Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet çështja kyçe për tejkalimin e nyjës politike për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Aktgjykimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese me të cilin ishte shpallur jo kushtetues zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryekuvendarit në seancën e mbajtur në prani të 83 deputete të Kuvendit, nuk e ka zgjidhur përfundimisht këtë çështje.

Duke u thirrur në aktgjykimin e Kushtetueses, Partia Demokratike e Kosovës beson se vetëm asaj i takon e drejta e kandidimit për postin e kryetarit të Kuvendit.

Ndonëse në analiza e parashikime është vlerësuar se PDK nuk i ka numrat e mjaftueshëm që të zgjedh kryetarin e Kuvendit, ish-shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Adem Grabovci shprehet më se i bindur se kryekuvendari do të zgjidhet në bazë të kandidaturës së PDK-së.

"Gjykata e ka dhënë vendimin e vet dhe ky vendim është i pakontestueshëm dhe obligativ për të gjithë pavarësisht se i pëlqej dikujt apo jo. ne kemi besim tek deputetët dhe subjektet politike që do të veprojnë në përputhje me këtë vendim dhe mbi të gjithat në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, ngase edhe ashtu ne kemi humbur shumë kohë, duke dëmtuar institucionet, shtetin tonë", ka thënë Grabovci për Radion Evropa e Lirë.

Përveç PDK-së, e cila në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ka fituar të drejtën të nominojë kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, pretendime për këtë post ka edhe koalicioni i partive, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Ky bllok i treshes, pretendon se i ka numrat e mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Kurse rastin për nominim e sheh tek pritjet që PDK të dështojë fillimisht me kandidaturën e saj.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i nominuar nga ky koalicion edhe për postin e kryeministrit, thotë se kandidati i bllokut sërish do të jetë Isa Mustafa.

"Sipas nesh, e dështimin e zgjedhjes së kryetarit nga partia që e ka marrë të drejtën ose që i është atribuuar kjo e drejtë nga Gjykata Kushtetuese, kjo e drejtë i kalon parlamentit dhe se deputetët e parlamentit. Ne e kemi këtë mënyrë të gjetur dhe e kemi kandidatin,kryetarin Isa Mustafa dhe i kemi votat", ka deklaruar Haradinaj në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.

Një rol të caktuar në zgjedhjen e kryetarit pritet të luajnë edhe Vetëvendosje që përfaqësohet me 16 deputetë në Kuvend, si dhe partitë e komuniteteve pakicë, që së bashku kanë 20 ulëse.

Përderisa Vetëvendosje e ka përjashtuar çdo mundësi që të votojë kandidaturën e PDK-së, pakicat janë deklaruar se do të votojnë për atë parti apo koalicion politik që arrin të sigurojë shumicën parlamentare për formimin e institucioneve dhe qeverisë së re.

Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj pret që para seancës konstituive, të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet koalicionit LDK, AAK dhe Nisma me Vetëvendosjen.

Pa këtë marrëveshje, Vetëvendosje do të përcaktohej për opozitë, ka thënë ai.

"Nuk mendoj se problemi është te procedurat tash për tash. Mendoj se mungon marrëveshja politike mes bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosjes e cila do ta qartësonte edhe opinionin por edhe PDK-në që shumica e Parlamentit të Kosovës, e cila në këtë rast është shqiptare, janë përcaktuar se nuk do të ketë takime e negociata me PDK-në dhe rrjedhimisht PDK-ja duhet ta vlerësojë dhe respektojë një vendim të tillë të shumicës së konsoliduar me anë të marrëveshjes (blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje", ka thënë Molliqaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pati filluar me 17 korrik.

Në atë seancë ishin përmbyllur dy pika, ajo e konfirmimit të mandateve dhe betimi i deputeteve. Kurse pika për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit nuk ishte përmbyllur, pavarësisht që edhe pas një ndërprerje të seancës nga kryesuesja, deputetja Flora Brovina, 83 deputetë ishin kthyer në sallë duke e zgjedhur Isa Mustafën, pa votat dhe praninë e PDK-së, në postin e kryetarit të Kuvendit.

Por, me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila trajtoi këtë rast mbi bazën e kërkesës së PDK-së, çështja është rikthyer në Kuvend, duke kërkuar që nominimi i kryetarit të Kuvendit të vij nga Grupi më i madh parlamentar.

Zgjidhja e nyjës së kryetarit të Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të organeve të reja, përfshirë edhe qeverisë së re të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG