Ndërlidhjet

Ngec privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore


Ngërçi politik në Kosovë ka prekur edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Kjo Agjenci ka mbetur pa bord funksional të drejtorëve që nënkupton ndërprerje të privatizimit, likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, si dhe ndarjen e 20 për qindëshit.

Më 31 gusht të këtij viti, dy drejtorëve ndërkombëtarë u ka përfunduar mandati dhe në këtë bord kanë mbetur vetëm tre drejtorë vendorë, që është numër i pamjaftueshëm për të marrë vendime.

Kuvendi i Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, emëron anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por që ende pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Kosova nuk ka arritur të krijojë institucionet e reja.

Veton Hajdini, kryesues i Njësisë për marrëdhënie me publikun në AKP, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se shumë vendime kanë mbetur peng, deri në emërimin e drejtorëve në bordin e ri.

Ai thotë se Bordi i drejtorëve ka kompetenca të shumta dhe përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e agjencisë.

“Në bazë të nenin 15 të Ligjit të AKP- së, Bordi i drejtorëve vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovë dhe shumë vendime tjera të përcaktuara me ligj, që janë kompetencë e bordit”, tregon Hajdini.

Bordi i AKP-së që nga dorëheqja e drejtorit të bordit të AKP-së, largimi i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara Bernadette Roberts dhe anëtares tjetër Dardane Peja, ka funksionuar me gjysmë përbërje.

Por, kjo përbërje kishe mjaftuar për të mundësuar kuorumin dhe mbajtjen e mbledhjeve.

Që nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tani, në privatizim janë përfshirë mbi 400 ndërmarrje shoqërore, prej të cilave janë krijuar dhe tenderuar mbi 800 ndërmarrje të reja.

Ndërkaq, 26 ndërmarrje shoqërore janë privatizuar me metodën e spin off-it special.

Veton Hajdini tregon se në mungesë të bordit të AKP-së, do shfaqen mjaft probleme.

“Agjencia i ka njoftuar me kohë institucionet përgjegjëse për mungesën e drejtorëve në bord dhe vështirësitë që janë shfaqur dhe shfaqen në mungesë të drejtorëve, dhe shpreson që bordi të kompletohet sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që AKP-ja të mund të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mund të ushtrojë mandatin e saj të plotë në përputhje me ligjin”, shton Hadjini.

Në anën tjetër, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës theksojnë se ngërçi politik po dëmton procesin e privatizimit. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se situata politike e krijuar në vend po dëmton në përgjithësi ekonominë e vendit.

“Nëse nuk zgjidhet ky ngërç politik dhe nuk emërohen anëtarët e ri të bordit sa më shpejt, sigurisht që privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore do të ngecë dhe do të ketë probleme në ekonominë e Kosovës”, konsideron Arifaj.

Ndryshe, janë bërë më shumë se një dekadë që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por nuk ekziston ndonjë periudhë kohore kur do të përfundojë, rrjedhimisht edhe mandati i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

XS
SM
MD
LG