Ndërlidhjet

logo-print

Afaristët në Kosovë jo rrallëherë kopjojnë njëri-tjetrin në profilin e biznesit. Nga mungesa e ideve dhe kreativitetit, në Kosovë janë krijuar biznese me veprimtari të njëjtë dhe shumë afër njëra-tjetrës, thonë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë në Prishtinë.

Këtë praktikë ata e quajnë të pandershme, pasi që konkurrenca zhvillohet më një numër të vogël të konsumatorëve që nuk janë më shumë se rreth 2 milionë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, në vend janë të regjistruara 134. 613 ndërmarrje.

Në këto ndërmarrje dominojnë bizneset individuale me rreth 88 për qind.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmend Mejzini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për profilet e subjekteve ekonomike.

Sipas të dhënave që ne i posedojmë, subjektet kryesisht përcaktohen për veprimtari ekonomike, të cilat janë veprimtari shërbyese, veprimtari të tregtisë, qoftë me pakicë apo me shumicë dhe kryesisht bizneset janë të regjistruara në aktivitetin ekonomik të ndërtimeve, në konstruktim”, bën të ditur Mejzini.

Veprimtaritë ekonomike që në Kosovë nuk janë në numër më të madh, shton Mjezini, janë ato prodhuese, derisa tregtia mbetet aktiviteti më i preferuar.

Përfaqësues të bizneseve tregojnë se pos vetëm se ka mungesë të sektorëve të caktuar afaristë që nuk zhvillohen, por ka mungesë të disa produkteve të zakonshme, të cilat shumë lehtë mund të prodhohen edhe në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë herë për produkte mjaft të zakonshme që nuk kanë çmim shumë të lartë, konsumatori i Kosovës detyrohet që të udhëtojë në vendet fqinje që t’i blejë ato.

“Shoh një mungesë të kreativitetit të bizneseve, shoh një mungesë të kontaktit me risitë në përgjithësi dhe trendët e zhvillimit të produkteve të tilla nëpër botë, është një mungesë e kontaktit të bizneseve vendore me afaristë jashtë vendit. Konkurrenca zhvillohet shumë shpesh brenda tregjeve shumë të vogla dhe numrit të vogël të konsumatorëve. Kjo konkurrencë e tillë shumë shpesh zhvillohet në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme”, vlerëson Zeka.

Sipas tij, njëra nga arsyet e shuarjes së bizneseve është edhe hapja e bizneseve të ngjashme me ato që tanimë vetëm janë në zhvillim e sipër.

Numri i falimentimit të bizneseve në Kosovë konsiderohet të jetë i madh. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti sipas të dhënave zyrtare, e kanë shuar biznesin e tyre 652 kompani të ndryshme.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike Milazim Abazi thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të një strategjie zhvillimore, afaristët në vend kanë krijuar konkurrencë të panevojshme, e cila e ka dëmtuar ekonominë në përgjithësi.

“Është e vërtetë se kosovarët e kopjojnë njëri-tjetrin në mungesë të vizionit dhe strategjisë së zhvillimit, gjë që thuhet nëse dikush mbjellë qepë atëherë shumica e kosovarëve mbjellin qepë dhe kështu bëhet një hiper-produkt në atë lëmi. Kemi një hiper-prodhim të qepëve, të patateve e të lëngjeve, derisa në lëmi tjera kemi deficit të madh”, thotë Abazi.

Përveç mungesës së kreativitetit të afaristëve, ekspertët e ekonomisë fajin për këtë e hedhin edhe te shteti, pasi që, siç thonë ata, nuk i kanë orientuar politikat ekonomi në lëmi të caktuara.

Kosova tash e sa vjet është shndërruar në treg konsumues, duke importuar mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme.

Deficiti tregtar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2013 arriti në mbi 2 miliardë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG