Ndërlidhjet

Maqedoni: Gjithnjë e më pak shpresa për zgjidhjen e emrin


Ilustrim
Ilustrim

Gjithnjë e më pak shpresa për zgjidhjen e kontestit të emrin me Greqinë dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar deklaratën e një dite më parë të shefit të diplomacisë, Nikolla Poposki se Greqia nuk po tregon as interesim më të vogël për zgjidhjen e çështjes së emrin.

Në fakt, deklarata e tij erdhi pas një takimi që pati me ministrin e jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkeviçs, vendi i të cilët do të merr kryesimin me BE-së pas përfundimit të kryesimit italian

“Të gjithë ata me të cilët bisedojmë dhe që kanë peshë në pjesën e vendim-marrjes së BE-së, vlerësojnë se Greqia nuk ka asnjë interes politik që ti mundësojë Maqedonisë fillimin e bisedimeve për shkak të zhvillimeve të brendshme politike dhe për shkak të sfidave në pjesën ekonomike, por njëkohësisht nuk ka kurrfarë interesi që të merret seriozisht me kapërcimin e dallimeve për çështjen e emrit”, ka theksuar ministri i punëve të jashtme, Nikolla Poposki.

Një deklaratë e tillë e shefit të diplomacisë, sipas Zdravko Savevskit, njohës i çështjeve politike, mund të vlerësohet edhe si përpjekje që gjithë fajin për ngecjen e procesit t'ia hedhin palës greke.

Ai thotë se përgjegjësia më e madhe për arritjen e zgjidhjes i takon palës maqedonase, e cila me veprimet e deritanishme ka dëshmuar se nuk është e interesuar për mbylljen e këtij kontesti.

“Tanimë është bërë praktikë që ministrat e qeverisë së Maqedonisë fajin për moszgjidhjen e çështjes së emrit t'ia hedhin palës greke. E gjithë kjo, vlerësoj se bëhet me qëllim pasi me mbajtjen pezull të kësaj çështjeje përfiton partia në pushtet, VMRO-DPMNE".

"Nga vitit 2008 nuk kemi asnjë lëvizje nga pozicionet, nuk kemi asnjë sinjal serioz për zgjidhjen e problemit dhe kjo gjithsesi se i konvenon forcave konservative si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi, të cilat do të bëjnë çmos që të minojnë iniciativat eventuale që mund të dalin nga njëra apo pala tjetër. Pra, nuk pres që së shpejti të ketë ndonjë zgjidhje, pasi pa vullnet të mirëfillët politik mbyllje të kontestit nuk mund të ketë“, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se është në interes të Maqedonisë që të angazhohet për zgjidhjen e kontestit, si për zhbllokimin e procesit integrues, ashtu edhe nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike në të cilën ndodhet.

Por, edhe ai vlerëson se zgjidhje vështirë se do të ketë, jo vetëm për shkak të problemeve brenda Greqisë, por edhe politikave provokuese që kanë udhëhequr dy shtetet kundrejt njëra tjetrës.

Neziri thotë se zgjidhje mund të ketë vetëm në rast se do të ketë ndryshim të pushteteve në të dyja vendet.

“Mendoj se deri sa të kemi konstalacione politike të këtilla si në Greqi ashtu edhe në Maqedoni, pra deri sa në pushtet të jenë Antonoi Samaras, kryeministër grek nacionalist dhe Nikolla Gruevski, po ashtu kryeministër që udhëheqë politika nacionaliste, vështirë se do të ketë zgjidhje të çështjes së emrit. Kjo ka më shumë gjasa të arrihet nëse këto dy qeveri zëvendësohen me parti tjera politike të cilat do të ishin më vizionare, më pozitive dhe më proaktikve fqinjësore“, thotë Neziri.

Ndryshe, përveç çështjes së emrit Maqedonia pritet që në raportin e progresit të KE-së, të përballet edhe me kritika për ngecje në sfera tjera, si për mungesën e dialogut politik, lirinë e mediave, gjyqësorin e çështje tjera ku vlerësohet se ka ngecje të theksuara.

XS
SM
MD
LG