Ndërlidhjet

Obama paralajmëron sulme kundër Shtetit Islamik në Siri

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se është i përgatitur për të sulmuar militantët e Shtetit Islamik (IS) në Siri, ashtu si edhe në Irak.

“E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët kudo që janë”, ka thënë Obama në fjalimin kombëtar në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ka bërë të ditur se SHBA-ja do të dërgojë 475 ushtarë shtesë në Irak, për të mbështetur forcat irakiane dhe kurde në luftimet kundër militantëve të Shtetit Islamik, por ka thënë se trupat nuk do të jenë të angazhuara në luftime.

“Ky është parimi thelbësor i presidencës sime: Nëse ju kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni asnjë strehë të sigurt”, ka thënë Obama.

Ai ka paraqitur një strategji për të zgjeruar luftën kundër Shtetit Islamik, duke u zotuar se Amerika “do të udhëheqë një koalicion të gjerë për të mposhtur këtë kërcënim terrorist”.

“Qëllimi ynë është i qartë: ne do të degradojmë dhe do të shkatërrojmë Shtetin Islamik përmes një strategjie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme kundër terrorizmit”, ka thënë Obama, duke i bërë thirrje Kongresit që të miratojë burime shtesë për të trajnuar dhe pajisur lutëtarët sirianë, që luftojnë militantët e Shtetit Islamik.

Obama ka theksuar se personeli shtesë ushtarak i Shteteve të Bashkuara, që do të vendoset në Irak, nuk do të ketë “mision luftarak” dhe se SHBA-ja “nuk do të futet në një tjetër luftë në Irak”.

“Dua që populli amerikan ta kuptojë se kjo përpjekje do të jetë ndryshe nga luftërat në Irak dhe Afganistan. Ajo nuk do të përfshijë trupa amerikane që luftojnë në tokën e huaj”, ka thënë Obama.

Ai e ka krahasuar strategjinë e re me përpjekjet antiterroriste të SHBA-së në Jemen dhe Somali në vitet e fundit.

"Unikë në brutalitetin e tyre"

Obama ka thënë se emri i grupit militant është një term i gabuar. Sipas tij, ai nuk mund të jetë “islamik” sepse asnjë fe nuk lejon vrasjen e të pafajshmëve”. Organizata nuk është shtet, sepse nuk njihet nga asnjë qeveri apo popull, ka thënë presidenti amerikan.

“Shteti Islamik është një organizatë terroriste, pastër dhe thjesht. Ajo nuk ka vizion tjetër pos të masakrojë të gjithë ata që i dalin në rrugë”, ka thënë Obama në fjalimin e tij 15-minutësh.

Ai i ka cilësuar luftëtarët e grupit si “unikë në brutalitetin e tyre”, duke përmendur këtu ekzekutimin e gazetarëve amerikanë, James Foley dhe Steven Sotloff.

Shikuar në përgjithësi, katër pikat kryesore të strategjisë së Obamës përfshijnë: një fushatë sistematike të sulmeve ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik, kudo që janë, përfshirë Sirinë; rritje të mbështetjes për forcat aleate që luftojnë Shtetin Islamik, por jo për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assa; më shumë përpjekje antiterroriste për të ndaluar financimet e grupit dhe vazhdimin e ndihmës humanitare për civilët e prekur nga Shteti Islamik.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer mbi 150 sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe u kanë siguruar armë forcave irakiane dhe kurde që luftojnë militantët.

Kujtojmë se presidenti Obama është zgjedhur pjesërisht për shkak të kundërshtimit të fuqishëm ndaj pushtimit të Irakut më 2003. Ai më pas ka kryesuar tërheqjen e trupave amerikane nga ky vend. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG