Ndërlidhjet

Jahjaga dhe Ashton: Dialogu – afrim i të dy vendeve me BE-në


Atifete Jahjaga (djathtas) dhe Catherine Ashton gjatë takimit të sotëm në Austri
Atifete Jahjaga (djathtas) dhe Catherine Ashton gjatë takimit të sotëm në Austri

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, do t’i ndihmoj të dy vendet në procesin e përafrimit me BE-në dhe do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit në rajon, kanë vlerësuar sot në Austri, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Gjatë takimit të sotëm në Alpbach të Austrisë, Atifete Jahjaga tha se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun, sepse e sheh si të vetmen mënyrë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut në Bruksel, duhet të zbatohen në tërësi, njofton presidenca e Kosovës.

Zonja Ashton tha se rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën, ka shënuar përparime në vitet e fundit, por duhet ende punë për t’i përmbushur standardet e kërkuara në procesin e integrimit.

Ajo konsideron se dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vazhdoj, meqë kjo do të ndihmoj në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Atifete Jahjaga dhe Catherine Ashton morën pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Forumit Evropian Alpbach në Austri.

XS
SM
MD
LG