Ndërlidhjet

logo-print

Pengesat për Kosovën në iniciativat rajonale të sigurisë


Kosova krahas problemeve të shumta, është duke u përballur edhe me vështirësi sa i takon qasjes në nismat rajonale në sektorin e sigurisë.

Përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, kanë organizuar një konference për të prezantuar një studime për anëtarësimin dhe përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale të sigurisë.

Të pranishmit në konferencës kanë deklaruar se sfidat e Kosovës në nismat rajonale të sigurisë janë kryesisht politike.

Në një studim të kësaj qendre thuhet se Kosova që kur është bërë pjesë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, është shpresuar se vendit do t’i hapen dyert e përfaqësimit dhe qasje në nismat rajonale të sigurisë, por të gjeturat e tregojnë se progresi në këtë drejtim është i kufizuar.

Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, e cila në konferencë ka prezantuar të gjeturat, tha se bllokimin më të madh Kosovës për të marr pjesë në nismat rajonale është duke ja bërë Serbia dhe vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kosova megjithatë është refuzuar në iniciativën e Evropës Juglindore për Bashkëpunim dhe në konventën e bashkëpunimit policore për Evropën Juglindore, kjo për shkak të mos arritjes së konsensusit në mes të vendeve anëtare dhe me ketë rast të një përgjigje negative nga Serbia dhe Rumania”, tha Emini.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha nismat rajonale është shumë i rëndësishëm.

Sipas tij, luftimi i krimit dhe kërcënimet e tjera kërkojnë një bashkërendim të hapur ndërmjet shteteve të rajonit dhe me gjerë.

“Bashkëpunimi në rajon apo edhe me gjerë, qoftë në marrëdhëniet bilaterale në mes të shteteve i forcon kapacitetet e shteteve veç e veç në mënyrë që sa më suksesshme ta realizojnë misionin e tyre, një siguri më të mirë për qytetarët, po ashtu edhe luftën kundër krimit”, u shpreh Rexhepi.

Ai apeloi që Bashkimi Evropian të jetë me pro-aktiv në zbatimin e Marrëveshjes së Fusnotës të arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar faktin se BE është palë garantuese e implementimit të kësaj marrëveshjeje.

Kurse, Damijan Sedar, këshilltar i lartë politik i përfaqësuesit special të BE-së në Kosovës, theksoi se procesi i integrimit në nisma rajonale është proces gjithëpërfshirës duke konkluduar se pa përfshirjen e plotë të Kosovës si anëtare aktive në të gjitha nismat rajonale, nuk mund të fitet për bashkëpunim efektiv në Ballkanin Perëndimor.

Efrem Radev, këshilltar i lartë për politikat e sigurisë në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, duke folur për ketë çështje tha se anëtarësimi në nisma rajonale të sigurisë është e kushtëzuar nga dy aspekte: ai teknik dhe politik.

“Duke qenë se jeni anëtar të organizatave të caktuara dhe në anën tjetër nuk keni kapacitet, nuk keni njohuri, nuk keni përvoje apo ekspertë të mjaftueshëm, pse nuk i shfrytëzoni ato organizata dhe kapacitetet e tyre që veç ju kanë pranuar si anëtar, ose për t’i pyetur ato se si të bëhet anëtarësimi. Mendoj se Kosova, duhet të bëjë më shumë përpjekje për t’i shfrytëzuar kapacitetet e organizatave ku tashmq është anëtare”, tha Radev.

Edhe eksperti i çështjeve të sigurisë Agim Musliu, konsideron se Kosova nuk po mund të anëtarësohet në shumë organizata rajonale për shkak të heshtjeve politike.

“Pengesa kryesore është politika, e cila është e theksuar nga Serbia, Rumania dhe shtetet e tjera evropiane që nuk na kanë njohur. Do të thotë pengesë kryesore për anëtarësim në këto instrumente janë shtetet që nuk na kanë njohur për shkak të interesave të tyre të ngushta”, tha Musliu.

Gjatë viteve të fundit kanë filluar të iniciohen një varg nismash rajonale në Evropën Juglindore, të cilat janë mbështetur kryesisht prej institucioneve të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të BE-së, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekzistojnë rreth dyzet nisma rajonale që merren me çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor, me sektorin e gjyqësisë, të ushtrisë, si dhe me emergjencat.

Disa prej tyre veçse janë pjesë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, mirëpo Kosova është pjesë e vetëm disa prej tyre, drejtpërdrejtë - përmes përfaqësimit të institucioneve shtetërore, ose përmes pranisë ndërkombëtare.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG