme tani disa vjet me radhë ka kulmuar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura në prill të këtij viti.

Me pretendimin se ato kanë qenë të manipuluara nga pushteti, blloku opozitar i udhëhequr nga Lidhja social-demokrate, nuk ka pranuar rezultatin e tyre dhe ka vendosur bojkotin e Kuvendit dhe kthimin e 34 mandateve të fituara të deputetit.

Ajo kërkon formimin e një qeverie teknike, e cila do të organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike, por një kërkesë e tillë është hedhur poshtë nga qeveria aktuale.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se zgjedhjet kanë qenë të lira që dëshmohet edhe me fitoren e thellë të partive në pushtet.

Ai ka thënë se me opozitën mund të bisedojë për gjithçka, përveç për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

XS
SM
MD
LG