Ndërlidhjet

Putini nuk ndalet


Vladimir Putin
Vladimir Putin

I fuqishmi i Rusisë është duke injoruar protestat retorike të presidentetit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe është duke lëvizur edhe më brenda Ukrainës, shkruan gazeta Wall Street Journal.

Kremlini ka vendosur këtë javë trupa në qytetin bregdetar ukrainas Novoazovsk. Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se mbi 1,000 trupa ruse me armatim të rëndë u janë bashkuar separatistëve në luftën kundër ushtrisë së Ukrainës.

Qeveria e Kievit e quan këtë “pushtim”, ndërsa NATO-ja “inkursion”, por ky është një dallim pa ndryshim, shkruan WSJ. Gazeta kujton se Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë në muajin shkurt, duke aneksuar Krimenë. Prej atëherë, ajo ka përshkallëzuar ndërhyrjen ushtarake në mënyra të shumta, përfshirë forcat speciale dhe sulmet me artileri në pozicionet e Ukrainës.

Strategjia e Putinit në bregdetin jugor të Ukrainës është që të hapë një urë tokësore midis Rusisë dhe Krimesë. Qëllimi është të reduktohet izolimi i Krimesë, në mënyrë që trupat ushtarake ruse të mund të riforcohen nga toka, në vend se nga ajri, dhe që ekonomia e Gadishullit të afrohet më shumë me atë të Rusisë.

Sipas gazetës, përshkallëzimi hap edhe një front tjetër për ushtrinë e Ukrainës, e cila po bën përpjekje të rimarrë kontrollin e lindjes. Ushtria ka shënuar përparim kundër forcave separatiste që kanë pushtuar Donjeckun dhe Luhanskun dhe Putini e ka kuptuar se duhet të veprojë tani për të parandaluar zmbrapsjen e rebelëve. Forcat e Kievit tani duhet të luftojnë në një front të tretë kundër ushtarëve rusë.

Evropianët perëndimorë, të etur për zgjidhje të krizës, kanë shpresuar se takimi i së martës midis Putinit dhe homologut të tij ukrainas, Petro Poroshenko, do të prodhojë përparim.

Por, Poroshenko nuk mund t’ia dorëzojë territorin Rusisë pa tradhtuar vendin e tij dhe Putin nuk mund të shihet brenda Rusisë si braktisës i separatistëve. Pasi Poroshenko nuk është dorëzuar, Putin ka vendosaur të përmirësojë ndikimin e tij, duke vendosur më shumë ushtarë në terren.

Gazeta shkruan se avancimi i Rusisë është një poshtërim i veçantë për zonjën Merkel, e cila pak a shumë e ka ftuar Putinin që të përshkallëzojë situatën. Fundjavën e kaluar, ajo ka vizituar Kievin me një mesazh publik se duhet të ketë zgjidhje të negociuar dhe se Evropa nuk ka plane për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë. Ky ka qenë stimul i mjaftueshëm për Rusinë që të refuzojë çdo kompromis.

Merkel është supozuar të jetë një lidere e fortë, por ajo është treguar e butë në duart e Putinit, shkruan WSJ. Secilën herë që ajo është tërhequr nga sanksionet e fuqishme, rusët kanë avancuar.

Putin e di se ajo dhe liderët e tjerë evropianë do të bëjnë përpjekje për të shmangur sanskionet, në mënyrë që të mos dëmtojnë ekonomitë e tyre të dobëta. Rusia ka po ashtu probleme ekonomike, por Putini është një autokrat i gatshëm për të rrezikuar për atë që e konsideron si fitore afatgjate strategjike. Ndërkaq, evropianët perëndimorë nuk duan të rrezikojnë për asgjë.

Përshkallëzimi që ka bërë Putini është shuplakë edhe për Obamën. Refuzimi i tij për të ndihmuar Kiven qoftë me armë të vogla ka qenë po ashtu sinjal për Kremlinin se Shtetet e Bashkuara preferojnë të shohin në anën tjetër, shkruan gazeta Wall Street Journal.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG