Ndërlidhjet

logo-print

Organizimi edhe i një palë zgjedhjeve, dëm për ekonominë


Ilustrim

Ilustrim

Ekspertët e çështjeve ekonomike vlerësojnë se organizimi eventual edhe i një palë zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, do të krijojë probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.

Organizimi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme në Kosovë, sipas ekonomistëve, ka kosto të lartë dhe efektet për ekonominë janë negative.

Kosova më 8 qershor të këtij viti kishte mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, prej të cilave ende nuk është arritur të krijohen institucionet e reja të dala nga to.

Institucionet e Kosovës për dy herë me radhë nuk kishin arritur ta përmbyllin mandatin katër vjeçar, duke dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme. Derisa, vetëm para tetë muajve Kosova kishte mbajtur zgjedhjet komunale.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se organizimi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme dhe vakuumi institucional ndikon drejtpërdrejt edhe në dekurajimin e administratës shtetërore për të kryer punën në mënyrë efikase.

“Organizimi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme nga ana e shtetit të Kosovës në përgjithësi, përveç kostos së vet e cila ka një kosto mjaft të lartë rreth 6 milion euro i kushtojnë shtetit dhe taksapaguesve kosovarë, efektet janë të shumanshme dhe janë negative".

"Kjo për arsye se në rend të parë në kohën kur kemi një vakum institucional siç po ndodh tani ne kemi një frenim të realizimit të projekteve kapitale ne kemi një hezitim nga ana e investitorëve të jashtëm që të investojnë në Kosovë në kohën e paqartësive të mëdha politike”, shton Gashi.

Në mungesë të institucioneve stabile të vendit, thekson Gashi, Kosova nuk do të mund të arrijë objektivat e veta të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e bruto produktit vendor.

“Të gjitha këto zhvillime politike kanë pasur efektet e veta negative jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal sa i përket realizimit të projekteve kapitale”, vlerëson Gashi.

Organizimi edhe i një palë zgjedhjeve të reja, menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 8 qershor në Kosovë, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Lekë Musa, do të jetë një humbje kohe për Kosovën dhe për projektet që do të duhej të realizohen apo të fillonin gjatë këtij viti.

“Përsëritja e zgjedhjeve fillimisht ka ndikim negativ për arsye se nuk po mund të fillojë me proceset e zhvillimit e gjithëmbarshëm ekonomik, reformave dhe projekteve të ndryshme që janë në proces siç është Brezovica apo projekti i ndërtimi i Termocentralit dhe projektet tjera, pra kemi të bëjmë me stagnim të këtyre projekteve, pastaj reformat e shumta që mund të ndërmerren kanë ngecur”, thekson Musa.

Gjatë tërë këtij viti, shton ai, në Kosovë ka pasur paqartësi politike të cilat kanë ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik.

Derisa, mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, do të ketë pasoja të mëdha të cilat do të reflektohen në mënyrë kronologjike edhe në vitet e tjera.

“I tërë viti 2014 ka shkuar në këtë formë, pra kemi pasur jo stabilitet politik dhe tani deri në fund të vitit nëse shkohet edhe në një palë zgjedhje atëherë do t’i humbim edhe gjashtë muaj në krijimin e institucioneve të reja. Kështu që viti 2014 nuk do të jetë një vit i mirë për ekonominë në përgjithësi”, shton Musa.

Moskrijimi i Qeverisë së re të Kosovës ka sjell pengesa të mëdha jo vetëm në ekonomi, por ky ngërç politik ka zgjatur adresimin e shumë sfidave me të cilat përballet vendi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG