Ndërlidhjet

Putin kërkon bisedime për shtetësinë e lindjes së Ukrainës


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës duhet të trajtojnë “shtetësinë e rajonit”.

“Duhet të fillojmë menjëherë bisedime thelbësore për çështjen e organizimit politik të shoqërisë dhe për shtetësinë e pjesës juglindore të Ukrainës, me qëllim të mbrojtjes së interesave të ligjshëm të njerëzve që jetojnë atje”, ka thënë Putin për Kanalin 1 të Rusisë.

Ai po ashtu ka thënë se Moska nuk mund të qëndrojë mënjanë “kur njerëzit në Ukrainë qëllohen”.

“Këtu nuk flas për autoritetet e Rusisë – mendoj për Rusinë si shtet, për popullin rus. Reagimi i tillë është i pashmangshëm, shumë kanë të afërm dhe miq atje dhe çdo gjë është aq e ndërlidhur, saqë Perëndimi apo vendet e tjera, që planifikojnë diçka, duhet të mendojnë së paku një hap përpara për pasojat e veprimeve të tyre”, ka thënë Putin.

Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, ka thënë më pas se presidenti nuk ka parashikuar sovranitet për dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Peskov ka thënë se rajoni duhet të mbetet pjesë e Ukrainës.

Perëndimi akuzon Rusinë për mbështetje të separatistëve pro-rusë, të cilët luftojnë forcat qeveritare të Ukrainës.

NATO llogarit se së paku 1,000 ushtarë rusë ndodhen brenda territorit ukrainas. Moska i hedh poshtë akuzat.

Javën e kaluar, Ukraina ka thënë se ka kapur dhjetë paratrupa ruse dhe i ka prezantuar ata para mediave si dëshmi se ushtria ruse është duke luftuar përkrah rebelëve pro-rusë në Ukrainë.

Rusia, megjithatë, ka thënë se paratrupat e kanë kaluar ilegalisht kufirin derisa kanë qenë duke patrulluar.

Andriy Lysenko, zëdhënës i Këshillit për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare të Ukrainës, ka thënë se Kievi ka dorëzuar të dielën nëntë paratrupa te Rusia, në këmbim të 63 ushtarëve ukrainas, të cilët kanë kaluar në Rusi javën e kalaur.

Bashkimi Evropian ka kërcënuar Rusinë me sanksione të reja tregtare nëse Moska nuk ndalon aksionet e saj në Ukrainë.

Megjithatë, nuk është bërë e qartë se kur mund të ndërmerren këto sanksione.

Rusia është partneri i tretë tregtar i BE-së dhe një nga furnizuesit më të mëdhenj të saj me naftë dhe me gaz.

Luftimet midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë marrë së paku 2,600 jetë njerëzish, kanë konfirmuar Kombet e Bashkuara. (v.tela)

XS
SM
MD
LG