Ndërlidhjet

logo-print

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses ringjallë shpresat e PDK-së, por edhe "bllokut"


Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar edhe aktgjykimin e plotë për rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit. Në aktgjykim, rikonfirmohet që zgjedhja e Mustafës ishte anti-kushtetuese.

Tutje, konstatohet se seanca konstituive e 17 korrikut nuk është e përfunduar me çka u sugjerohet partive parlamentare të vazhdojnë me pikën që ka të bëj me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

E drejta për të propozuar kryetarin i njihet Partisë Demokratike të Kosovës. E në rast se kjo nuk arrihet, u sugjerohet deputetëve të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të vazhdohet me konstituimin e plotë të legjislativit.

Menjëherë pas publikimit të aktgjykimit, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi duke shkruar në profilin e tij në Facebook ku ka ftuar rivalët politik që të bashkëpunojnë për tejkalimin e këtij ngërçi politik.

Tani le të punojmë bashkërisht për të implementuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit. PDK si fituese e këtyre zgjedhjeve do të punojë me vullnetin gjeneroz dhe frymën mirëkuptuese me spektrin politik kosovar”, ka shkruar Thaçi.

Publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas Thaçit e ka sqaruar qartë se si duhet të vijojë procesi i ndërtimit të institucioneve në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Mirëpo, analisti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica vlerëson se vendimi i Kushtetueses nuk e ka qartësuar procesin e zgjedhjes së kryekuvendarit. Madje, sipas tij, ky aktgjykim mund të sjellë komplikime të reja.

"Aktgjykimi i hap mundësinë dhe i njeh të drejtën ekskluzive PDK-së që në seancën konstituive të jetë vetëm ajo që ka të drejtën për të bërë propozimin për kreun e Kuvendit. Në anën tjetër aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ndalon cilindo proces të mëtutjeshëm të konstituimit të institucioneve në rast se nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit, që unë mendoj se është gabim", ka thënë Korenica.

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, i shpejtë ka qenë edhe reagimi i koalicionit të partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Sipas një komunikate të përbashkët, ky bllok i treshes vlerëson se me Aktgjykimin e Kushtetueses hapet rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

"Aktgjykimi, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave", thuhet në komunikatë, ku në fakt citohet aktgjykimi i Kushtetueses.

Koalicioni LDK-AAK-Nisma, bashkë me partnerët zotohet se mbetet i përkushtuar që institucionet të ndërtohen sa më parë, me qëllim që të jenë në funksion të interesave të qytetarëve te Kosovës.

Optimizmi i shprehur nga partitë politike se me aktgjykimin final të Kushtetueses po hapet rruga e konstituimit përfundimtar të Kuvendit dhe formimit të organeve të reja shihet me rezerva nga analisti Fisnik Korenica.

Sipas tij, duke i dhënë të drejtën vetëm PDK-së që të nominojë kryetarin e Kuvendit ndonëse pritjet janë që kjo parti politike nuk do të mund t'i sigurojë 61 votat e nevojshme, mund të çojë vendin në një bllokadë mjaftë të rëndë, ku as nuk parashihet rrugëdalja e as shkuarja në zgjedhje.

"Vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese në tërësi e bllokon procesin e konstituimit të institucioneve. E bën pothuajse të pamundur që të gjendet një zgjidhje ndër skenarët që kanë qenë në jetë deri më sot. Kështu që tash e tutje nuk shkohet automatikisht në zgjedhje dhe është skena politike ajo që do të duhej ta gjente një zgjidhje që do të duhej të ishte shumë më inovative sesa këto që i kemi parë deri më sot në mënyrë që të dilet nga bllokimi institucional", ka vlerësuar Korenica.

Në seancën e 17 korrikut, pa praninë e deputetëve të partisë më të madhe, PDK-së, 83 deputetë më 65 vota për kishin zgjedhur Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, kjo zgjedhje u kontestua më pas nga PDK-ja, e cila e dërgoi lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin e saj, Kushtetuesja pranoi kërkesën e PDK-së dhe shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Mustafës.

Në të njëjtin vendim, Gjykata konsideron se kryetari i Kuvendit duhet të kandidohet nga Grupi më i madh parlamentar.

Andaj, me këtë interpretim këtë të drejtë ia njeh PDK-së si fituese e zgjedhjeve. Kurse koalicioni LDK, AAK dhe Nisma mund të konstituohet si Grup vetëm pasi që të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG