Ndërlidhjet

Politikanët, kategoria më e pasur në Kosovë


Ilustrim ©Shutterstock

Ilustrim ©Shutterstock

Kosova edhe pse konsiderohet si një vend i vogël dhe i varfër, megjithatë ka zyrtarë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët janë milionerë.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze, ndërkaq, pagat vjetore sillen rreth 17 mijë euro.

Në mesin e deputetëve ka edhe të atillë që pasuria e tyre nga deklarimet e mëhershme është rritur dukshëm për një periudhe të shkurtër kohore.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, kanë ngritur shqetësime lidhur me atë se pse vetëm politikanët në vend janë ata të cilët vit pas viti pasurohen, derisa nuk ka një zhvillim të duhur të shtetit.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj, organizatë kjo që nga viti 2010 ka bërë monitorimin e pasurisë se personave zyrtarë, thotë se në një vend ku demokracia është e brishtë dhe në vendet ku pushteti përdoret nga pushtetarët jo për të ndërtuar një strategji zhvillimore, sigurisht që e vetmja kategori që pasurohet brenda këtij sistemi janë politikanët.

“Pa diskutim që kjo ka ndodhur me ne këtu, sikur se mund të ketë ndodhur edhe në shoqëritë tjera, po ajo çka është, dhe mbetet shqetësuese është që njerëzit në politikë në 15 vitet e fundit është parë që në mnyrë konstante kanë rritur pasurinë e tyre, ndërkohë që e njëjta nuk ka ndodhur, ta zëmë, në mënyrë konstante me zhvillimin ekonomik të përgjithshëm shoqëror”, tha Zogaj.

Edhe Arton Demhasaj, përfaqësues ligjor në Organizatën për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, thotë se nëse bëhet një llogaritje e vogël e pasurisë së disa deputetëve, kuptohet se pasuria e tyre është e barabartë me pasurinë e një milion banorëve të Kosovës.

“Nëse e llogarit se sa kanë pasuri 120 deputetë, del se kanë pasuri sa një milion banorë të tjerë. Kjo është një çudi e madhe që ndodh në vendin tonë. Dhe ne vazhdimisht kemi thënë që kjo pasuri është krijuar nga politika ose nga njerëzit dhe bizneset që janë të lidhura me politikën".

"Këtu funksionon njëfarë rrethi vicioz, ku politikanët janë të lidhur me bizneset. Këta vijnë në politikë, tenderët ua japin atyre bizneseve që janë të lidhur me ta, pastaj paratë shpërndahen në mënyrë jo të ligjshme”, tha Demhasaj.

Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë është 30.9 për qind, meqenëse ka edhe të dhëna, që flasin për një papunësi edhe mbi 40 për qind.

Lidhur me pasurinë e deklaruar të zyrtarëve të lartë, Petrit Zogaj thotë se një nga problemet kryesore të deklarimit të pasurisë është mos hetimi i asaj pasurie.

Ai thotë po ashtu se Kosova ka një bazë ligjore me të cilën mund të fillohet dhe të hetohet ajo pasuri, e cila konsiderohet si e paarsyeshme për të ardhurat e një zyrtari publik, çfarëdo qoftë ai.

“Nëse zyrtari publik për 4-5 vite ka ndërruar një status social nga një, ta quaj i varfër, në një zyrtar që mesatarisht është i pasur,pa një shpjegim racional për pasurinë, e tij sigurisht që një sistem tjetër, këtu po flas për sistemin e drejtësisë, do të duhej t’i nisë hetime për atë pasurim të menjëhershëm”, tha Zogaj.

AKK-ka njoftuar se tashmë ka përfunduar i tërë procesi i deklarimit të pasurisë së deputetëve të rinj që në Kuvend kanë hyrë pas zgjedhjeve nacionale të tetë qershorit.

AKK thotë se deputetët dhe zyrtarët e lartë të institucioneve, deklarimin e pasurisë së tyre e kanë bërë konform afateve të përcaktuara në Ligjin për Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë.

Sipas ligjit, të gjithë zyrtarët e lartë, kanë për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda afatit 30 ditorë pas marrjes së detyrës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG