Ndërlidhjet

WP: Propaganda e Putinit mban rusët në errësirë për Ukrainën


Ilustrim
Ilustrim

Presidenti rus Vladimir Putin, pakënaqësia e hidhur e të cilit për shkatërrimin e perandorisë sovjetike, është shndërruar si metastazë në nacionalizmin rus, e ka margjinalizuar kundërshtimin politik, i ka heshtur disidentët dhe i ka frikësuar zërat e pavarur në shoqërinë civile, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post.

Duke e vazhduar zgjerimin e luftës në Ukrainë, ai po ashtu, e ka ripërtrirë edhe tiraninë e Gënjeshtrës së Madhe, duke i shfrytëzuar mediat e kontrolluara nga shteti për ta anashkaluar të vërtetën, në mënyrë aq groteske, sa që shumica e rusëve janë në errësirë – ose thellësisht të keqinformuar – për zhvillimet në fqinjin e tyre në perëndim.

Shumica e rusëve i marrin lajmet e tyre nga organizatat e kontrolluara nga shteti, që kanë lëvizur përtej propagandës së thjeshtë në teori të çuditshme të konspiracionit dhe shovinizëm të çmendur, shkruan Washington Post.

Rrëzimi i aeroplanit të Malajzisë në muajin korrik, mbi territorin e kontrolluar nga milicitë e sponzorizuara ruse në Ukrainë, ishte shndërruar nga mediat e Kremlinit në provokim të orkestruar nga perëndimi.

Me pak pikëpamje kundërshtuese në mediat kryesore, shumë rusë besojnë në këto mashtrime ose nuk kanë ide se në çka të besojnë.

Në mbështetje të këtyre milicive të sponzorizuara ruse, në pjesën lindore të Ukrainës, tash të mbështetura nga një numër në ritje i trupave ruse dhe armatimit, Moska ka krijuar një fantazi, e cila mbështetet në viktimizimin rus.

Nga ky këndvështrim, forcat që po e mbështesin qeverinë e Ukrainës në Kiev janë fashistë dhe neo-Nazistë, një portretizim që zoti Putin, personalisht e kishte avancuar të premten, kur përpjekjet e ushtrisë ukrainase për rimarrjen e territorit të vet i krahasoi me okupimin nazist të Leningradit në Luftën e Dytë Botërore, që është një apel që ka për qëllim t’i iritojë rusët, të cilët tashmë janë të tejnxehur me emocione nacionaliste.

Në mungesë të mediave të pavarura dhe raportimit të lirë, pak rusë e kanë kuptuar se ushtarët e Rusisë dhe armatimet, janë në aksion në pjesën lindore të Ukrainës, megjithqë, sikur në Krime, në uniforma dhe makina i kanë larguar shenjat e identifikimit dhe targat.

Pa media të lira, rusët janë lënë të qëndrojnë të pashpresë kundër stuhisë së gënjeshtrave, shkruan Washington Post.

Vetëm pak rrjedhje të informimit real kanë depërtuar në breshërinë e gënjeshtrave të zotit Putin.

Në Washington Post të premten, reporteri Karoun Demirjian, e ka përshkruar traumën e nënave ruse, djemtë ushtarë të të cilave ishin zënë javën e kaluar në Ukrainë, të mos kenë ditur fare se atje ishin vendosur trupat ruse.

Nënat, duke kërkuar shpjegime, ishin ndeshur me bllokadë dhe indiferencë nga autoritetet ruse.

Duke i ditur hulumtimet e opinionit, që sugjerojnë se rusët nuk e mbështesin intervenimin e armatosur në Ukrainë, zoti Putin pretendon se forcat ruse nuk janë të involvuara.

Por, duke e udhëhequr opinionin publik vendës në entuziazëm nëpërmjet mediave të kontrolluara nga shteti, ai mund t’i përgatisë rusët për intervenim më të gjërë dhe të hapur, shkruan Washington Post.

Kundër instrumenteve të propagandës së gjërë, që i ka regjimi autoritar i zotit Putin, perëndimi mund të promovojë verizon korrekt dhe faktik të zhvillimeve, por pak mund të bëhet që rusët e zakonshëm të besojnë në të. Megjithqë, një vend me qasje relativisht të pakufizuaar në Internet, fuqia monopoliste e mediave të kontrolluara nga shteti, paraqein armë të fuqishme në duart e tiranit.

Gënjeshtra e Madhe e zotit Putin tregon se përse është e rëndësishme për t’i mbështetur mediat e lira, siç është Radio Evropa e Lirë, e cila e sjell të vërtetën te njerëzit, të cilëve iu duhet ajo, shkruan në fund të editorialit e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Famir Bujupi

XS
SM
MD
LG