Ndërlidhjet

Dy interpretimet e aktgjykimit për kryetarin e Kuvendit


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Edhe pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, partitë politike vazhdojnë të prezantojnë interpretime të ndryshme në lidhje me atë se kush ka të drejtë të propozojë kandidatin për kreun e legjislativit.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës thotë se pas vendimit të Kushtetueses janë hequr të gjitha dilemat dhe se gjatë mandatit të këtyre institucioneve, vetëm PDK mund të nominojë kandidatin për kryetar, koalicioni i partive, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma beson se pas dështimit eventual të PDK-së, nominimin e dytë për postin e kryekuvendarit e fiton ky bllok.

Deputeti dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja e ka konfirmuar që partia fituese nënkupton edhe grupin më të madh parlamentar.

Andaj, sipas tij, vetëm PDK mund të propozojë kryetarin e Kuvendit gjatë këtij mandati të institucioneve. Kurse një mundësi tjetër, sipas tij, është që nominimi të bëhet në marrëveshje me PDK-në, por assesi ndonjë kandidaturë që lë anash pa e përfshi Partinë Demokratike.

"Gjykata Kushtetuese e ka vërtetuar se Grupi më i madh parlamentar është koalicioni parazgjedhor i PDK-së me subjektet tjera politike, prandaj kjo është e pakontestueshme dhe e pandryshueshme. Nuk ka dy kandidat për kryetar të Kuvendit, por ka vetëm një kandidat dhe kjo e drejtë ekskluzivisht i takon vetëm Grupit Parlamentar të PDK-së", ka thënë Grabovci.

PDK, të paktën deklarativisht shprehet se e pret edhe mbështetjen e pjesës tjetër të Kuvendit për kandidaturën që do të jap në seancë për kryetar të Kuvendit.

Mirëpo, kjo parti politike, përveç takimeve me pakicat, nuk ka arritur të realizojë ndonjë takim edhe me subjektet politike të shumicës të cilat janë pajtuar të bojkotojnë çfarëdo forme të negocimit apo bashkëpunimit me PDK-në.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të jetë përsëri kandidat i bllokut LDK, AAK dhe Nisma për postin e kryetarit të Kuvendit, ndonëse mbetet ende e paqartë nëse ri-zgjedhja eventuale e tij do të sfidohet sërish nga ana e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese.

Sa u përket hapave të ardhshëm që blloku LDK, AAK dhe Nisma do të ndjek, Mustafa ka thënë se çështjet do të diskutohet ditëve në vijim.

Kurse në lidhje me pritjet e PDK-së që një pjesë e deputetëve të LDK-së ta mbështesin kandidatin e saj, Mustafa e ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë.

"Ata po bëjnë propagandë, kështu që nëse propaganda u sjell vota, do t'ju sjell, por unë jam shumë i bindur që asnjë deputet i LDK-së, nuk po flas edhe për ata të partive të bllokut, nuk do të votoj jashtë vullnetit të tyre dhe jashtë qëndrimeve tona që i kemi", ka thënë Mustafa.

Në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se nuk e mohon që PDK ka dalë e para në zgjedhje, por e ka rikujtuar PDK-në se nuk po arrin të krijojë shumicën në Kuvend për formimin e institucioneve.

"Rrethanat e krijuara po dëshmojnë se partia që doli e para ka vetëm përkrahjen e 30 për qind të votuesve, ndërsa deputetët që kanë 70 për qind të votave nuk e përkrahin. Kjo flet se rruga jonë është e drejtë. Në demokraci, gjithmonë është e drejtë rruga e atyre që arrijnë të kenë përkrahjen e shumicës", ka shkruar Mustafa.

Mes pozicioneve të kundërta të PDK-së në njërën anë dhe blloku LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje nuk u garanton votën asnjërit prej këtyre taborreve.

Ndërsa për PDK-në e ka të prerë vendimin se nuk do ta mbështes, sa i përket koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, kjo lëvizje, sipas deputetit të saj, Visar Ymeri, do ta mbështesë kandidaturën e tyre vetëm nëse paraprakisht arrihet marrëveshje me shkrim me Vetëvendosjen.

"Ne nuk e kemi votuar as herën e kaluar. Pa marrëveshje për parimet qeverisëse, lëvizja Vetëvendosje nuk do të votoj e as të bëhet pjesë e qeverisë", ka theksuar Ymeri.

Marrë parasysh pozicionet e blloqeve politike të krijuara pas zgjedhjeve të 8 qershorit, pavarësisht se aktgjykimit të Kushtetueses, çështja e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit mund edhe të mos zgjidhet në seancën e radhës që pritet të thirret ditëve në vijim.

Zvarritja në konstituimin e plotë dhe funksionalizimin e Kuvendit do të shtynte tutje formimin e qeverisë së Kosovës me çka do të vazhdonte edhe vakuumi institucional në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG