Ndërlidhjet

Fillimi i projekteve të ndryshme ekonomike në Kosovë të cilat premtonin hapje të vendeve të reja të punës kanë mbetur peng i krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë në Prishtinë.

Ata thonë se gjithë kjo situatë politike e krijuar në vend ka ndikuar në mosrealizmin e këtyre projekteve kapitale që kanë qenë në proces dhe që rrjedhimisht kanë ngrirë edhe punësimin.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se punësimi i cili është pritur të ndodh nga investimet e reja, qofshin ato vendore apo të huaja nuk do të mund të realizohet.

“Ngërçi politik nuk mund të kalojë pa pasojë në ekonomi, për shkak se efektet, përveç në vonesave që janë më të ditura në kuptim të asaj që nuk ka reforma të shpejta si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve aspekti tjetër lidhet edhe me kompanitë dhe mundësit kontraktuese aktuale që janë apo ato që mund të vonohen në realizmin si kontrata por edhe në investime të reja”, thekson Rukiqi.

Njëri nga projektet që ka mbetur peng si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet është koncesionimi i qendrës turistike “Brezovica”.

Me fillimin e këtij projekti autoritetet e Kosovës kishin premtuar hapjen e 4 mijë vende të reja të punës.

Një projekt tjetër që po ashtu është zvarritur është shpallja e kompanisë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Derisa, për nëntë muaj është shtyrë edhe afati për hartimin e planit për ri-organizimin e kombinatit "Trepça".

Rukqi thekson se zvarritja e të gjitha këtyre projekteve do të pamundësojë punësim të ri dhe po ashtu investimet e reja që mundësojnë punësim nuk mund të realizohen në këtë gjendje politike jo stabile.

“Ne presim punësime të reja nga investimet të reja, por që investitorët që kanë planifikuar të investojnë do të hezitojnë a bëjnë këtë për shkak të jostabilietit politik në vend”, shton ai.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Profesori i ekonomisë Musa Limani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se në mungesë të hapjes së vendeve të reja të punës do të ketë rritje të shkallës së papunësisë në Kosovë

“Rritja e papunësisë do të rrit problemet sociale dhe të varfërisë. Ky ngërç politik duhet të zgjidhet sa më shpjet në mënyrë që të fillojë funksionimi i institucioneve dhe i shtetit në përgjithësi”, vlerëson Limani.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë është 30.9 për qind, meqenëse ka edhe të dhëna, që flasin për një papunësi edhe mbi 40 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG