Ndërlidhjet

logo-print

Ekonomia e Kosovës është në krizë dhe ka tendencë të përkeqësimit, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Rritja ekonomike për jo më shumë se 3 për qind, papunësia rreth 40 për qind, varfëria ekstreme 10 për qind, si dhe deficiti i lartë tregtar, janë shifra që sipas ekspertëve, tregojnë se ekonomia e Kosovës është në krizë të thellë tash e sa vjet.

Kosova gjatë vitit 2013 kishte shënuar rritje ekonomike më të lartën në rajon, prej 3.5 për qind, por që nuk ishte e mjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se rritja ekonomike është e varur nga investimet publike dhe jo nga sektori privat, gjë që, sipas tij, do të duhej të ishte e kundërta.

Në politikat ekonomike të Kosovës të ndërmarra ndër vite nga institucionet vendore, tregon Demi, janë bërë gabime të njëpasnjëshme.

Një nga stadet e para të një politike të gabuar ekonomike është që nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, të cilat nuk kanë sjell përftimet e duhura ekonomike, pastaj korrupsioni i lartë që nuk e ka paraqitur Kosovën si një vend atraktiv për investitorët e huaj, por edhe forca punëtore, e cila nuk është kualifikuar sa duhet për të ndërmarrë detyra që janë të kërkuara për bizneset në shekullin XXI. Të gjitha këto kanë kontribuar që Kosova të mos jetë e zhvilluar ekonomikisht dhe të përballemi me të gjitha këto probleme”, thotë Demi.

Investimet ndërkombëtare, të cilat ishin vlerësuar si mjete të domosdoshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik në Kosovë, kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit.

Derisa në vitin 2007, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, këto investime kishin arritur vlerën mbi 400 milionë euro, në vitin 2013 investimet ndërkombëtare ishin vetëm rreth 250 milionë euro.

Mbi gjysmë miliard euro është shuma e dërgesave të emigrantëve kosovarë, që çdo vit hyjnë në vend, sipas raporteve zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Barrën më të madhe të ngecjes së zhvillimit ekonomik e bartin qytetarët e saj. Të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë disa prej tyre thonë se situata ekonomike dhe sociale e tyre është e rëndë.

Vehbi Dragusha është 56 vjeç me profesion punëtor grafik. Dragusha thotë se profesionin e tij nuk e ushtron tash e sa vjet, pasi që nuk ka arritur të gjejë një vend pune.

Ai tregon për vështirësitë ekonomike të familjes së tij prej gjashtë anëtarësh.

“Është mjaft e vështirë, kur kemi qenë të punësuar ka qenë e vështirë e lërë më tani. Shumica nuk punon, ka shtrenjtime të mëdha, tani së fundi është shtrenjtuar edhe energjia elektrike dhe Qeveria nuk ndërmerr asgjë, nuk arrin as t’i kontrollojë, prandaj është e vështirë”, shprehet Dragusha.

Fehmi Syla, 71 vjeç, pensionit thotë se ekonomia e Kosovës është në krizë si pasojë e mosangazhimit institucional dhe shoqërisë në përgjithësi. Si rrjedhojë ai thotë se përballen me probleme sociale.

“Ekonomia sot nuk është askund, askush nuk punon si duhet. Kanë punuar në mënyrë joprofesionale. Tani është më lehtë për të shkuar ekonomia përpara. Tani ka mjete, të cilat të mundësojnë ta bësh punën më lehtë, por askush nuk punon për zhvillimin e ekonomisë”, shton Syla.

Kosova nuk mund të presë përmirësim të gjendjes ekonomike dhe sociale as gjatë këtij viti.

Në Raportin e rregullt ekonomik për Evropën Juglindore të Bankës Botërore, për Kosovën në vitin 2014, ky mekanizëm ka parashikuar që të ketë rritje ekonomike jo më shumë se 3.5 për qind.

Sidoqoftë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kishin folur për të arritura të mëdha në ekonominë e Kosovës dhe e përmirësim të dukshëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ende nuk ka arritur të marrë drejtimin e duhur në aspektin e zhvillimit ekonomik.

“Nëse vazhdon kështu, ne do të kemi probleme edhe krizë buxhetore dhe mund të priten edhe trazira sociale. Në këtë mënyrë si po shkohet, njerëzit i kanë harxhuar edhe rezervat e fundit dhe janë duke u ballafaquar me probleme jetësore ekzistenciale”, thekson Shatri.

Ekspertët e ekonomisë shtojnë se nëse nuk do të ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e politikave që nxisin zhvillimin ekonomik, Kosova do të kalojë në një situatë edhe më të rëndë ekonomike.

“Do të duhej të kishte qasje më gjithëpërfshirëse, jo vetëm duke prekur vetëm një çështje të caktuar të fushës së ekonomisë, por të gjithë këta hapa duhet të jenë paralel me qëllim që të fillojmë të dalim nga kjo krizë ekonomike, e cila është konstante dhe që nga pas lufta”, thekson Agron Demi nga Instituti GAP.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG