Ndërlidhjet

Poroshenko: Bisedime të vështira me Putinin

  • RFE /RL

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se do të punojë urgjentisht në planin për armëpushim, që synon uljen e tensioneve të forcave të qeverisë dhe separatistëve pro-rusë, në pjesën lindore të Ukrainës, pas bisedimeve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Takimin e tij dyorësh direkt me presidentin Putin, zoti Poroshenko e ka përshkruar si “shumë të vështirë dhe kompleks”, por tha se të gjitha palët “pa përjashtime” i kanë mbështetur propozimet e Kievit për paqe.

Ai u ka thënë reporterëve në Minsk se “plani do të përgatitet me qëllim që regjimi i armëpushimit të arrihet sa më shpejtë që është e mundur, e që absolutisht duhet të jetë bilateral në karakter”.

“Ne kemi demonstruar se qëllimi kryesor për të cilin ne arritëm në Minsk është paqja. Ukrainës i duhet paqja, shtetasve në Krasnodon, Luhansk, Donjeck, Pervomajsk, Brijanka, u duhet paqja, shtetasve të të gjitha qyteteve, që janë nën okupim, e të cilët janë të lodhur duke jetuar në gjendje të luftës në këtë shekull. Prandaj, ata kërkojnë një aksion shumë të vendosur, i cili do të sjellë paqe në tokën e Ukrainës”, tha Petro Poroshenko.

Nga ana e tij, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se bisedimet në Minsk ishin pozitive, por çfarëdo plane të armëpushimit janë çështje e brendshme e Kievit dhe e kryengritësve.

“Ne, Rusia, nuk mund të bisedojmë për çfarëdo kushtesh për armëpushim, për marrëveshje të mundshme ndërmjet Kievit, Donjeckut dhe Luhanksut. Nuk është punë për ne, ajo është çështje e brendshme e Ukrainës. Ne vetëm mund të kontribuojmë për krijimin e atmosferës së besimit gjatë procesit të tillë të negociatave, i cili unë besoj se është shumë i domosdoshëm”, tha Vladimir Putin.

Perëndimi e akuzon Rusinë se i furnizon separatistët pro-rusë me armatim. Moska i ka hedhur poshtë akuzat e tilla.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, që ishte në Minsk, tha se kryesorja është që të ndalet dhuna në pjesën lindore të Ukrainës.

“Mendoj se çështje kritike është që të ketë angazhim për siguri, dhe për përpjekje se atje në lindje ka përfunduar dhuna. Ne jemi shumë të shqetësuar për atë që po i ndodhë popullit të zakonshëm”, tha Catherine Ashton.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më se 2 mijë vetë janë vrarë prej prillit në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në rajonet lindore, Donjeck dhe Luhansk.

Presidenti Poroshenko tha se plani i paqes ishte mbështetur nga shefat e shteteve të vendeve të rajonit.

“Mund të them se ideja për plan të paqes, përfundimisht është mbështetur nga të gjithë shefat e shteteve pa përjashtim. Ne fuqishëm këmbëngulim se para se gjithash duhet të arrihet një marrëveshje për sigurimin e paqes dhe lirisë për shtetasit ukrainas, që ilegalisht mbahen nga formacionet ilegale të armatosura. Një marrëveshje është arritur dhe ne menjëherë e kemi aktivizuar një grup të kontaktit prej tre anëtarëve dhe shumë shpejtë do ta shohim lirimin e personave, që tash mbahen peng, në mënyrë ilegale”, tha Petro Poroshenko.

Në samitin e Minskut, pos presidentëve Putin e Poroshenko, dhe baroneshës Ashton, kanë marrë pjesë edhe presidentët e Bjellorusisë dhe Kazakistanit. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG