Ndërlidhjet

logo-print

Republika e Kosovës do të shpaguajë të gjitha borxhet e vjetra të trashëguara nga koha e ish-Jugosllavisë, të cilat janë të dokumentuara me fakte të pamohueshme se ato mjete janë shfrytëzuar për ndërtimin e infrastrukturës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, në periudhën e para luftës.

Në të kundërtën, Qeveria e Kosovës nuk do të marrë asnjë obligim ndaj pretenduesve eventualë, thonë zyrtarë qeveritarë.

Ndryshe, kjo çështje, si e tillë, është përfshirë edhe në Pakon e Martti Ahtisaarit, ku thuhet se, Kosova do të marrë përsipër pjesën e vet të borxhit të jashtëm të Republikës së Serbisë.

Pjesa e Kosovës do të përcaktohet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh parimet vijuese, në marrëveshje me kreditorët relevantë: borxhi i caktuar i jashtëm do të jetë detyrim i Kosovës kur përfituesi përfundimtar është i vendosur në Kosovë.

Sidoqoftë, shifrat zyrtare se sa është borxhi, ende mungojnë, përderisa Ministria e Financave posedon vetëm vlerën, të cilën tashmë është duke paguar, kurse ekspertë për çështje financiare konsiderojnë se borxhi duhet të jetë rreth 750 milionë dollarë.

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i ministrit në largim Besim Beqaj, për Radion Evropa e Lirë, tregon se tashmë janë duke shpaguar borxhin në vlerë prej 381.2 milionë euro, ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që është pjesë e Bankës Botërore.

Për borxhe ndaj institucioneve tjera ndërkombëtare, nuk mund të paragjykojmë, sepse nuk kemi një bilanc përfundimtar. Po theksoj se nga ky borxh ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, deri më tash përmes Klubit të Parisit dhe përkrahëseve të tjerë të Kosovës, janë paguar 183.2 milionë euro dhe shuma e mbetur deri në vitin 2031 është 198 milionë euro”, thotë Baxhaku.

Borxhe të tjera ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka, dhe nuk janë dëshmuar, pavarësisht disa pretendueseve eventualë se Kosova ka borxh ndaj tyre. Lidhur me këtë Baxhaku shpjegon më shumë:

“Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit të Kosovës në Japoni, është hapur çështja se gjoja Kosova i ka borxh Japonisë. Përgjigjja parimore ka qenë që ne do t’i pranojmë të gjitha borxhet për mjetet që janë investuar drejtpërdrejt në Kosovë dhe jo për borxhet që eventualisht janë marrë në emër të Kosovës, e janë shpenzuar diku jashtë”.

Në anën tjetër, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova ka marrë përsipër borxhin për mjetet, të cilat janë shfrytëzuar në Kosovë. Sipas informacioneve të Klubit të Parisit dhe të Londrës, Shatri thotë se borxhi i huazuar nga institucionet ndërkombëtare llogaritet të jetë 750 milionë dollarë.

“Të dhënat janë të ditura dhe të sakta dhe nuk mund të ndryshohen jashtëligjshëm përveç me vullnet të kreditorit, nëse banka na lehtëson apo na zbret ndonjë kamatë apo diçka tjetër. Përafërsisht, rreth 750 milionë dollarë me ndonjë ndryshim të vogël, konsiderohet borxh”.

Aq kemi pasur informacione nga Klubi i Parisit dhe Londrës që kanë qenë borxhet e ekonomisë së Kosovës që janë marrë në periudhën deri në suspendim të autonomisë, e që vërtet janë investuar në Kosovë”, deklaron Shatri.

Sidoqoftë, edhe në Pakon e Ahtisarit, thuhet se nëse brenda gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj zgjidhjeje, Kosova dhe Serbisë nuk janë pajtuar për barazimin dhe ndarjen e borxheve, Grupi drejtues ndërkombëtar, pas konsultimit me palët, do të emërojë një arbitër ndërkombëtar për ndarjen e borxhit të jashtëm të Republikës së Serbisë në mes të Serbisë dhe Kosovës, ose atë pjesë të borxhit të jashtëm, për të cilin nuk është arritur ujdi nga palët, në marrëveshje me kreditorët relevantë.

Mirëpo, meqenëse pala serbe nuk e ka pranuar planin, atëherë nuk ka ardhur deri te ky përcaktim, thotë Gëzim Baxhaku, dhe nuk janë hapur bisedat lidhur me borxhin eventual që i ka Kosova Serbisë, dhe kërkesave të Prishtinës ndaj Serbisë, sa i përket dëmeve të luftës, rrënimeve shumë të mëdha, që sipas vlerësimeve të ekspertëve sillen mbi 10 miliardë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG