Ndërlidhjet

Mos konstituimi i institucioneve të Kosovës, ka ndikuar edhe në zvarritjen e procesit për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, si dhe në dinamikën e zhvillimeve të mëtutjeshme, vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve dhe njohësit serbë të zhvillimeve në Kosovë.

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Listës Serbe, e cila në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës ka 9 deputetë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përfaqësuesit e serbëve i kuptojnë proceset politike aktuale në Kosovë dhe e dinë që prioritet është konstituimi i Kuvendit në shtrirje të plotë, si dhe formimi i Qeverisë së re.

Sipas tij, deri në përmbushje të këtyre proceseve, formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duhet të presë.

Gjithashtu, ai ka theksuar se funksionin e Bashkësisë së komunave serbe, nuk do ta bëjnë vetë, pa përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve.

“Ne gjithashtu, jemi të vetëdijshëm që kur ky proces të përfundojë dhe realisht duhet të përfundoj së shpejti, atëherë duam të ulemi së bashku me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të jenë të përfshirë në qeverinë e ardhshme dhe së bashku ta definojmë se në cilën mënyrë do të funksionoj Bashkësia e komunave serbe, cilat të drejta dhe cilat përgjegjësi do t’i ketë".

"Ne nuk e kemi për qëllim fare që vet ta bëjmë tekstin, të cilin do ta ofronim sipas principit ‘merre ose lëre’, por thjeshtë, që të heqim çfarëdo dileme për kinse ndonjë qëllim përfundimtar apo të fshehur të neve serbëve. Për këtë arsye, dëshirojmë që ta kyçim edhe palën shqiptare në formimin e Bashkësisë së komunave serbe”, theksoi Jabllanoviq.

Megjithatë, ai, ka shprehur mendimin se mos formimi i deritashëm i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ka ndikuar negativisht në vet komunat serbe, por edhe në raportet ndërmjet bashkësie serbe dhe institucioneve të Kosovës.

“Mos formimi i deritashëm e Bashkësisë së komunave serbe është i dëmshëm, për shkak se pa atë Bashkësi, ne nuk do të mundemi që komunat tona t’i kyçim në mënyrën normale të funksionimit, ashtu sikurse e bëjnë edhe komunat tjera në Kosovë. Në anën tjetër, është e dëmshme periudha, gjatë të cilës nuk është formuar bashkësia e komunave serbe, për shkak se ka ardhur deri te humbja e besimit nga ana e serbëve dhe përfaqësuesve të tyre politik".

"Ka ardhur deri te një humbje e besimit ndaj liderëve shqiptarë, të cilët janë marrë vesh dhe janë obliguar për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Thjeshtë, një pjesë e elitës politike, në masë të madhe e ka humbur kredibilitetit dhe besimin në sytë tanë”, tha Jabllanoviq.

Por, njohësi serb i zhvillimeve politike në vend, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në situatën e tanishme dhe proceset politike aktuale, nëpër të cilat po kalon Kosova, përfaqësuesit e serbëve në vend, duhet ta luajnë rolin që u takon, në mënyrë që të hapet rruga që ccon në dinamizmin e procesit të formim të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Para së gjithash, nëse flasim për besimin ndaj Prishtinës, mendoj se edhe serbët, ata që kanë marrë pjesë në zgjedhje, duhet të jenë pjesëmarrës aktiv në formimin e institucioneve. Në fakt, ne ende nuk kemi një qëndrim të qartë të serbëve se për cilën anë janë përcaktuar".

"Do të thotë, pse janë ata për opsionin e vjetër apo për atë që tash po propozohet si zgjedhje, përbërja shumicë në institucionet e Kosovës? Prandaj, përgjegjësinë e tillë, së bashku dhe barabartë ose afërsisht të barabartë, e bartin edhe përfaqësuesit e institucioneve nga ana e shqiptarëve, por edhe të serbëve dhe bashkësive tjera”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se serbët në Kosovë e kanë me nxitim formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, por, sipas tij, kjo nuk duhet bërë në atë mënyrë.

Sipas tij, më parë duhet definuar kompetencat dhe përgjegjësitë e kësaj bashkësie.

“Vetëm pas definimit të qartë të kompetencave, atëherë duhet nisur me formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Në qoftë se insistohet që tash të formohet kjo bashkësi, ajo edhe më tutje do të jetë e pa definuar dhe mendoj se vetëm do të krijoj probleme të reja dhe jo zgjidhje. Fundja, çdo zgjidhje që krijon probleme të reja, duhet shmangur”, ka theksuar Nojkiq.

Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve kanë theksuar se një pjesë të përgjegjësisë për formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe e pati marrë mbi vete Qeveria në largim e Kosovës dhe kryeministri në largim Hashim Thaçi.

Sipas tyre, kjo do të jetë përgjegjësi edhe për qeverinë e ardhshme dhe për kryeministrin e ardhshëm, kushdo qoftë ai.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG