Ndërlidhjet

logo-print

Presion i Perëndimit ndaj Rusisë për Ukrainën

  • RFE /RL

Ilustrim ©Shutterstock

Ilustrim ©Shutterstock

Perëndimi e ka shtuar presionin ndaj Moskës për ta shpjeguar, atë që zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar si intervenim direkt nga ana e ushtrisë së Rusisë në pjesën lindore të Ukrainës.

Në rrjetin Twitter, ambasadori amerikan në Ukrainë, Geoffrey Pyatt, tha se “një numër i shtuar i trupave ruse po intervenon direkt në luftë në territorin ukrainas”.

Ai tha se tanket e dërguara nga Rusia, makinat e blinduara, artileria dhe raketahedhësit, megjithatë “ishin të pamjaftueshme për t’u shkaktuar disfatë forcave të armatosura të Ukrainës”.

Më tutje, në rrjetin Twitter, ambasadori Pyatt është shprehur se Rusia po i dërgon “sistemet e veta më të reja të mbrojtjes, përfshirë SA-22, në pjesën lindore të Ukrainës dhe tash është drejtpërdrejt e involvuar në luftë”.

Në një bisedë telefonike, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, mbrëmë vonë, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se raportet për inkursionin e ushtrisë ruse “duhet të shpjegohen” dhe ka theksuar “përgjegjësinë madhore për de-eskalim” nga ana e Moskës.

Departamenti Amerikan i Shtetit, mbrëmë tha se ka dyshime se “një kundërofensivë e drejtuar nga Rusia” po zhvillohet në pjesën lindore të Ukrainës.

Ja se çka u tha gazetarëve, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki:

Ka pasur raporte për kolona shtesë të tankeve ruse, raketahedhësve të shumëfishtë dhe makinave të blinduara, që kanë përparuar kah komunitetet në pjesën juglindore të Ukrainës. Ne, po ashtu, kemi parë raporte për hedhjen e predhave nga separatistët në hapësirat e banuara në qytetin bregdetar ndërmjet kufirit dhe Mariupolit”.

“Ne kemi parë raporte për luftime të rënda dhe hedhje të predhave afër qytetit dhe aeroportit në Donjeck. Këto inkursione indikojnë se një kundërofensivë e drejtuar nga Rusia, me gjasë, është në zhvillim e sipër në Donjeck dhe Luhansk”.

Psaki ka shtuar se Rusia nuk ka vullnet për ta thënë të vërtetën.

“Ne, po ashtu, jemi të shqetësuar nga jogatishmëria e Qeverisë së Rusisë për ta thënë të vërtetën, madje edhe derisa ushtarët e saj janë gjetur në 30 milje brenda Ukrainës. Rusia po dërgon njerëzit e rinj në Ukrainë, por nuk u thotë atyre se ku po dërgohen ata ose nuk u thotë prindërve të tyre se çka po bëjnë ata”, tha Jen Psaki.

Presidenti francez, Francois Hollande, tha se do të ishte “e patolerueshme dhe e papranueshme” nëse trupat ruse po operojnë në territorin e Ukrainës. Sipas tij, “Rusia nuk mund të shpresojë që të jetë fuqi e shekullit XXI, duke mos i respektuar rregullat”.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat për dërgimin e ushtarëve në Ukrainë, duke pretenduar se trupat paraushtarake, që janë zënë nga forcat ukrainase gjatë ditëve të fundit, “pa qëllim” e kanë kaluar kufirin.

Në Varshavë, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i tha Parlamentit se “askush nuk mund t’i marrë seriozisht” pretendimet e Rusisë se nuk po i mbështet separatistët pro-rusë në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë i NATO-s, që para gazetarëve ka folur në kushte të anonimitetit, tha se mbështetja e Rusisë për separatistët “duket gjithnjë në rritje, e hapur dhe e qartë”.

Më herët, zëdhënësi i sigurisë së Ukrainës, Andriy Lysenko, ka pretenduar se tanket e Rusisë e kanë invaduar pjesën juglindore të Ukrainës, të maskuar si luftëtarë separatistë pro-rusë.

Por, zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se pretendimet për rritjen e aktiviteteve ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën “nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin”.

Më tutje, ai thekson se raportet për varrimet sekrete të ushtarëve rusë, të vrarë në luftimet në Ukrainë, do të duhej të “kontrolloheshin detajisht”, por nuk ai nuk mundi të konfirmojë se këto kontrolle kanë filluar.

Mediat e pavarura ruse kanë raportuar për funerale sekrete të dy ushtarëve në pjesën veriperëndimore të Rusisë. Pjesëmarrësit në varrime janë cituar duke thënë se njerëzit ishin vrarë në Ukrainë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha, po ashtu, se ka marrë raporte se ushtarët e plagosur rusë po mjekoheshin në një spital në Shën Petersburg dhe se ushtarët e vrarë rusë në Ukrainë, po ktheheshin për varrim në Rusi.

Më se dy mijë njerëz janë vrarë prej muajit prill në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në rajonet lindore Donjeck dhe Luhansk, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG