Ndërlidhjet

Maqedoni: Diplomatë me shumë skandale


Flamuri i Maqedonisë

Flamuri i Maqedonisë

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoni, duke komentuar skandalet e shumta, të cilat janë të lidhura me diplomacinë maqedonase, si rrahja fizike e ambasadorëve në Vjenë dhe në Hagë, aksidentet e trafikut për shkak të teprimit me alkool, bërja biznes duke qenë i emëruar ambasador etj, vlerësojnë se kjo sjellje dëmton shumë imazhin Maqedonisë si shtet në arenën ndërkombëtare.

“Ambienti institucional në Maqedoni është krejtësisht i partizuar dhe ky partizim asnjëherë nuk shkon baras me profesionalizmin. Kështu që interesat e ngushta partiake dhe njëherësh dëshirat e përkrahësve të strukturave politike janë ato që determinojnë në aspektin politik vendimet në çdo nivel, duke përfshirë këtu dhe vendimet që merren në diplomaci".

"Pra, rënia e standardeve edhe në diplomaci, është si rrjedhojë e asaj që ndodh në të gjitha sferat tjera, andaj dhe personeli diplomatik që dërgohet në strukturat e përfaqësive diplomatike është shumë larg profesionalizmit elementar”, vlerëson Mersel Bilalli, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Bllagija Zashov, ish-diplomat, thekson se Maqedonia, edhe pse ballafaqohej me situata të vështira gjatë pavarësisë së saj dhe vendosjes së raporteve diplomatike me shumë vende të botës në fillim të viteve ‘90, atë kohë përfaqësuesit diplomatikë ia dilnin ta përfaqësojnë me dinjitet shtetin, pa u shënuar as edhe në një incident diplomatik për një arsye të vetme - ambasadorët ishin personalitete që kishin një karrierë të pjekur diplomatike.

“Diplomacia paraqet një mjeshtëri më vete, shkathtësitë e të cilit profesion duhet mësuar nga niveli më i ulët në përfaqësitë diplomatike deri te të ushtruarit e detyrës ambasador. Dhe, nëse ndonjë i ri emërohet ambasador pa bërë karrierë diplomatike, është më se e qartë se në raste të caktuara ai nuk do të jetë në gjendje t`u përgjigjet sfidave diplomatike, që kërkohen nga ai”, konsideron Zashov.

Nga ana tjetër, Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, vlerëson se diplomacia në Maqedoni, viteve të fundit përdoret si një formë për shpërblimin e atyre që kanë kryer shërbime për partinë, e cila është në pushtet.

“Për momentin, Maqedonia disponon me një numër tepër të madh të kuadrit diplomatik që nuk është në përputhje me numrin e popullsisë së shtetit. Shumica e këtyre njerëzve janë pranuar përmes rrjedhave të ndryshme partiake, si kundërshpërblim për atë që kanë bërë për partinë, e cila ka arritur të sigurojë pushtetin dhe ajo që është më e keqja, ky numër enorm i diplomatëve të cilët janë evidentuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka bërë që të mbyllet rrethi për involvimin e emrave, të cilët kanë karrierë të pasur diplomatike”, thotë Ruzhin.

Ndryshe, një sërë diplomatësh me karrierë janë tërhequr nga pozita e ambasadorit. Rastet e fundit kanë të bëjnë me largimin e diplomatëve nga vendet me rëndësi të madhe strategjike për Maqedoninë, si Gjermania dhe Rusia.

Një muaj më parë, diplomati Nenad Kolev hoqi dorë nga posti i ambasadorit në Berlin, duke përmendur arsye personale.

Nikola Dimitrov, i cili ishte ambasador në Shtetet e Bashkuara, u transferua në ambasadën në Rusi që, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ky veprim llogaritet si gabimi më i madh diplomatik që një shtet mund të bëjë edhe atë të dërgojë diplomatin e njëjtë në Moskë, pas mandatit të tij në Uashington.

Kohët e fundit, disa media kanë raportuar se Zyra e Auditimit të Shtetit ka hasur parregullsi në llogaritë e Ambasadës së Maqedonisë në Katar, edhe atë në vlerë prej 50 mijë dollarësh.

XS
SM
MD
LG