Ndërlidhjet

Prurjet studimore, sukses i Seminarit për albanologjinë


Ilustrim
Ilustrim

Edicioni i 33-të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mbahet prej 18 gushtit në Prishtinë, është ndër edicionet më të suksesshme, në të cilën rreth 100 albanologë të botës kanë sjellë gjetjet e tyre shkencore për albanologjinë dhe janë njohur me këto gjetje, vlerësojnë organizatorët e seminarit.

Që nga dita e parë e këtij seminari, janë mbajtur seancat e referimeve për gjetjet e reja shkencore në fushën e albanologjisë si dhe diskutimet për këto gjetje, ndërkohë që në vazhdimësi janë duke u mbajtur kurset në tri nivele për nxënien e gjuhës shqipe nga student të huaj, të cilët studiojnë albanologjinë.

Prof. dr. Bardh Rugova, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, thotë për Radion Evropa e Lirë se suksesi i këtij edicioni është varur jo vetëm nga organizimi i seminarit, por nga vet studiuesit, të cilët kanë sjellë dhe prezantuar rezultatet e tyre studimore.

“Për mua, e suksesshme është kur studiuesit sjellin rezultate të mira. Nuk ka të bëjë më me pjesën organizative, nuk ka të bëjë me punën e drejtorisë e asgjë tjetër, përveç me atë se çka sjellë albanologjia në seminar. Ne, deri tash, nëse nuk do të ketë ndonjë të papritur, jemi të kënaqur. Mirëpo, shumë pritet, po ashtu, në sesionin shkencor. Ne kemi zgjedhur dy tema, të cilat janë provokuese, besoj, dhe të shohim se çfarë do të diskutohet dhe çfarë do të thuhet”, thotë Rugova.

Prof. Rugova thekson se referimet e planifikuara deri në këtë moment kur po zhvillohet edicioni i sivjetmë i seminarit janë realizuar me sukses. Ndër to ai ka veçuar disa nga më interesantet, të cilat kanë zgjuar interesim të jashtëzakonshëm të albanologëve..

“Në këtë edicion e kishim parashikuar që të diskutojmë për 200 vjetorin e lindjes se (Jeronim) de Radës, me një ligjëratë nga Françesko Altimari, autoriteti më i madh arbëresh në fushën e filologjisë, sot për sot. Dhe shkoi shumë mirë, me informacione jashtëzakonisht të rëndësishme. Po ashtu, kemi pasur një ligjëratë për konceptet e gjenerativizmit në gjuhën shqipe nga Dalina Kaluli, një studiuese në Universitetin e Vjenës. Ka pasur një ligjëratë për zhdukjen e dygjuhësisë në Kosovë nga Shkumbin Munishi”, shprehet Rugova.

Rugova gjithashtu ka shtuar se seminari përfshin një konglomerat të aktiviteteve dhe në kuadër të tyre do të prezantohet edhe një histori Kosovës përmes fotografive, si dhe prezantimi i Korpusit nacional të shqipes, i cili po përgatitet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.

Blerta Ismajli, sekretare profesionale e seminarit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se pjesëmarrësit në edicionin e sivjetmë të seminarit, janë nga të gjitha anët e botës, përfshirë edhe nga Australia dhe Finlanda, të cilët janë në seminar për herë të parë dhe që nim kanë ndonjë traditë të zhvilluar të studimit të albanologjisë.

“Janë 100m seminaristë që kanë lëvizur këto ditë nëpër seminar. Pjesa më e madhe janë ata që vazhdimisht i vijojnë kurset e gjuhës. Por, kemi edhe të tjerë, për shembull, pjesëmarrësit në punëtorinë ‘Shqiptarët në komunizëm’, të cilët ishin kryesisht historian që po merren me tema të ndryshme dhe me të kaluarën komuniste të shqiptarëve. Pastaj, kemi pjesëmarrës nga Amerika, Gjermania, Hungaria, Polonia, Bullgaria, kemi një grup të arbëreshëve, por edhe pjesëmarrës italian, që nuk janë arbëresh. Janë vende të ndryshme prej nga vijnë pjesëmarrësit”, shprehet Ismajli.

Islmajli thotë se seminaristët jo vetëm marrin nga seminari, por edhe sjellin në seminar njohuritë për albanologjinë.

“Një pjesë e tyre është e pranishme në programin e punës së seminarit dhe këto janë referime, ligjërata të hapura për të gjithë. Por, secili prej tyre sjell me vete edhe interesimet e veçanta. Pjesëmarrësit në seminar janë shumë të kënaqur me mundësinë që u ofrohet, që për dy javë, të kenë, së pari, kontakt me ambientin shqiptarë, ku flitet shqipja, ku frymon kultura shqiptare dhe së dyti, me mundësinë që u jepen për të krijuar kontakte, qoftë me studiuesit vendor, qoftë me kolegët që vijnë nga vise të ndryshme. Do të thotë, mundësia krijohet që të bëhet një lloj bashkëpunimi ndërkombëtarë brenda seminarit. Këtu hidhen hapat e parë”, thekson ajo.

Ndryshe, Seminarit Ndërkombëtarë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri me 30 gusht.

Në dy ditët e fundit të seminarit, do të mbahen sesionet shkencore për letërsi dhe gjuhësi. Tema bosht në sesionin shkencor për letërsi do të jetë “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha”, ndërkaq në sesionin shkencor për gjuhën, do të jetë tema “Gjuhësia shqiptare dhe ideologjia në fushën e gjuhësisë”.

XS
SM
MD
LG