Ndërlidhjet

logo-print

Dukuria e analfabetizmit disa herë ka qenë temë debatesh në Kosovë.

Shoqëria civile vazhdimisht ka ngritur nevojën e përkushtimit më të madh nga autoritetet kompetente përderisa këto të fundit asnjëherë nuk kanë mohuar përkushtimin për zbutjen e kësaj dukurie.

Në Ditën Ndërkombëtare të Avancimit të Shkrim-Leximit, ekspertë të arsimit në Kosovë konsiderojnë se dukuria e analfabetizmit vazhdon të mbetet shqetësuese për shoqërinë, pasi sipas tyre, mbi 40 për qind e popullatës se përgjithshme janë analfabetë.

Por, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla e analfabetizmit është 4.18 për qind në popullsinë mbi 15 vjeç, ndërsa në mesin e grave 5.07 për qind.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se përmes projekteve të ndryshme, apo mësimit joformal, janë munduar të ulin shkallën e analfabetizmit.

Afërdita Jaha, zyrtare për mësim joformal në Ministrinë e Arsimit, përmend zbatimin e programit në gjithë territorin e Kosovës të quajtur “Shkrim lexim bazik për gra dhe vajza” filluar nga viti 2003.

Nga ky projekt shkrim dhe lexim kanë mësuar mbi 4,000 gra dhe vajza.

Ajo thotë se numri më i madh i personave që nuk dinë shkrim e lexim janë të gjinisë femërore nga viset rurale dhe përfaqësues të komunitet rom.

Dukuria e analfabetizmit, sipas Jahes, është e lidhur më braktisjen e shkollës.

“Ministria e Arsimit prej vitit 2003 ku numri i braktisjes se nxënësve ka qenë 1.6 në vitin 2013-2014 numri i braktisjes se nxënësve është 0.5 për qind. Pra ministria e arsimit ka ofruar shërbime në shkolla që të ulet niveli i braktisjes se shkollave në mënyrë që të ulet edhe numri i analfabetëve”, thotë Jaha.

Sidoqoftë, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.

Mosha e personave analfabet sipas zyrtarëve të Ministrisë se Arsimit, thuhet të jetë mbi 55 vjeç.

Në anën tjetër Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për avancimin e performances së sistemit të arsimit, nuk është aspak i kënaqur me punën e autoriteteve kompetente.

Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova radhitet e para në Evropë sa i përket shkallës se analfabetizmit.

“Nuk është problem vetëm analfabetizmi klasik, do të thotë analfabetet që nuk dinë shkrim lexim, por problemi kryesor është numri i madh i analfabetëve funksional të cilët dinë shkrim-lexim, por shkrimin dhe leximin e vetë nuk mund të përdorin për t’u integruar në mënyrë funksionale në shoqëri. Sepse nuk mund të përdorin që të kuptojnë dhe të shkruajnë një paragraf ose të lexojnë një tabelë e kështu më radhë”, thotë Hyseni.

Hyseni, si shqetësim tjetër madje e vlerëson shkallën e lartë të analfabeteve elektronik, që sipas tij arrin në mbi 50 për qind të popullsisë se përgjithshme.

"Kjo përqindje e shoqërisë nuk është në gjendje të përdorin katër komponentët të teknologjisë më të re të informacionit dhe komunikimit. Edhe ky është një problem jashtëzakonisht i madh. Mendoj se analfabetet funksional dhe ata elektronik do të jenë pengesë e madhe e zhvillimit të gjithëmbarshëm të Kosovës. Sepse ky numër i analfabeteve do të ndikojë që indeksi i zhvillimit njerëzor të jetë shumë i ulët, e që është ndër më të ulëtit në Evropë", shprehet Hyseni.

Sipas shifrave zyrtare hendeku i qasjes në internet midis brezit të ri që jeton në zonat rurale dhe atij që jeton në zonat urbane është 42 për qind.

Sidoqoftë, Kosova deri në vitin e ardhshëm duhet të eliminojë analfabetizmin në vend.

Madje, për këtë çështje ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.

Përmes kësaj rezolute ata janë zotuar se deri në vitin 2015, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe analfabetizmin.

Megjithatë, ekspertët e arsimit kanë thënë se kjo objektivë është e paarritshme deri në periudhën e caktuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG