Ndërlidhjet

Dalja nga ngërçi politik, përgjegjësi e deputetëve


Pamje nga seanca e 17 korrikut...

Pamje nga seanca e 17 korrikut...

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila është paraparë të mbahet më 12 shtator, si vazhdimësi e seancës së 17 korrikut, mund të zhvillohet me disa skenarë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në skenën politike dhe institucionale në vend.

Por, sipas tyre, tejkalimi i ngërçit politik dhe institucional do të jetë përgjegjësi e deputetëve të përfaqësojnë subjektet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë frymë ka qenë edhe porosia, të cilën presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dërguar nëpërmjet një debati të organizuar nga shoqëria civile.

Ne sot kemi nevojë për krijimin më të shpejtë të institucioneve të vendit, dhe ju mbetet në përgjegjësi të deputetëve të Kuvendit, që të tregojnë gatishmërinë për të zgjidhur nyjat për funksionimin e institucionit për të cilin kanë marrë votat e qytetarëve të vendit”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Njohësit e zhvillimeve në skenën politike dhe institucionale në vend, të cilët kanë përcjellë zhvillimet politike pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më 8 qershor, thonë se në qoftë se partitë politike dëshirojnë të mbesin të betonuara pranë qëndrimeve të tyre të kundërta lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ato do ta rrezikojnë seriozisht çështjen e konstituimit të Qeverisë së vendit.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se seanca e 12 shtatorit ka mundësi të zhvillohet sipas dy skenarëve, prej të cilëve do të shohin të përfitojnë të dyja blloqet e partive politike.

Sipas skenarit të parë, siç thotë ai, Partia Demokratike e Kosovës do ta japë propozimin e saj, i cili do të votohet ose refuzohet nga shumica në Kuvend.

“Në këtë formë, i konsumohet e drejta e Partisë Demokratike të Kosovës dhe i konsumohet mundësia për ta pasur të propozuarin e saj të emëruar si kryetar i Kuvendit të Kosovës”.

Skenari i dytë është që partitë e bllokut( LDK-AAK-Nisma), të vazhdojnë tutje me procedimin e zotëri Aliut, si i kandiduar i mbetur në gjysmë prej seancës së kaluar, ta votojnë atë dhe kështu t’i hapin mundësi krijimit të Qeverisë. Përfundimisht, kur të përfundojqë çështja e zgjedhjes së Qeverisë, t’i kthehen prapa çështjes eventuale të shkarkimit dhe ndryshimit të kreut të Kuvendit”, thotë Korenica.

Analisti Blerim Burjani thotë për Radion Evropa e Lirë, se për seancën e 12 shtatorit nuk mund të ketë skenarë të papritur dhe që mund të dalin jashtë kornizave që ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Nga partia ose subjekti më i madh politik, i certifikuar nga zgjedhjet, që e reflekton edhe Kushtetuta e Kosovës, neni 70, pika 2, duhet të bëhet propozimi i sërishëm i krye-parlamentarit”.

Natyrisht, të procedohet me kryeparlamentarin, në radhë të parë, për të ardhur pastaj – në rast se kemi një refleksion pozitiv dhe kemi votat e nevojshme për ta zgjedhur kryeparlamentarin – te procedurat tjera, për të zgjedhur edhe kryesinë e Parlamentit e kështu me radhë. Skenar tjetër, faktikisht dhe realisht, dhe nëse doni edhe objektivisht, nuk ka”, konsideron Burjani.

Ai gjithashtu shton se nuk do të ketë zgjidhje adekuate në rast se do të mungojë një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve politike, të cilat sipas tij, kanë krijuar ngërçin politik.

Nëse mbeten në këto qëndrime, atëherë nuk pres ndonjë zgjidhje adekuate, e cila mund të ndodhë dhe natyrisht, mund të vijë deri te zgjatja e këtij ngërçi politik, sepse e kam përshtypjen se si opozita, ashtu edhe opozita, e kanë përgjegjësinë primare. Ata, në rast se nuk kanë ndonjë marrëveshje për ta zgjidhur ngërçin politik, atëherë duhet të gjejnë një marrëveshje për zgjedhje të jashtëzakonshme, ndonëse askush nuk i dëshiron ato”, thekson Burjani.

Por, Korenica, nuk beson se vendi do të shkojë në zgjedhje, në rast se dështon zgjedhja e kryeparlamentarit në seancën e 12 shtatorit.

Edhe nëse Kuvendi, në mënyrë të panumërt, shkon në dështim për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, vendi nuk shkon në zgjedhje, Nuk është kjo situatë që mund të provokojë zgjedhje të reja. E vetmja situatë që provokon zgjedhje të reja, në këtë skenarë, është kur dështon zgjedhja e Qeverisë, në raundin e dytë, përkatësisht, pas emërimit të mandatarit të dytë nga ana e presidentes së republikës”.

“Por, për të shkuar te presidentja, natyrisht që do të duhej të përfundonte një herë seanca konstituive e Kuvendit. Dhe këtu është çelësi, të cilin, mendoj unë, do të duhej që ta gjejë blloku, bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, në mënyrë që, të paktën përkohësisht, të mbyllet çështja e kreut të Kuvendit dhe Kryesisë”, sqaron Korenica.

Ndryshe, që nga mbajtja zgjedhjeve parlamentare më 8 qershor, Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy mendime që ndërlidhen me situatën pas këtyre zgjedhjeve.

Më 30 qershor kjo gjykatë ka vendosur për rastin e parashtruar nga presidentja e Republikës së Kosovës, për, siç thuhet,vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 mbi kompetencat e presidentit dhe nenin 95 mbi zgjedhjen e Qeverisë.

Më 22 gusht, Gjykata Kushtetuese, përmes njoftimit të parë ka publikuar vendimin se e konsideron jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në seancën e 17 korrikut.

Ky vendim ishte marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën e 17 korrikut.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG