Ndërlidhjet

Ukraina thotë se është arrritur armëpushim, Rusia mohon


Zyra e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, ka njoftuar se ky i fundit dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, janë pajtuar për “armëpushim të përhershëm” në lindje të Ukrainës, ku separatistët pro-rusë janë duke luftuar forcat qeveritare.

Konflikti qysh në muajin prill ka marrë mbi 2,600 jetë njerëzish.

Shërbimi për shtyp i Poroshenkos ka thënë se marrëveshja është arritur gjatë një bisede telefonike me Putinin.

“Rezultati i bisedës ka qenë një marrëveshje për armëpushim të përhershëm në Donbas”, thotë deklarata, duke përdorur termin që i referohet një zone në juglindje të Ukrainës, ku rebelët mbajnë nën kontroll dy kryeqytete provinicale dhe një territor tjetër.

Deklarata po ashtu thotë se është arritur mirëkuptim edhe për hapat që do të nxisin krijimin e paqes.

Kremlini, në anën tjetër, ka thënë se biseda midis dy presidentëve është zhvilluar sot dhe se “pikëpamjet e tyre kanë përkuar në mënyrë të konsiderueshme” për mënyrat e mundshme për zgjidhjen e krizës.

Megjithatë, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka sqaruar për agjencinë Ria-Novosti se dy presidentët nuk janë pajtuar për armëpushim në Ukrainë, sepse “Rusia nuk është palë në konflikt” dhe ata kanë diskutuar “vetëm mënyrat për zgjidhjen e konfliktit”.

Raportet kanë ardhur derisa luftimet në lindje të Ukrainës nuk kanë pushuar dhe, në të njëjtën kohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka takuar udhëheqësit baltikë në Estoni, në shenjë mbështetjeje për aleatët e NATO-s që janë të shqetësuar me synimet e Putinit.

Kriza në Ukrainë pritet të dominojë edhe samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Uells më 4 dhe 5 shtator.

Bashkimi Evropian është duke diskutuar po ashtu sanksione të reja kundër Rusisë, pasi Kievi dhe qeveritë perëndimore e akuzojnë atë për dërgimin e trupave në lindje të Ukrainës. Rusia, megjithatë, e mohon një gjë të tillë.

Putin dhe Poroshenko nuk kanë bërë ndonjë përparim të dukshëm drejt përfundimit të konfliktit gjatë një takimi të rrallë ballë për ballë, javën e kaluar në Minsk, por përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe rebelëve janë takuar në kryeqytetin bjellorus më 1 shtator dhe mund të takohen prapë këto ditë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina, në muajin mars, dhe për shkak të rolit të saj në konfliktin në lindje.

Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, e cila do të jetë shefe e ardhshme e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ka thënë se pret që qeveritë evropiane të pajtohen për sanksione të reja dhe më të forta deri më 5 shtator.

Raportet thonë se sanksionet e reja mund të zgjerojnë ndalesën aktuale për bankat shtetërore ruse që të marrin hua në tregjet evropiane, duke mbuluar me këtë masë të gjitha firmat ruse në pronësi të shtetit.

BE-ja po ashtu pritet të zgjerojë ndalimin e eksportit të mallrave që mund të kenë edhe përdorim ushtarak, edhe civil për të gjithë importuesit potencialë rusë dhe jo vetëm për kompanitë në sektorin e mbrojtjes.

Është raportuar se BE-ja është duke shqyrtuar edhe futjen e ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në listën e individëve rusë që ndalohen të hyjnë në BE për shkak të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Ndaj rrethit të mëparshëm të sanksioneve të BE-së, Moska është përgjigjur duke ndaluar shumicën e importeve ushqimore nga blloku 28-anëtarësh.

Ajo po ashtu ka ndaluar shumicën e importeve të ushqimit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, që kanë vendosur sanksione.(v.tela)

XS
SM
MD
LG