Ndërlidhjet

logo-print

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka konfirmuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se me bllokun LDK - AAK - Nisma (LAN), kanë arritur marrëveshje dhe ajo pritet të nënshkruhet së shpejti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri, dje ishin paralajmëruar përafrime të Lëvizjes Vetëvendosje me Bllokun LAN. Keni arritur marrëveshje për koalicion?

VISAR YMERI: Po, ka pasur një lëvizje në drejtim të marrëveshjes së parimeve udhëheqëse për qeverinë e ardhshme në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe bllokut LAN.

Ne jemi në pritje të kësaj marrëveshjeje dhe shpresoj se kjo do të ndodh shumë shpejt, pra do të ndodh gjatë kësaj javë e cila do të jetë hapje e rrugës, pra marrëveshja e parë në mes bllokut LAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pastaj duhet të përcillet edhe më dy çështje tjera që do të duhej të merreshim vesh për sa i përket bashkëqeverisjes.

Pra, për krijimin e qeverisë se re në mes bllokut LAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, këto do të ishin programet qeverisëse si dhe natyrisht përfaqësimi apo ndarja e pozitave në qeverinë, ekzekutivin qendror të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Paraprakisht ju kishit caktuar disa parakushte për partitë e Bllokut në lidhje me arritjen e marrëveshjes. Janë pranuar ato nga Blloku?

VISAR YMERI: Po ato kanë qenë parime të cilat i kemi propozuar ne, ju kujtohet që prej momentit kur kemi filluar të flasim me ta, të diskutojmë mundësinë e krijimit të një qeverie të përbashkët. Ne kemi qenë shumë të interesuar që t’i diskutojnë disa parime udhërrëfyese ose parime bazë, të cilat do ta orientonin punën e qeverisë se re të Republikës së Kosovës dhe do ta krijonin një qeveri njëmend të Kosovës dhe për Kosovën.

Në këtë drejtim, e tërë kjo kohë që ka shkuar në diskutimet me bllokun LAN kanë qenë të orientuara karshi këtyre parime, të cilat në fund kemi arritur që t’i bëjmë parime të përbashkëta të pranueshme edhe për bllokun LAN, dhe siç e thash presim që të formalizohet kjo marrëveshje e cila i përmban ato parime.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe një herë tjetër është thënë se është arritur një marrëveshje, por me vonë ndodhi që nuk u nënshkrua ajo. A është tash kjo marrëveshje më serioze?

VISAR YMERI: Ketë radhë duket që situata ka ndryshuar. Pra, jemi në një situatë të re, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe ka një lëvizje jashtëzakonisht të pozitive të bllokut LAN karshi parime të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ne kemi shpresë shumë të madhe që këtë radhë do të nënshkruhet marrëveshja, pra do të formalizohet ajo para seancës ose vazhdimit të seancës dhe në seancë do të shkojmë si dy grupe parlamentare të cilat e kanë një marrëveshje për bashkëqeverisje.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndryshuar marrëveshja e arritur nga ajo e para që ishte?

VISAR YMERI: Jo, në fakt marrëveshja në thelb është e njëjta, ka disa ndryshime të vogla në formulime në tekst. Mirëpo, marrëveshja është në thelb ajo që ka qenë dhe behet fjalë për të njëjtat parime të cilat i kemi propozuar që prej fillimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse i duhet Vetëvendosje këtij koalicioni. Çfarë përgjegjësish synoni të merrni në “hisen” tuaj?

VISAR IMERI:Kjo çështja e resorëve ministrore ende nuk është diskutuar. Natyrisht që do ta diskutojmë ketë më bllokun LAN. Është shumë e rëndësishme që qeveria që po krijohet do të jetë një qeveri absolutisht e ndryshme nga ajo që kemi parë deri sot në Kosovë, për shkak se po krijohet një qeveri së pari e cila marrëveshjen bazë për themelimin e saj e ka të bazuar në parime, e jo vetëm ne ndarje postesh, siç kemi parë të ndodhë deri tash.

Dhe në anën tjetër, këto parime janë parime të cilat do t'ia ndryshojnë kursin shtetëror që e ka marrë Kosova. E dini që nën qeverisjen e Thaçit ky kurs shtetëror përbehej nga dy binarë kryesorë, njeri ishte koncesionet e vazhdueshme karshi Serbisë, duke e garantuar edhe një mosfunksionalizim të vendit, po në anën tjetër edhe një nënshtrim të rrezikshëm politik të Kosovës karshi Serbisë.

Kurse, në anën tjetër privatizimi i egër brutal do të kisha më thënë i çdo gjeje shoqërore apo publike që ja ka pamundësuar Kosovës të ketë një kontroll sovran mbi resurset e veta dhe të shfrytëzojë këto resurse për mirëqenën e qytetareve. Pra të dyja këto, me marrëveshjen për të cilën po flasim – marrëveshjen e parimeve do të ndryshojnë edhe në qasje edhe në mënyrën se si qeverisja e ardhshme do të sjell karshi tyre dhe kjo mendoj që do t'ia sjell një dobi të madhe Kosovës sepse është hera e parë që prej shpalljes së pavarësisë që Kosova po mendon si shtet dhe po mendon si shtet sovran.

Deri tash kemi pasur politikanë të cilët kanë qenë të varur, dhe natyrisht që me politikanë të varur nuk ka Kosovë të pavarur. Tash e kemi rastin e parë të them ashtu ku partitë politike të Kosovës po merren vesh pa ndërmjetësimin e të tjerëve dhe kjo mendoj që është një hap jashtëzakonisht cilësor drejt sovranizimit të vendit. Dhe në anën tjetër, kjo marrëveshje po bazohet në interesin e përgjithshëm, e jo në interesat partikulare të politikanëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Më 12 shtator, pritet vazhdimi i seancës konstituive. Prisni ju që të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të tejkalohet kjo bllokadë në formimin e institucioneve?

VISAR YMERI: Po natyrisht tash që blloku LAN bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, po qe se formalizohet marrëveshja gjatë javës, atëherë do të ketë një shumicë absolute thuajse, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nuk shoh arsye pse mos të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, konsideroj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm në këtë proces, për shkak që ka qenë vendim i cili ia ka mbajtur anën një partie politike, e cila me kapjen që ja ka bërë shtetit po tenton që ta përjetësojë qenien e vetë në pushtet.

Dhe, në këtë drejtim, mendoj që kjo duhet të thyhet, sepse kjo kapje e shtetit duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë. Pra jo, nuk është ideja që të zëvendësohet kapja me një kapje tjetër, por njëherë e përgjithmonë të përfundojë logjika e kapjes së shtetit dhe përdorimit të institucioneve shtetërore për interesat e klaneve partiake.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nëse çështja e kryetarit të Kuvendit, do t’i kthehet sërish Kushtetueses?

VISAR YMERI: Tash ne, pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të kemi edhe një koordinim me deputetët e bllokut LAN, për atë se çfarë do të bëjmë ditën e premte, pra në vazhdimin e seancës konstituive. Mendoj që pak a shumë të gjitha çështjet do të merren vesh aty, duke e parë se si do të vazhdojë kjo seancë konstituive.

Natyrisht që ne jemi kategorik në kërkesën tonë që të zhbllokohet dhe të "ç'kapet" institucioni më i lartë legjislativ i vendit, i cili është kapur nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shpërfillje të plotë të vendimit të Kryesisë së Kuvendit, e kishte uzurpuar atë ditë seancën konstituive dhe e përdorte atë sipas interesave të veta. Pra një gjë e tillë, një kapje e tillë kaq brutale që i bëhet këtij institucioni demokratik nuk duhet të ndodhë.

Dhe natyrisht që shumica e deputetëve janë ata të cilët duhet të vendosin për atë se çfarë ndodh me Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjë që ndodhi më 17 korrik, por që u anulua pastaj nga Gjykata Kushtetuese përmes të një, siç e kemi quajtur ne, "puç" institucional, që ajo bëri kundër Kuvendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nëse çështja e kryetarit të Kuvendit, rikthehet në Kushtetueses?


VISAR YMERI: Po tash situatën në Gjykatën Kushtetuese e kemi pak më ndryshe. Ju e dini që ky emërimi i fundit që është bërë i gjykatësve ndërkombëtarë, ose vazhdimi i mandatit të tyre nga presidentja është në kundërshtim me Kushtetutën.

Dhe rrjedhimisht tash e kemi një Gjykatë Kushtetuese e cila në vete, ose anëtarët e saj janë anti-kushtetues, dhe në këtë drejtim mendoj që kjo gjykatë, përherë e më shumë po rrezikon ta humbë kredibilitetin institucional që do të duhej ta kishte Gjykata Kushtetuese. Kjo vërtetë thërret për një kujdes dhe një brengosje shumë më të madhe qytetare, sepse mënyra se si po sillet PDK-ja me institucionet e shtetit është duke i shkatërruar ato.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG