Ndërlidhjet

Numri i fëmijëve të prekur me kancer është në rritje, bëjnë të ditur profesionistët shëndetësorë. Sipas tyre, në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë të prekur me këtë sëmundje, ndërsa në vitin 2013 janë diagnostikuar 48 raste të reja.

Leukemia akute, sipas profesionistëve shëndetësorë, është sëmundja më e shpeshtë te fëmijët.

Lidvana Spahiu nga Klinika e pediatrisë bën të ditur se prej janarit të këtij viti janë diagnostikuar 32 fëmijë me leukemi akute.

“Mendojmë se është numër shumë i madh. Në Klinikën e pediatrisë me leukemi akute janë rreth 13 fëmijë, 13 fëmijë me akutën infoblastike , 2 fëmijë me leukemi akute miolloide e që është forma e rëndë, si dhe 1 fëmijë me leukemi kronike limfocitare. Dy fëmijë janë duke u trajtuar në Repartin e hemato-onkologjisë. Të tjerëve, pra 12 fëmijëve, iu është dhënë dokumentacioni për trajtimin jashtë Kosovës”, thotë Spahiu.

Qeverisa e Kosovës në prill të këtij viti ka krijuar fondin prej 5.5 milionë eurosh për trajtimin e fëmijëve të sëmurë me kancer.

Nga ky fond deri më tani janë alokuar 2 milionë euro dhe kanë përfituar 13 fëmijë, të cilët janë duke u trajtuar jashtë vendit.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke pritur që edhe mjetet tjera të alokohen në Ministrinë e Shëndetësisë nga Qeveria e Kosovës.

Pashk Buzhala, drejtor i departamentit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë jep hollësi të tjera:

“Me këtë fond, 2 milionë euro janë alokuar deri tash për trajtimin e fëmijëve me leukemi. 13 fëmijë janë dërguar për trajtim. Kemi bërë kërkesë për t’u alokuar edhe mjetet tjera për shkak se dy fëmijë i kemi dërguar për shërim dhe ne kemi paguar 30 për qind të shumës”.

Disa raste të fëmijëve me leukemi akute trajtohen brenda QKUK-së, derisa të tjera raste dërgohen për trajtim jashtë vendit.

Por, përvoja e një prindi, i cili ka vajzën e sëmurë me leukemi, Gazmend Halilaj, e që kishte filluar trajtimin në Qendrën Klinike Universitare , përkatësisht në Klinikën e pediatrisë, nga stafi aty, nuk kishte qenë aspak e mirë.

“Përderisa shkova për të bërë një analizë jashtë Klinikës së pediatrisë, që më kishin dhënë, kur u ktheva nga laboratori, vajzën e kishin dërguar në Klinikën e hemato-onkologjisë. Aty e mora vesh se situata ishte më serioze dhe se ajo vuante nga një sëmundje e rëndë, e jo ashtu siç mendova unë. Aty kuptova prej terapisë së fëmijëve tjerë që mund të jetë edhe më e keqja".

"Mjeku nuk komunikonte me mua, nuk më tregoi, por e kuptova nga nënat që i përcillnin fëmijët e tyre, pasi që doktori iu kishte treguar atyre, e jo mua. E ndjeva veten shumë keq pse të mos ma thoshte mua për fëmijën tim, por të tjerëve para meje?!”, rrëfen përvojën e tij Gazmend Halilaj.

Ai tregon se vajzën e kishin lënë pa e futur në operacion, edhe pse ajo kishte pasur gjakderdhje nga hunda për 6 ditë me radhë. Sipas tij, e gjithë kjo ka ndodhur për arsye se mjekët brenda Klinikës së pediatrisë kishin kërkuar të holla nga ai.

Më 25 shkurt vendosën ta fusin në operacion vajzën, për shkak të gjakderdhjes nga hunda. Kanë marrë vendim në orën 12 që ta operojnë, por çka ndodhi? Kanë kaluar 12 orë, deri në orën 24 për shkaqe korruptive, fëmija nuk ka hyrë në operacion. Ky është tmerri vetë që e kam përjetuar”.

“Pastaj, me mendimin konsular të mjekëve, neve na thuhet të dërgojmë fëmijën në Tiranë. Por, edhe atë kohë filluan mjekët të luajnë me mua, pasi që drejtori nuk e linte stafin ta përcillnin(ekipi mjekësor shoqërues) deri në Tiranë së bashku me vajzën e sëmurë, ashtu siç e parasheh protokolli. Kishte vullnetarë ta përcillnin fëmijën tim, por ai nuk i la”.

“Kam kontaktuar një zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe më tha unë do të të ndihmoj dhe mos e le fëmijën të vdesë, për çka edhe e falënderoj shumë. Pastaj e kam dërguar në Tiranë, ku për fat të mirë i është përmirësuar gjendja”, tregon Gazmendi.

Ndryshe, koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, të mërkurën ka mbajtur një konferencë lidhur me sëmundjen e leukemisë.

Gladiola Strugaj, zyrtar në këtë organizatë ka përmendur disa nga vështirësitë e trajtimit sa i përket sëmundjes së leukemisë:

“Ka mungesë të stafit të specializuar, ka mungesë të buxhetit për ilaçet, pastaj ka mungesë të statistikave, planeve parandaluese. Gjithashtu ka mungesë të parametrave se deri në cilën shkallë mund të trajtohet leukemia në Kosovë. Ka mungesë besimi nga ana e prindërve, gjithashtu nuk ka ndonjë fond të qëndrueshëm për trajtim jashtë vendit”.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG