Ndërlidhjet

logo-print

Urdhër arrestet e EULEX-it, “acarojnë” veriun


Veri...

Veri...

EULEX ka bërë të ditur se ka shpallur urdhër arrestet për Stevan Vuloviqin, kryetarin aktual të komunës së Zubin Potokut, si dhe për Slavisa Ristiqin, një prej liderëve të serbëve të veriut.

Zëdhënësi i misionit EULEX, Miguel Carvalho de Faria, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se prokurori u kishte dërguar ftesat, të dy personave të cekur, për intervistë dhe ato nuk ishin përfillur.

Më pas, sipas tij, prokurori ka lëshuar një vendim për arrestimin në mënyrë që të kryhet intervistimi i tyre.

"Është më rëndësi të theksohet se këto urdhër arreste janë një praktikë normale kur i dyshuari (të dyshuarit) ftohen në intervistë dhe kjo dështon të realizohet", ka thënë de Faria.

Por, shpallja e urdhër arresteve për Vuloviqin dhe Ristiqin ka nxitur reagimin e serbëve në veriun e Kosovës, duke i konsideruar ato vazhdimësi e presionit ndaj tyre.

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ka marrë 9 mandate në Kuvendin e Kosovës, vlerëson se raportet ndërmjet serbëve të veriut dhe EULEX-it nuk kanë qenë asnjë herë në nivel të lakmueshëm, por, sipas tij, të dy palët kanë qenë të kushtëzuara që të bashkëpunojnë.

Zhvillimet e fundit, thotë Jablanoviq, i kanë tensionuar këto raporte edhe më shumë.

“Në këta muajt e fundit, disa aksione të EULEX-it, sipas mendimit tim personal, tejkalojnë nevojën e masës së përdorimit të dhunës. Thjeshtë, për disa raste, ku fare nuk është i nevojshëm pompoziteti gjatë arrestimit ose burgosjes, po bëhet një fushatë e tërë mediale ndaj disa individëve".

"Njerëz të caktuar janë arrestuar nga EULEX-i dhe gjenden në paraburgim tash e më shumë se 7 muaj, ndërkaq vetëm pas 7 muajsh ka nisur diskutimi i parë në gjykatë. Për ne është e papranueshme që njerëzit të mbahen për kohë të gjatë në paraburgim dhe opinionit të mos i sqarohet se për çka akuzohen konkretisht”, tha Jabllanoviq.

Marko Jakshiq, lider serb nga veriu i Kosovës, i cili i takon bllokut kundërshtues të integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se shpallja publike e urdhër arresteve për Vuloviqin dhe Ristiqin, nuk është diçka e re për serbët në veri.

Sipas tij, misioni EULEX po bën padrejtësi ndaj serbëve dhe se raportet ndërmjet tyre, siç thotë ai, janë të pariparueshme.

“Unë mendoj atë që e mendojnë të gjithë serbët në veri. Kjo nënkupton se EULEX-i ka vendosur që në mënyrën e vet të lajë llogaritë me serbët dhe që udhëheqësit e tyre t’i arrestojë ose t’i përzë nga Kosova. Në këtë mënyrë mund ta rrumbullakojë më lehtë shtetin e shqiptarëve edhe në veri të Kosovës. Kjo është më se e dukshme dhe e qartë”, theksoi Jakshiq.

Por, megjithatë, Jablanoviq mendon ndryshe. Sipas tij, askush nuk duhet të ndikojë punën e EULEX-it dhe gjyqësorit, por, siç thotë ai, edhe EULEX-i duhet të jetë i vetëdijshëm për situatën në veri.

“Nuk është në kompetencën tonë që të përzihemi në punën e prokurorisë dhe në punën e EULEX-i. Por, në anën tjetër, për shkak të situatës së ndjeshme në terren në veri të Kosovës - ku është fakt se për 15 vjet nuk ka ekzistuar sundimi i ligjit dhe të drejtës, në masën që të garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut – mendoj se në këtë moment është më së miri që EULEX-i të pres me aksionet e veta, derisa të vendoset sistemi i shëndoshë i drejtësisë në hapësirën e veriut të Kosovë, si dhe deri sa të përfshihen gjyqtarët serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës", theksoi Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se përfaqësuesit e serbëve të veriut, janë të hapur për bashkëpunim dhe për sundimin e ligjit dhe të drejtës, si dhe për çdo iniciativë, pavarësisht se nga kush vinë ato, nga EULEX-i, institucionet e Kosovës apo institucionet e Serbisë.

Por, siç ka thënë ai, për disa aksione konkrete, EULEX-i duhet gjetur kohën e duhur dhe mënyrën e duhur.

Ndryshe, në fund të janarit të këtij viti, është arrestuar Oliver Ivanoviq, i cili dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë të shqiptarëve në Kosovë.

Kjo është pasuar edhe me arrestimin e katër personave të tjerë, për të njëjtat dyshime: Dragolub Delibashiq, Nebojsha dhe Ilija Vujaçiq dhe Akeksandar Lazoviq.

Me 26 gusht, ata janë paraqitur për herë të parë para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të akuzuar për krime lufte dhe vrasje të rëndë të shqiptarëve në Kosovë.

Sipas aktakuzës krimet janë kryer në prill të vitit 1999 dhe shkurt të vitit 2000.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG