Ndërlidhjet

Xhihadi në Ballkan: Brezi i ardhshëm


Ilustrim
Ilustrim

Edhe pse myslimanët e Evropës juglindore mbeten popullata më e moderuar myslimane në botë, 5 deri në 10 për qind e tyre janë indoktrinuar në format më ekstreme të Islamit, në vendet si Arabia Saudie dhe Egjipti, shkruan revista World Affairs Journal.

Sipas saj, kjo nuk është rastësi; rritja e islamizmit militant në juglindje të Evropës është rezultat i përpjekjeve afatgjate të ekstremistëve për të radikalizuar popullsinë lokale.

Gjatë disa dekadave të kaluara, lëvizja islamike në Evropën juglindore ka krijuar një infrastrukturë të sofistikuar, të përbërë nga strehë të sigurta në fshatra të izoluar dhe xhami të kontrolluara nga klerikë radikalë.

Po ashtu bëhet fjalë për rrjet të gjerë të meidave elektronike dhe të shkruara, që propagandojnë lajme nga fronte të ndryshme xhihadiste.

Të gjitha këto, sipas revistës, financohen nga donatorë bujarë në Lindjen e Mesme dhe mbështeten nga grupe të vogla të ekstremistëve lokalë, të cilët kanë infiltruar institucionet politike, fetare dhe shoqërore.

Kontingjenti më i madh diplomatik i Iranit në Evropë banon në Sarajevë. Dhe, prania islamike, përfshirë qelizat e terrorit dhe kampet e trajnimit, vazhdon të kërcënojë rajonin dhe Perëndimin, shkruan World Affairs Journal.

Origjina e lëvizjes militante islamike në Evropën juglindore mund të lidhet me jetën dhe punën e presidentit të ndjerë të Bosnjës, Alija Izetbegoviq. Në fund të viteve 1930, Izetbegoviq dhe një grup konspirativ i ekstremistëve islamikë kanë formuar një organizatë të quajtur “Mladi Muslimani” (Myslimanët e Rinj).

Gazeta e cilëson atë si versionin ballkanik të Vëllazërisë Myslimane, qëllimi i së cilës ka qenë krijimi i një “shteti të madh mysliman”. Drejt këtij qëllimi, Myslimanët e Rinj kanë premtuar se do të ndjekin “rrugën e xhihadit” dhe do të bëjnë luftë pa kompromis “kundër çdo gjëje jo-islamike”. Për më tepër, emri i gazetës së tyre ka qenë “Muxhahid” (Lufta e Shenjtë).

Sipas revistës World Affairs Journal, shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 i ka hapur dyert brezit të ri të militantëve islamikë, që të lëshojë rrënjë në rajon. I përbërë nga transferime të huaja nga Afganistani dhe fronte të tjera xhihadiste, ai ka qenë edhe më ekstrem dhe më i rrezikshëm se grupi origjinal i Izetbegoviqit.

Kryesisht të përqendruar në një njësi që Izetbegoviq ka formuar në gusht të vitit 1992, me emrin Katibat al-Mujahideen, veteranët e xhihadit boshnjak në vitet 1990 kanë përfshirë njerëz të tillë si Khalid Shaikh Mohammed, organizator i sulmeve të 11 shtatorit; Mamdouh Mahmud Salim, i përfshirë në sulmin kundër ambasadës amerikane në Afrikën lindore në gusht të vitit 1998, dhe Zaki ur-Rehman Lakhvi, njëri nga pjesëmarrësit në sulmet në Mumbai, në nëntor të 2008-ës.

Për fat të keq, vijon artikulli, këta njerëz nuk kanë mbledhur plaçkat dhe nuk janë larguar kur Marrëveshja e Dejtonit i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, në dhjetor të vitit 1995. Në vend të kësaj, është krijuar një infrastrukturë e tërë së bashku me aleatët lokalë ekstremistë, e cila mbështeste kauzën militante ekstremiste. Pasojat e saj vazhdojnë të rëndojnë rajonin, shkruan revista.

Në gjithë Ballkanin perëndimor dhe jugor, xhamitë e udhëhequra nga ekstremistët kanë shërbyer si baza për militantët islamikë. Xhamia e Bardhë në Sarajevë është seli e Sulejman Bugarit, imam i lindur në Kosovë, të cilin agjencia globale e inteligjencës Stratfor e ka përshkruar si ndërmjetës të ekstremistëve shqiptarë dhe boshnjakë.

Në Kosovë, gazetari Mohammad al-Arnaout ka raportuar se një xhami në periferi të Prishtinës dhe një në Mitrovicë rekrutojnë militantë për të luftuar së bashku me grupet islamike në Siri.

Në Maqedoni, ekstremistët vehabistë janë angazhuar në një luftë me komunitetin zyrtar mysliman për të marrë kontrollin e disa xhamive në Shkup, shkruan revista World Affairs Journal.

Po sipas saj, militantët islamikë u japin hov përpjekjeve të tyre në Evropën juglindore përmes “OJQ-ve”, “shoqatave të bamirësisë” dhe “organizatave të ndihmës humanitare”.

CIA ka vlerësuar se një e treta OJQ-ve boshnjake kanë lidhje terroriste ose punësojnë njerëz me lidhje terroriste.

Revista po ashtu thotë se ideologjia e përhapur përmes mediave militante islamike përfshin gjuhë të urrejtjes dhe jotolerancës. Në artikull citohet një lider vehabist nga Bosnja, Bilal Bosniq, gjatë predikimit të tij:

“Ne duhet t’i duam ata që i do Allahu dhe t’i urrejmë ata që i urren Allahu. Ne duhet t’i urrejmë të pafetë, qofshin ata fqinjët tanë apo ata që jetojnë në shtëpitë tona”, ka thënë Bosniq.

Për fat të keq, reagimi ndërkombëtar ndaj rritjes së Islamit në Evropën juglindore është sjellë nga neglizhenca deri te mohimi i plotë, shkruan World Affairs Journal.

Revista kujton se pas sulmeve të 11 Shtatorit, përfaqësuesi i atëhershëm i lartë në Bosnjë, Wolfgang Petritsch, ka shkruar në New York Times se nuk ka prova se Bosnja ka shërbyer si bazë për Al Kaidën, ndërsa përfaqësuesi i tanishëm i lartë në Bosnjë, Valentin Inzko, ka argumentuar në mënyrë të ngjashme, duke thënë se vehabistët në Bosnjë “nuk paraqesin rrezik për Evropën”.

Përgatit: Valona Tela
XS
SM
MD
LG