Ndërlidhjet

Bosnja si zgjidhje e Rusisë për Ukrainën


Vladimir Putin
Vladimir Putin

Kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shikon Ukrainën, a sheh ai atje Bosnjën?

Vendi ballkanik, i cili ka presidencë trepalëshe që reflekton balancën e saj etnike, ka mbetur në paqe për gati dy dekada që nga Marrëveshja e Dejtonit, më 1995, e cila i ka dhënë fund luftës trevjeçare.

Por, ai konsiderohet gjerësisht si vend me krizë të përhershme, ku asnjë palë nuk është në gjendje të ngrihet mbi bazën e saj etnike.

Dhe, derisa fqinjët i janë bashkuar ose kanë bërë hapa drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe institucioneve tjera perëndimore, Bosnja është penguar nga struktura e saj federale.

Një rezultat i tillë, sipas analistëve rusë, të cilët vëzhgojnë nga afër politikën e Kremlinit, josh edhe Moskën kur diskuton për situatën në Ukrainë.

“Skenari ideal për Rusinë do të ishte modeli i Bosnjës. Është diskutuar shumë herë nëse lindja duhet të marrë autonomi të gjerë, të vetëqeveriset pothuajse krejtësisht, por të jetë formalisht pjesë e fushës politike dhe ligjore të Ukrainës”, thotë Feodor Lukyanov, redaktor në revistën "Russia in Global Affairs", me seli në Moskë.

Moska nuk ka propozuar kurrë publikisht që Ukraina të bëhet një federatë e lirë e rajoneve të saj rusishtfolëse në lindje dhe atyre në perëndim, ku përdoret gjuha ukrainase, ashtu siç Bosnja ka entitetin serb dhe atë boshnjako-kroat.

Por, modeli i Bosnjës do të ofronte një alternativë për dy zgjidhje që Rusia i konsideron të papranueshme.

Një është vizioni i presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, për trasnferimin e kompetencave të qeverisë qendrore të Ukrainës te rajonet e vendit, por Moska thotë se kjo është e pamjaftueshme për zgjidhjen e krizës.

Dy është ndarja e Ukrainës, çfarë Moska thotë se nuk e favorizon.

Megjithatë, mund të ketë një arsye më të madhe se përse modeli i Bosnjës josh Moskën.

Luykanov thotë se është e rëndësishme për Rusinë që rajonet lindore, që tani kontrollohen nga separatistët, të mbeten pjesë e Ukrainës, sepse “qëllimi i Rusisë është që të ketë mekanizma për të përandaluar, në rast emergjence ose domosdoshmërie, lëvizjet gjeopolitike të Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO për shembull, që në Moskë shihet si kërcënim ekzistencial”.

Po qe se Ukraina ndjek shembullin e Bosnjës, lindja e kontrolluar nga separatistët do të kishte marrdhënie më të afërta me Rusinë sesa me Kievin.

“Në teori, integriteti territorial i vendit do të ruhet, por statusi i Ukrainës lindore do të jetë i ngjashëm me atë të Republika Sërpskës në Bosnjë”, ka shkruar Ivan Krasetv, udhëheqës i Qendrës për Strategji Liberale në Sofie, në revistën Prospect.

Analistët ukrainas thonë se Kievi është në dijeni për interesat e Rusisë në modelin e Bosnjës dhe për rreziqet që ai paraqet.

“Mesazhet që ne marrim tregojnë se përfaqësuesit e separatistëve kanë nisur të zbehin këmbënguljen e tyre për pavarësi, në këmbim të transformimit të Ukrainës në një Bosnjë të dytë”, ka thënë Oleksandr Sushko, drejtor i Institutit për Bashkëpunim Euro-Atlantik, në një intervistë për Kanalin 5 të Ukrainës, më 2 shtator. (v.tela)

XS
SM
MD
LG