Ndërlidhjet

logo-print

Për 280 mijë nxënës të Maqedonisë nga shkollat fillore dhe të mesme, të hënën ka filluar viti i ri shkollor, prej të cilëve rreth 20 mijë nxënës për herë të parë ulen në bankat shkollore.

Ndërkohë, arsimtarët e Maqedonisë presin me ankth javën e dytë të shtatorit, afat ky në të cilin Ministria e Arsimit do t'i shpallë emrat e mësimdhënësve të cilët do të dënohen, si dhe ata që do të shpërblehen, bazuar në rezultatet e testimit të fundit të jashtëm.

Për testimin e vitit të kaluar, mësuesit që kanë gabuar gjatë vlerësimit të nxënësve, nuk do të ndëshkohen, por vetëm do të këshillohen dhe trajnohen në seminare.

Sipas ligjit, nëse një mësimdhënës do të gjendet tre herë radhazi në fund të listës apo në listën e të dënuarve, atëherë ai do të përjashtohet nga puna.

Punonjësit e arsimit theksojnë se testimi i cili është pjesë e reformave të arsimit në asnjë mënyrë nuk paraqet barometër të saktë për punën dhe mundin të cilin e japin arsimtarët gjatë tërë vitit.

"Absolutisht nuk është i nevojshëm testimi ekstern, i cili është nënçmues për kuadrin mësimdhënës. Masat e reja të cilat po ndërmerren me reformat në sistemin arsimor edhe më shumë ulin kualitetin, është ulur shumë motivimi i arsimtarëve për t'u dëshmuar me kreativitet gjatë orëve të mësimit, sepse ata tërë kohën janë nën presion se mund të dënohen”, thekson Gorica Iliovska, profesoreshë në një nga shkollat e mesme të Shkupit.

Nga ana tjetër, Latif Ismaili profesor në shkollën e mesme ekonomike të Tetovës, thotë se testimi është i mirë për vetëdijesimin e arsimtarëve gjatë procesit të notimit, duke shtuar se duhet gjetur mekanizma që evaluimi i punës së punëtorëve të arsimit të bëhet në vazhdimësi.

“Me një testim të vetëm i cili realizohet një herë në vit nuk mund të vlerësohet puna e arsimtarëve dhe profesorëve, kujtoj se në bazë të plan-programit mësimor, në minimum në vit realizojmë 4 deri në pesë testime me nxënësit tonë dhe nga rezultati i tyre dhe pyetjes me gojë ne nxjerrim notën përfundimtare. Tani Ministria e Arsimit synon që përmes një testimi ekstern të vlerësojë punën, përkatësisht angazhimin njëvjeçar të arsimtarëve që është një non sens”, thekson Ismaili.

Ndërkohë, edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdulaqim Ademi ka nënvizuar se procesi i reformave në arsim nuk do të ndal hovin me atë që këtë vit risi për nxënësit e klasës së parë, të dytë, dhe të tretë janë librat e matematikës dhe shkencave natyrore të hartuara sipas programit të Kembrixhit, duke shtuar se kjo është risia më e madhe për këtë vit shkollor, ngase Maqedonia për herë të parë i ka këto programe dhe është vendi i vetëm në rajon që i vendos në sistemin arsimor.

“Të gjithë nxënësve në radhë të parë u dëshiroj shëndet dhe pastaj suksese gjatë këtij viti shkollor, shpreoj se të gjitha vendimet të cilat bëhen si nga Qeveria ashtu dhe Komunat të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit si dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në vend”, është shprehur të hënën ministri i Arsimit Abdualaqim Ademi, duke potencuar se testimi bashkë me zëvendësimin e librave aktual me ata të hartuara sipas programit të Kembrixhit, paraqesin një shtyllë shumë të rëndësishme për reformat në arsim.

XS
SM
MD
LG