Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 408 mijë nxënës kanë nisur të hënën mësimin fillor dhe të mesëm, prej tyre 27 mijë janë regjistruar në klasën e parë.

Gjatë një vizite të Radios Evropa e Lirë në disa shkolla në Prishtinë, nxënësit dhe prindërit e tyre më së shumti kanë ngritur shqetësimin e mungesës së infrastrukturës në objektet arsimore.

Sipas tyre, një mungesë e tillë ndikon në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe cilësisë e arsimit.

Olta Dërmaku nxënëse e klasës se nëntë në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë thotë se infrastruktura ka nevojë për përmirësime, por përmend edhe mungesën e kabineteve për lëndë të caktuara.

“Jemi të gëzuar se ka filluar shkolla pasi është viti i fundit i arsimit fillore. Por, megjithatë dëshiroj të ndërrojnë shumë gjëra. Në rend të parë të rregullohet oborri i shkollës, mbeturinat të largohen nga hapësira e shkollës. Pastaj, brenda në objektin shkollor të ketë kabinete për secilën lënë dhe klasat të jenë më të rregulluara”.

Kurse shoqja e Oltës, Lirika Grajçevci, po ashtu nxënëse e klasës se nëntë, dëshiron që raportet nxënës -arsimtar të jenë më të lira dhe të investohet në sallën e Edukatës Fizike.

“Edhe arsimtarët duhet të ndërrojnë edhe mënyrën e shpjegimit. Edhe të tregohen pak më të “butë” dhe të kuptueshëm për shkak të moshës se adoleshencës, se ne jemi të vetëdijshëm se nga njëherë e teprojmë ...Por, edhe salla e Edukatës Fizike, ka shumë nevojë për renovime”.

Ardiana Rrahmani është nënë e dy fëmijëve në Shkollën Fillore “Faik Konica “ në Prishtinë.

Në oborrin e kësaj shkolle, ku edhe e kishte sjellë vajzën, ajo kërkon vendosjen e inventarit për libra, në mënyrë që fëmijët mos të bartin numër të madh të teksteve në çantat e tyre.

“Të kenë një orar më të përshtatshëm të mësimeve. Jo të kenë dy tri libra për një lëndë, por vetëm një mjafton. Shkaku i peshës se rëndë të çantës, edhe pse vajza është në klasën e tetë, jemi të detyruar t'i sjellim më veturë apo autobus”, tha Rrahmani.

Sektori i edukimit parauniversitar përfshin më tepër se 1,200 objekte arsimore. Që nga viti 1999, shumica e objekteve kanë qenë të dëmtuara nga lufta e fundit në Kosovë, kurse një pjesë nga vjetërsia.

Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vazhdimisht kanë pohuar se në kuadër të politikave dhe strategjive të Qeverisë, përmirësimi i infrastrukturës shkollore mbetet qëllim parësor.

Drejtori i Departamentit të Administratës së Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, thotë se përmirësimi dhe krijimi i hapësirave të reja shkollore dhe ngritjes se cilësisë se arsimit është synim parësor.

Ai thotë se nga përfundimi i luftës janë ndërtuar 142 objekte të reja shkollore, 55 janë rinovuar, kurse janë duke vazhduar punimet në ndërtimin e 22 objekteve shkollore.

Ndërsa 26 shkolla janë të pajisura më inventar dhe kabinete, thotë Istogu.

“Një nga elementet kyçe që shkon në rritjen e cilësisë se procesit edukativo- mësimor është edhe krijimi i kushteve. Përveç infrastrukturës është edhe krijimi i kabineteve mësimore. Një përkushtim më i madh në këtë drejtim është drejtuar në shkollat profesionale dhe te Qendrat e Kompetencës. Mirëpo, ne jemi edhe në fazën e ndryshimit të reformimit të sistemit të arsimit", shprehet ai.

Pavarësisht ndërtimit dhe renovimit të disa prej tyre nga autoritetet kompetente në Kosovë dhe donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë, infrastruktura shkollore mbetet ende problem dhe sfidë për Ministrinë e Arsimit, thonë përfaqësues të sindikatës dhe ekspertë të arsimit.

Pasi sipas tyre ende mungojnë kabinetet dhe laborator përkatës, e rrjedhimisht po ndikojnë edhe në cilësinë e arsimit.

Rrahman Jasharaj kryetar i Sindikatës se Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, për Radion Evropa e Lirë, pranon se ka pasur ndërtime dhe rindërtime të objekteve shkollore, por megjithatë sipas tij, këto objekte kanë nevojë që të pajisen me mjete teknologjike

“E kam fjalën të aspekti teknologjik, sepse në shumicën e shkollave, një pjesë dërmuese e mësimdhënësve janë trajnuar për të punuar me kompjuter. Sipas raporteve tona, në shumicën e shkollave mungojnë kabinetet e informatikës dhe kjo pamundëson punën e mësimdhënësve më metodat e reja bashkëkohore”, tha Jasharaj.

Në anën tjetër eksperti për çështje të arsimit Halim Hyseni, i cili udhëheq Qendrën për avancimin e përformancës së sistemit të arsimit, për Radion Evropa e Lirë thotë se në mungesë të kabineteve dhe laboratorëve në hapësirat shkollore, nxënësit mësojnë në mënyrë deklarative dhe jo praktike.

“Kemi një diskrepancë jashtëzakonisht të madhe në mes dijeve teorike dhe atyre praktike, në dëm të dijeve praktike. Mbi 95 për qind çfarë nxënësit tanë mësojnë sot janë dije deklarative, do të thotë, memorizuese, të cilat nuk e kanë vlerën e duhur dhe nuk i ndihmojnë nxënësit që ata të mund të konkurrojnë në tregun e punës në Kosovë, po as atë ndërkombëtar . Do të thotë janë në kundërshtim më parimet themelore të globalizimit dhe kohës post-moderne”, shprehet Hyseni.

Sidoqoftë, fusha e arsimit në Kosovë, vazhdon të jetë çështje debatesh, posaçërisht në rrafshin e cilësisë.

Reformat në mësimdhënie, mungesa e literaturës, klasët e stërngarkuara janë vetëm disa nga problemet tjera që shoqërojnë mungesën e infrastrukturës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG