Ndërlidhjet

BE: Tusk president, Mogherini shefe e politikës së jashtme

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka shkruar në Twitter se liderët e BE-së kanë zgjedhur kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, për pasardhës të tij dhe ministren e Jashtme të Italisë, Frederica Mogherini, në postin e shefes së politikës së jashtme të BE-së.

Zgjedhja e tyre është bërë në takimin e krerëve të shteteve anëtare në Bruksel.

Tusk, 57 vjeç, politikan i qendrës së djathtë, ka qenë kryeministër i Polonisë dy mandate. Ai do të kryesojë samitet e Bashkimit Evropian.

Para se të emërohej ministre e Jashtme e Italisë në muajin shkurt, Mogherini, 41 vjeçe, ka qenë anëtare e parlamentit italian qysh nga viti 2008.

Si politikane e qendrës së djathtë ajo do të zëvendësojë baroneshën Catherine Ashton nga Mbretëria e Bashkuar.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka folur ngrohtësisht për zonjën Mogherini, derisa ka arritur në samitin e së shtunës, duke e quajtur veten “tifoz” të saj. Sipas mediave të ndryshme, ky ka qenë një indikacion i fuqishëm se ajo do të jetë zgjedhja.

Edhe kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka punuar fuqishëm që Mogherini të marrë detyrën.

Megjithatë, muajin e kaluar, BE-ja ka dështuar të arrijë koncesion për kanidaturën e saj, pasi shtetet baltike dhe Polonia e kanë parë si të papërvojë dhe shumë të butë ndaj Rusisë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG