Ndërlidhjet

Dënohet përfshirja e fëmijëve në luftërat e huaja


Fotografi nga Siria...

Fotografi nga Siria...

Fenomeni i shkuarjes së të rinjve nga Kosova në konflikte jashtë vendit, siç është Siria apo Iraku, tash po përcillet edhe me një dukuri tjetër, atë të marrjes së fëmijëve të moshës jomadhore me vete nga ana e luftëtarëve të huaj.

Mediat vendore në Kosovë kanë raportuar për një rast konkret, për një fëmijë tetë vjeçar, i ati i të cilit e kishte marrë me vete në Siri për t’iu bashkuar luftëtarëve atje.

E ëma e djalit tetë vjeçar thotë se bashkëshorti ia ka marrë të birin pa lejen e saj. Në disa fotografi të cilat janë publikuar në televizionin KTV, djaloshi 8 vjeçar shihet në Siri në shoqërinë e luftëtarëve dhe me flamurin e Shtetit Islamik [ISIS].

Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se që nga momenti kur rasti është paraqitur në polici, autoritetet e rendit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për hetimin e këtij rasti.

“Policia e Kosovës është duke kryer hetime ndaj këtij rasti në aspektin e punës që ndërlidhet në Kosovë, mirëpo njëkohësisht edhe në shkëmbimin e informacioneve me shtetet të cilat mund të ndihmojnë për zbardhjen e këtij rasti, duke përfshirë edhe Turqinë”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët nga Bashkësia Islame e Kosovës e kanë dënuar ashpër këtë dukuri të shkuarjes së fëmijëve në Siri, duke thënë se keqpërdorimi i fëmijëve është mëkat.

Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi tha për Radion Evropa e Lirë se kohët e fundit është vërejtur se prindërit të cilët kanë vendosur të shkojnë në Siri më vete kanë marrë edhe fëmijët.

“Vërehet se edhe disa fëmijë po keqpërdoren nga prindërit e tyre dhe po i marrin me vete në vendet ku ka krizë të thellë, gjegjësisht ku ka luftë siç është Siria apo Iraku apo diku tjetër. Këto veprime janë skajshmërisht shqetësuese. Dhe natyrisht janë përfundimisht të papranueshme për ne".

"Kjo është diçka e paimagjinueshme; që mund të bëjë dikush në raport me anëtarët e familjes, në veçanti me të dashurit e familjes, me fëmijët, më të pafajshmit më me të pa mëkatet. Prandaj, unë nuk di tjetër çka t’i them kësaj marrëzie, përveç që ta gjykojmë deri në formën me të ashpër të saj”, tha Rexhepi.

Rexhepi nga BIK-u, ka apeluar te të gjithë ata të cilët kanë vendosur “ta flijojnë veten e tyre”, që së paku familjet dhe fëmijët e tyre t’i kthejnë në shtëpi.

“I lus që sa më parë e sa më shpejt t’i kthejnë fëmijët dhe atyre fëmijëve t’ua kthejnë buzëqeshjen në gjirin e tyre familjar”, u shpreh Rexhepi.

Ai tha se Bashkësia Islame, nuk ka informacion se sa është numri i saktë i fëmijëve nga Kosova që kanë shkuar në vendet ku ka luftë.

“Nuk kemi ndonjë informatë të saktë. Krejt ajo çka dimë është ajo që kemi dëgjuar në media, sepse ruhen edhe prej nesh, e nuk na i tregojnë këto gjera”, tha Rexhepi.

Ish-kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame, Xhabir Hamiti, tani vetëm anëtar i këtij institucioni të pavarur të myslimanëve të Kosovës, thotë se shkuarja dhe pjesëmarrja shqiptarëve në luftën e Sirisë e Irakut, është një rrugë e gabuar dhe që nuk ka të bëjë asgjë me fenë.

“Kjo është shumë shqetësuese kur tani dëgjojmë se ka edhe fëmijë që shkojnë ose i marrin për t’i çuar në atë ambient të pasigurt, dhe kjo është për të ardhur keq. U bëjmë apel të gjitha familjeve dhe të gjithë njerëzve të cilët ndoshta janë në rrugë për t’u bindur ose janë bindur nga tutorët e ndryshëm për të shkuar në atë luftë, që të mos shkojnë dhe të mos jenë pjesë e një lufte të tillë, e cila ka marrë përmasa shqetësuese globale”, tha Hamiti për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur e fenomenin e shkuarjes se të rinjve nga Kosova në Siri, Hamiti ka fajësuar lidershipin aktual të Bashkësinë Islame të Kosovës që nuk ka ndërmarrë me kohë veprime që do të kishin ndihmuar në parandalimin e një dukurie të tillë.

“Lidershipi i tashëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, fatkeqësisht nuk ka marrë masa preventive në të kaluarën, por edhe tash është duke heshtur për faktin se është dashur të paktën që ka qenë detyrë e këtij lidershipi i cili nuk ia ka bërë me dije opinionin që këto vija të interpretimit të fesë janë në formën dhe mënyrë jo kompatibile me vet fenë, me vet realitetin e fesë të vendit, të rajonit dhe në rrethanat e reja në të cilat ne jetojmë. Ka treguar papërgjegjësi dhe duhet ta bartë përgjegjësinë e vetë për këtë çështje”, tha Hamiti

Sidoqoftë, informacione të sakta për numrin e shqiptarëve që janë të angazhuar në Lindjen e Mesme nuk ka, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra syresh.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim më 14 mars të këtij viti projekt-ligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit, projekt-ligj ky i cili nuk arriti të hyjë në fuqi, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit në muajin maj.

Më 11 gusht ndërkaq Policia e Kosovës ka arrestuar 40 persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, duke u rreshtuar përkrah organizatave të shpallura terroriste si ISIS dhe Al Nusra.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG