Ndërlidhjet

Marrëveshja krijon kontekst të ri politik


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Marrëveshja ndërmjet bllokut të quajtur LAN, të formuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, me Lëvizjen Vetëvendosje, në qoftë se materializohet deri në fund, krijon një kontekst të ri politik në vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja e arritur ndërmjet bllokut LAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, krijon një situatë shumë më të qartë lidhur me atë se kush do ta fitojë betejën për krijimin e Qeverisë, në qoftë se eventualisht zgjidhet problemi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës më 12 shtator.

“Ende nuk është sqaruar procedura për krye-parlamentarin dhe si rrjedh formimi i organeve të Kuvendit. Por, besoj që në kontekstin e përgjithshëm, krijon një situatë të re. Ajo që ndryshon, është fakti se blloku (LAN) është ndjerë i dobët. Blloku i LAN-it (LDK, AAK, Nisma) ishte një zë i frenuar në komunikim me të tjerët”.

“Tani, më duket, kanë marrë një sforcim nga Vetëvendosje. Mbetet të shihet se si i kanë balancuar politikat e tyre dhe marrëveshjet në raport me obligimet ndërkombëtare dhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat Vetëvendosje ende i ka fragjile”, thotë Rashiti.

Ai shton se mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të mund ta bindë faktorin ndërkombëtar se mund të jetë pjesë e një qeverie, në qoftë se ajo do ta vazhdojë dialogun me Serbinë, në formatin të cilin e ka përcaktuar Bashkimi Evropian.

Por, analisti Shpend Kursani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se marrëveshja ndërmjet bllokut LAN dhe Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm ka përforcuar bllokun kundër Partisë Demokratike.

Por, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, ky bllok nuk do të mund të realizojë qëllimet e veta, në qoftë se nuk tejkalohet pengesa në Kuvendin e Kosovës, për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë të drejtën vetëm PDK-së që ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Duke qenë se pjesë e marrëveshjes së bllokut është ajo që kryeparlamentari t’i takojë LDK-së, atëherë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, thjesht, e bën këtë marrëveshje të pamundur që të jetësohet”.

“Mirëpo, momentumi i vetëm është që të krijohet një bllok më i fuqishëm kundër PDK-së dhe në fakt, e sfidon vetë rendin kushtetues në Kosovë, në qoftë se nuk thyhet blloku”, konsideron Kursani.

Por, çfarë mund të pritet pas këtij zhvillimi politik në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 12 shtator?

Analisti Kursani vlerëson se marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mund të përsëritet seanca e 17 korrikut.

“Atë që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese, duke e monopolizuar postin e kryeparlamentarit vetëm te PDK-ja, thjesht PDK-ja nuk mund ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe ngërçi politik vetëm se mund të vazhdojë. Por, mund të kemi edhe tensione më të mëdha, për shkak se blloku me Vetëvendosjen, është më i fortë kundrejt PDK-së”, shton Kursani.

Në anën tjetër, analisti Rashiti shpreh mendimin që në qoftë se me 12 shtator, nuk zgjidhen organet e Kuvendit përmes votimit aty për aty, atëherë gjatë së njëjtës ditë, presidentja dhe partitë politike duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen për kalimin në fazën tjetër.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje të ndjekin procedurat se si zgjidhen organet e Kuvendit, atëherë zgjedhjet duhet të shpallen sa më shpejt. Nuk mund të lejojmë më që vakuumi të vazhdojë edhe më gjatë. E rëndësishme është që pavarësisht këtij koalicioni të madh, blloku LAN dhe Vetëvendosje të mos bëjnë gabime procedurale përsëri, sepse kjo do të na sillte në situatë të ngjashme (sikur më 17 korrik)".

"Nëse është e nevojshme, të kërkojnë konsulta me presidenten, qoftë edhe me Gjykatën Kushtetuese, sepse edhe ajo sa herë, paraprakisht, ka dhënë komentet e saj për procedura, çfarë Parlamenti ose Qeveria ndërmerrte”, vlerëson Rashiti.

Ndryshe, më 16 korrik, një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, blloku LAN dhe Lëvizja Vetëvendosje, kishin përafruar qëndrimet e tyre, por kjo, atëherë, nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje të nënshkruar.

Sipas analistëve të zhvillimeve politike, marrëveshja e tanishme, e cila ka krijuar bllok të gjerë përballë Partisë Demokratike të Kosovës, zvogëlon tërësisht gjasat që kjo e fundit mund t’i marrë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit nga ky subjekt politik.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG