Ndërlidhjet

logo-print

Shkruan: Nicholas Burns, ish diplomat amerikan

Në takimin e ardhshëm të NATOs në Wales, liderët e aleancës do të përballen me tri teste kritike për të ardhmen e saj, shkruan ish diplomati amerikan, Nicholas Burns, në të përditshmen “Financial Times”.

Duke i hedhur një vështrim ngjarjeve të vitit të fundit, këto tri sfida – agresioni i Putinit në Ukrainë, ngjarjet e përgjakshme në Lindjen e Mesme dhe rreziku që i kanoset Afganistanit – mund ta shndërrojnë samitin e radhës në një nga takimet më të rëndësishme në historinë 65 vjeçare të NATO-s.

Si mund të jetë ndryshe, kur Barack Obama, David Cameron, Angela Merkel dhe kolegët e tyre do të përpiqen të adresojnë sfidën më urgjente përballë tyre – si të ndalin të bëmat e presidentit rus në Ukrainë? Ai ka nisur një nga krizat më të rrezikshme evropiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shkruan zoti Burns në FT, duke rekomanduar që liderët e aleancës të miratojnë të vetmet masa që mund ta ndalin zotin Putin, e ato janë sanksionet e fuqishme që në shënjestër kanë sektorin financiar të Rusisë.

“Kjo do të kërkojë një vullnet të panënshtrueshëm politik, të cilin deri më tash Evropa nuk ka arritur ta shpërfaqë, të paktën jo që nga fillimi i krizës në Krime”, thuhet në shkrimin e së përditshmes FT.

NATO gjithashtu mund të ofrojë armatim të sofistikuar dhe mbështetje të agjencive të zbulimit për ta ndihmuar Kievin që të rikthejë kontrollin mbi pjesën lindore të shtetit.

Përgjigja në Lindjen e Mesme do të jetë testi i dytë për NATO-n. Zoti Burns shkruan se Evropa duhet të ofrojë ndihmë ajrore për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara që ta izolojnë Shtetin Islamik në Irak dhe Siri.

“Gjermania, Britania dhe Franca do të mund të ndihmonin zotin Obama duke bindur shtetet arabe sunite që të shtypin Shtetin Islamik politikisht dhe që të ndalin fondet, kurse zoti Obama duhet ta bind presidentin turk Recep Tayyip Erdogan që të mbyll kufijtë e eksportimit të naftës së kontrolluar nga ISIS”.

Sa për sfidën e tretë, Afganistanin e brishtë, përmes këtij shkrimi në FT, zoti Burns shtron pyetjen nëse është hap i mençur tërheqja e të gjitha forcave të NATO-s prej andej deri në vitin 2016, duke rikujtuar mësimet e nxjerra nga tërheqja e trupave në Irak.

Duke identifikuar vendosmërinë e zonjës Merkel dhe zotit Obama në trajtimin e këtyre sfidave si kyçe për të ardhmen e NATO-s, zoti Burns mes tjerash thotë se samiti në Wales do të shënojë edhe një sfidë për lidershipin e kësaj gjenerate.

Përgatiti: Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG