Ndërlidhjet

Republika e Maqedonisë shënon 23 vjetorin e mbajtjes së referendumit në të cilin mbi 95 për qind e popullatës maqedonase që doli në referendum u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

Por ky referendumi i vitit 1991 u bojkotua nga popullata shqiptare për shkak të elementëve të shumta që shtetin e ri të Maqedonisë e definonin si shtet vetëm të maqedonasve.

Kjo bëri qe akti i miratimit të Kushtetutës të bojkotohet nga Partitë politike shqiptare.

Sefedin Haruni deputet në përbërjen e parë parlamentare i cili njëherësh për një kohë ka drejtuar partinë e parë që përfaqësonte shqiptarët e Maqedonisë, Partinë e Prosperitetit Demokratik, vlerëson se paaftësia e elitave politike shqiptare është ajo që ka devijuar më shumë në realizimin e kërkesave të shqiptarëve sesa bllokimi i realizimit të këtyre kërkesave që bëhet në vazhdimësi nga pala maqedonase.

“Nuk është jashtë nesh problemi, por është pikërisht në mesin tonë, fajtorë janë njerëzit të cilët i kemi zgjedhur të cilët nuk kanë kapacitet jo vetëm politik por edhe të njohurive të përgjithshme. Kjo bën që të ngufatin interesin e përgjithshëm nacional në këmbim të realizimit të interesave të ngushta personale. Më duhet të theksoj se çdo ditë e më shumë rrënohet ajo që kishin synim shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonasit në ndarjen e qeverisjes”, thkeson Haruni.

Ai thekson se e keqja më e madhe është ajo se pas 23 vitesh pavarësi, Maqedonia si shtet nuk ka arritur ndërtojë një vend me perspektivë për të rinjtë.

“Rinisë këtu i mbet vetëm një alternativë, ose të hyjë në parti për t'u punësuar dhe njëkohësisht të jetë pjese e një politike e cila rrënon shtetin demokratik, ose të largohet nga Maqedonia”, thekson Haruni.

Nga ana tjetër, ish kryetari i parë i Parlamentit të Maqedonisë, Stojan Andov konsideron se kultivimi i një fryme skeptike që kultivohet veçanërisht dekadën e fundit të pavarësisë së Maqedonisë, sa i përket orientimit të vendit kah strukturat euroatlantike parqet një gabim të madh që do të kushtojë shumë në të ardhmen.

“Kjo paraqet atë dobësinë tonë që nuk mund të bëjmë një hap para dhe të themi se ne s'kemi alternativë tjetër pos NATO-s dhe BE. Gjithmonë në këto hapësira rri pezull mendimi se Maqedonia ka alternativa të tjera që është një gabim shumë i madh”, thekson Andov.

Ai gjithashtu ka fokusuar dhe populizmin në bazë të cilës elitat politike sigurojnë qëndrimin e gjatë në pushtet.

“Vetë ata politikanë të cilët arrijnë të sigurojnë pushtetin përmes populizmit pas kalimit të një kohe të caktuar, bëhen të ndjeshëm përkatësisht frikacak për të ndërmarrë iniciativa të cilat janë në favor të perspektivës së vendit, dhe njëkohësisht ata angazhohen për paaftësimin e të gjithë atyre të cilët duhet të veprojnë konform Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese".

"Flas për drejtuesit e institucioneve shtetërore të cilëve u merret një pjesë e ingerencave, përkatësisht nuk janë të lirë të ushtrojë detyrën e tyre. Pra e theksoj edhe një herë se populizmi i elitës politike është dhembja më e madhe që ka goditur perspektivën e Maqedonisë”, vlerëson Andov.

XS
SM
MD
LG