Ndërlidhjet

logo-print

Të rinjtë e PDK-së: S’donim të ofendonim Islamin


Të rinjtë e PDK-së, gjatë takimit sot.

Të rinjtë e PDK-së, gjatë takimit sot.

Një grup i të rinjëve, anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës, dega e Prishtinës, takuan sot, kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale dhe për aktin simbolik të djegies së logos së grupit terrorist të ISIS-it, në Prishtinë, nga ana e të rinjve të PDK-së.

Ata, shpjeguan në takim me Myftiun Tërnava se aktiviteti i djeshëm simbolik nuk kishte qëllim të ofendimit të ndjenjave fetare të besimtarëve mysliman në Kosovë dhe as thënieve të shenjta për islamin.

“Qëllimi, ishte ta kundërshtojmë terrorin dhe aktet terroriste të grupit ISIS me veprimet e tyre kriminale në rend të parë kundër fëmijëve dhe grave që i bëjnë në kundërshtim me parimet e fesë islame”, thuhet të kenë thënë të rinjtë e PDK-së, në këtë takim, njofton përmes një komunikate, zyra e PDK-së në Prishtinë.

Ndërsa, Myftiu Tërnava ka theksuar se të rinjtë tanë duhet të jenë të kujdesshëm e të matur në veprimet e tyre dhe mos të bien pre e fushatave që më shumë mund të sjellin debate, konfuzion e paqartësi se sa qëllimi i tyre për distancim nga veprimet e ISIS.

“Po ashtu, në takim Myftiu tha se ne si popull solidarizohemi me vuajtjet e popullatës civile në Irak e Siri, dhe në të njëjtën kohë dënojmë veprimet kriminale të asaj që quhet ISIS. Të rinjtë theksuan se Rinia Demokratike e Kosovës ka një orientim të qartë demokratik, vlerave të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar e ndërnjerëzor”, thuhet më tej në komunikatën e PDK-së.

XS
SM
MD
LG