Ndërlidhjet

A është krim lufte marshi i të burgosurve në Donjeck?!


Audienca në paradën e të burgosurve ukrainas të luftës
Audienca në paradën e të burgosurve ukrainas të luftës

Kur separatistët pro-rusë kanë nxjerrë në marshim ushtarët e arrestuar ukrainas, këtë fundjavë në rrugët e Donjeckut, turma ka nisur të tallet dhe t’i mallkojë ata.

Ka qenë një spektakël që ka tronditur shumëkë, përfshirë aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët e kanë cilësuar këtë veprim si shkelje të rregullave të Konventës së Gjenevës për trajtimin e të burgosurve të luftës.

Por, nëse marshi i detyruar përbën krim lufte dhe mund të ndiqet penalisht si i tillë, nuk është edhe aq e sigurt, thonë ekspertët e ligjit ndërkombëtar.

Kjo paqartësi qëndron kryesisht në mënyrën se si konflikti në Ukrainë klasifikohet, thotë David Glazier, ekspert i ligjit ndërkombëtar në Shkollën Loyola në Los Angeles.

Rregullat për luftërat civile, që përmbajnë konventat, ndalojnë “aktet fyese ndaj dinjitetit njerëzor” dhe “trajtimin poshtërues dhe degradues” të të burgosurve të luftës.

“Nëse ky është një konflikt i armatosur ndërkombëtar, atëherë patjetër se është shkelje e qartë e Konventës së Gjenevës. Nëse nuk është konflikt i armatosur ndërkombëtar, atëherë standardi është më i lartë dhe nuk është e qartë nëse arrin atë nivel”, thotë Glazier.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, gardiani i Konventave të Gjenevës, e ka cilësuar luftën në Ukrainë si “konflikt të armatosur jondërkombëtar”.

Kievi dhe Qeveritë perëndimore, ndërkohë, kanë akuzuar Rusinë se siguron armë dhe mbështetje tjetër për rebelët në lindje të Ukrainës – akuza këto që Moska i hedh poshtë.

Por, edhe nëse konflikti do të klasifikohet si luftë midis Ukrainës dhe Rusisë, jo të gjitha krimet e luftës janë të barabarta, thotë eksperti i ligjit të luftës, Michael Scharf.

“Kjo nuk është një prej dispozitave të shkeljes së rëndë të Konventës së Gjenevës. Jo të gjitha krimet e luftës janë të barabarta. Janë disa krime lufte që janë veçanërisht të urryera dhe ato janë të përcaktuara në dispozitën e shkeljeve të rënda. Edhe pse rasti është shqetësues, unë nuk mendoj se mund ta sillni Rusinë, për shembull, para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime”, thotë Scharf.

As Rusia, as Ukraina dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë nënshkruese të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, edhe pse Kievi ka pranuar juridiksionin e saj për krimet e kryera në territorin e Ukrainës nga 21 nëntori i vitit 2013 deri më 22 shkurt të këtij viti.

Ukraina duhet të paraqesë një amendament tjetër për të sjellë ngjarjet e fundit, si parada e Donjeckut, para juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, thotë Scharf.

Aktivistët e të drejtave kanë dënuar marshin e të burgosurve, duke e cilësuar si shkelje të qartë të Konventave të Gjenevës.

Parada plotëson qartë pragun e “trajtimit poshtërues dhe degradues”, në bazë të Nenit 3 të Konventave të Gjenevës, ka shkruar në Twitter zëvendësdrejtori i organizatës Human Rights Watch, Rachel Denber.

Paradat naziste dhe sovjetike

Ka një precedent për ndjekje të suksesshme të individëve që sjellin në marsh para publikit të burgosurit e luftës.

Në shtator të vitit 1946, një komision ushtarak i Shteteve të Bashkuara ka dënuar gjeneralin gjerman, Kurt Maezler, për ekspozimin e qindra të burgosurve amerikanë dhe britanikë, duke i urdhëruar ata të marshojnë përgjatë rrugëve të Romës në janar të vitit 1944.

Turma ka hedhur shkopinj dhe gurë në drejtim të të burgosurve të luftës, edhe pse mbrojtja e Maezleit ka argumentuar se ato kanë qenë lule dhe cigare.

Parada në Donjeck i ka bërë jehonë edhe një parade të vitit 1944, në të cilën Qeveria sovjetike ka nxjerrë në marsh, në rrugët e Moskës, të burgosur gjermanë të luftës.

Kamionë të mëdhenj pasaj kanë larë rrugët më ujë, në një pastrim simbolik të tyre pas ushtarëve gjermanë.

Kamionët e pastrimit të rrugëve janë vendosur ngjashëm edhe pas paradës në Donjeck.(v.tela)

XS
SM
MD
LG