Ndërlidhjet

Barroso: Situata në Ukrainë, drejt një pike pa kthim


Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko (mes) me presidenti ne KE-së Jose Manuel Barroso (majtas) dhe presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy (djathtas)
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko (mes) me presidenti ne KE-së Jose Manuel Barroso (majtas) dhe presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy (djathtas)

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka thënë se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë “masa të fuqishme” kundër Rusisë për shkak të krizës në Ukrainë.

Një një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, të shtunën në Bruksel, Barroso ka thënë se do t’iu propozojë shteteve anëtare një gamë të gjerë të opsioneve.

“Sa u përket masave shtrënguese ose sanksioneve, ky është një vendim për shtetet anëtare. Ajo çfarë mund t’ju them tani, në emër të Komisionit Evropian, është se ne tashmë kemi përgatitur disa opsione. Pra, ne e kemi kryer punën tonë nëse shtetet anëtare vendosin të lëvizjen tutje”, ka thënë Barroso.

Ai ka shtuar Bashkimi Evropian i mban dyert hapur për zgjidhje politike dhe se çdo ashpërsim i sanksioneve nuk ka për qëllim të përshkallëzojë krizën, por të shtyjë Moskën drejt negociatave.

“Sanksionet ose masat shtrënguese janë vetëm mënyra, mjete ose instrumente që t’i tregojnë udhëheqjes ruse se situata aktuale nuk është e pranueshme. Ne i inkurajojmë ata që t’i thërrasin arsyes dhe të punojnë në mënyrë konstruktive”, ka theksuar Barroso.

Kreu i Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja nuk do një Luftë të re të Ftohtë, duke shtuar se një skenar i tillë do të ishte i dëmshëm për Evropën.

Ai ka thënë se kriza në Ukrainë është shumë serioze dhe se situata po shkon drejt “një pike pa kthim”.

Poroshenko, duke dënuar ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, ka thënë se në vendin e tij tashmë ndodhen mijëra trupa të huaja.

“Për fat të keq, kjo vizitë vjen në rrethana jashtëzakonisht të vështira për vendin tim, përkundër përpjekjeve të konsoliduara ndërkombëtare. Ukraina është tani subjekt i agresionit dhe terrorit të huaj ushtarak”, ka thënë Poroshenko.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, duke folur pas takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së në Millano, ka shprehur “shqetësim të thellë për agresionin e fundit kundër Ukrainës nga forcat e rregullta ushtarake të Rusisë”.

Ashton ka bërë thirrje për “zgjidhje të qëndrueshme politike, që respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Udhëheqësit e BE-së takohen sot në Bruksel dhe pritet të pajtohen për sanksione më të fuqishme kundër Rusisë, pasi NATO-ja ka akuzuar Moskën për dërgimin e 1,000 trupave në Ukrainë, për të luftuar në mbështetje të forcave separatiste.(v.tela)

XS
SM
MD
LG