Ndërlidhjet

logo-print

Shefi i ardhshëm i politikës së jashtme evropiane


Krerët e qeverive evropiane do të takohen në Bruksel të shtunën, për të zgjedhur dy mbajtësit e vendeve kryesore të bllokut, për pesë vitet e ardhshme.

Në muajin qershor të këtij viti, ata u pajtuan që Jean-Claude Juncker, ish kryeministri i Luksemburgut, do të udhëheqë Komisionin Evropian. Tani ata duhet të vendosin për tjera "punë të mëdha" të Bashkimit.

Është ende e paqartë se kush do të bëhet president i Këshillit Evropian. Por, konsensusi në rritje është që Federica Mogherini, ministrja e Jashtme e Italisë, do të bëhet përfaqësuesja e ardhshme për marrëdhënie me jashtë, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja Financial Times.

Roli i përfaqësuesit të lartë të BE-së shihet si një nga më të rëndësishmit në Bruksel.

Në fusha si tregtia, BE-ja operon me koherencë si bllok. Por në marrëdhëniet e jashtme - që kanë të bëjnë me Rusinë, Kinën apo Lindjen e Mesme - anëtarët e shteteve të mëdha dëshirojnë të veprojnë vetë.

"Një përfaqësues i lartë i fuqishëm mund të ndihmojë të zbusë diferencat e qeverive kombëtare. Krerët e qeverive të BE-së janë të njohur për ndryshimet që i bëjnë në minutat e fundit. Por nëse puna i besohet zonjës Mogherini, kjo do të ishte dëshpëruese", shkruan gazeta.

Sipas saj, në kohë të tensioneve ndërkombëtare, BE-ja mund të vendoste dikë tjetër për një post të tillë, si ministrin i Jashtëm suedez Carl Bildt apo homologun e tij, holandezin Frans Timmermans.

"Ndryshe nga ta, zonja Mogherini ishte pak e njohur para se të bëhej ministrja e Jashtme italiane para gjashtë muajsh. Nëse zgjidhet, do të jetë për të njëjtat arsye që u zgjodh edhe britanikja Catherine Ashton para pesë vitesh. Do të jetë rezultati i lëvdatave të elaboruara mes shteteve anëtare, që votuan secilën gjë, përveç katrorit pranë të cilit shkruhej 'me eksperiencë'", shkruan Financial Times.

Me presidentin rus Vladimir Putin që po vazhdon të kërcënojë Ukrainën, një fushë për të cilën zonja Mogherini do të shqetësohej, është qëndrimi i saj ndaj Rusisë. Bota e korporatave italiane, sipas gazetës, në fusha si energjia, vazhdon të mbetet e lidhur ngushtë me Rusinë. Në kohën e saj të shkurtër si ministre e jashtme, Mogherini ka reflektuar dëshirën e Italisë për të qetësuar marrëdhëniet, më shumë se të përballet me Kremlinin.

Megjithatë, politikat evropiane ndaj Rusisë, do të vazhdojnë të dominohen nga gjermanja Angela Merkel.

Por, gazeta thotë se nuk është një periudhë që dikush nga zyrtarët e lartë të BE-së të shihet si i butë nga ana e Moskës.

Menaxhimi ditor i diplomacisë nuk do të jetë sfida e vetme e përfaqësuesit të lartë të ardhshëm. Me siguri, detyra më e rëndësishme do të jetë të punojë me pjesën tjetër të komisionit, që të ndihmojë BE-në të luajë një rol strategjik, një që reflekton peshën e bllokut si një fuqi ekonomike botërore", shkruan FT.

Sipas saj, në këtë fushë BE-ja ka dështuar keq gjatë pesë vjetëve të fundit - më së shumti kur vjen te Politikat Fqinjësore të Evropës, që ka për qëllim t'i ndihmojë politikisht dhe ekonomikisht stabilitetit të dhjetëra shteteve në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Evropë Lindore.

Kushdo që e merr punën për politikat e jashtme të BE-së, qoftë zonja Mogherini apo dikush tjetër, do t'i duhet kohë që ta mbërthejë atë rol. Është gabim të paragjykohet kushdo nga kandidatët, sepse disa shtete, si Britania, dërgojnë të panjohur në Bruksel.

Por ajo që nuk vihet në dyshim është se Evropës i duhet një shef i fortë i politikave të jashtme - një që mund t'i japë BE-së një zë më të fuqishëm në botë, përfundon shkrimin gazeta.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG