Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza politike, mungesë e alternativave të partive


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Me bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës maqedonase dhe incidentin e fundit ndërmjet deputetëve shqiptarë, kriza politike në Maqedoni ka marrë përmasa shqetësuese, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Sipas tyre, konflikti mes partive shqiptare nuk është pasojë e zënkave për programe partiake, apo për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, por për interesa personale dhe partiake, pasi ato deri tani nuk kanë bërë asgjë në drejtim të zgjidhjes së problemeve, me të cilat përballet shoqëria shqiptare.

Imagjinoni, në dhjetë vitet e fundit politika e tyre udhëhiqet vetëm për atë se kush është ‘udbash’, kush është tradhtar e kush çfarë bën. Unë mendoj se këtu qëndron problemi, te rrugaçëria e tyre politike. Klima politike është zëvendësuar me urrejtje dhe ofendime. Nuk bëhet politikë, nuk debatohet për program, por për ofendime e tani edhe rrahje”.

“Unë mendoj se duhet të ndërmerren masa pak më të ashpra pasi Kuvendi mund edhe t'ua marrë mandatin, pasi pasojat e gjithë kësaj janë shumë të rënda. Pamjet e tilla të dhunës i kanë parë fëmijët, rinia dhe gratë se si ata, të cilët i kemi zgjedhur, rrahen në Kuvend“, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

Disa ditë pas incidentit, BDI-ja doli me propozimin për pajtimin e deputetëve dhe zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, por nga PDSH-ja, u përgjigjën duke thënë se nisma e tillë ka për qëllim përmirësimin e imazhit të partisë në pushtet, të cilën e fajëson për provokime në Kuvend që rezultuan me rrahje mes deputetëve.

Ismet Ramadani, ish-deputet, thotë se në rastin e partive shqiptare nevojitet ndërhyrje e shpejtë nga të gjithë faktorët e rëndësishëm për pajtimin e palëve dhe çështja të mos u lihet komisioneve të ndryshme parlamentare, pasi përvoja tregon se komisionet e tilla asnjëherë nuk kanë pasur epilog.

“Meqë bëhet fjalë për zënkë ndërshqiptare, mendoj se duhet shpejt të reagohet dhe të bëhet një pajtim i shpejtë ndërmjet përfaqësuesve të dy partive politike që kanë marrë pjesë në këtë rrahje. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se në Kuvend nuk janë për interesat e tyre, por përfaqësojnë shqiptarët. Ky incident duhet të jetë mësim edhe për të tjerët se zënkat, fjalorin e pakontrolluar dhe ofendues, shqiptarët nuk do ta pranojnë asnjëherë“, thotë Ramadani.

Vlladimir Misev nga Instituti për Demokraci, thotë se rasti i fundit mes partive shqiptare ka thelluar edhe më shumë krizën në vend. Ai kërkon dialog të mirëfilltë mes partive dhe jo ultimatume.

“Bëhet fjalë për thellimin e krizës politike, e cila edhe ashtu ka ekzistuar në vend. Vetë fakti se partia më e madhe opozitare nuk është në Kuvend, tregon qartë për gjendjen politike, në të cilën ndodhemi dhe nëse tani asaj i bashkohet edhe partia tjetër opozitare, Partia Demokratike Shqiptare, kriza do të jetë edhe më e rëndë”.

“Besoj se partitë do të arrijnë të kapërcejnë dallimet pasi pasojat do të jenë të mëdha. Deri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme, vlerësoj se Kuvendi nuk duhet të miratojë ligje të rëndësishme, përfshirë edhe nismën e fundit për ndryshime kushtetuese“, konsideron Misev.

Kriza politike në Maqedoni ishte pjesë edhe e konkluzioneve të Samitit të Berlinit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në konkluzionet e miratuara nga pushteti kërkohet të mundësojë kushte për përfshirjen e opozitës në proceset politike.

Opozita maqedonase kthimin e saj në Kuvend e kushtëzon me formimin e qeverisë teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesa këto që kundërshtohen nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE.

XS
SM
MD
LG