Ndërlidhjet

Maqedoni: Paralajmërimet për tensione ndëretnike, joserioze


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Tensione ndëretnike, braktisje të koalicionit qeveritar, si dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, kërcënimet të këtilla nga partitë shqiptare dëgjohen vite me radhë, por ato kanë mbetur vetëm kërcënime dhe asgjë më shumë. Kështu e vlerësojnë njohësit e çështjeve politike deklaratën e fundit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti se moszgjidhja e çështjes së emrit dhe mund të prodhojë tensione ndëretnike.

Ky vlerësim i Ahmetit, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë, u publikua në një komunikatë të partisë, pas takimit që ai kishte me përfaqësues të ministrive të punëve të Jashtme të Shteteve të Beneluksit.

“Është jopolitike dhe e neveritshme. E neveritshme, sepse ai partinë politike e transformon në ato plakat që qajnë, vajtojnë dhe anatemojnë. Është një shabllon i vjetër i politikës që para subjektit ndërkombëtar të qahet duke pritur nga ai që të zgjidhë problemet që ato kanë edhe pse gjithmonë është në qeveri dhe koalicion me Gruevskin dhe gjithmonë deklaron se probleme tilla nuk ka, se koalicioni është parimor, e kështu me radhë”, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike dhe ish-ambasador.

Kërcënime të tilla nga zyrtarët e BDI-së, janë bërë edhe më parë, siç ishte edhe ajo e para disa muajve kur kryetari i saj, Ali Ahmeti, kishte deklaruar se në rast se në samitin e NATO-s, Maqedonia mbetet janë agjendës për anëtarësim, atëherë në vend do të ketë zgjedhje të parakohshme, por tani nga kjo parti nuk komentojnë këtë deklaratë duke besuar ende në zhbllokimin e procesit integrues me ndihmën e, siç thonë, “miqve ndërkombëtarë”.

Por, Demiri thotë se për ta shtyrë këtë proces nevojiten presione edhe nga brenda vendit.

“Është një lloj i mashtrimit politik që nuk i ngjan dhe nuk duhet të ekzistojë në politikë për arsye se ai ka kapacitet dhe këto raporte duhet t’i zgjidhë me Gruevskin dhe elektoratin e tij”, thotë Demiri.

Ndërkohë, përveç zyrtarëve të BDI-së, edhe ata maqedonas janë prononcuar për këtë çështje, përfshirë edhe presidentin Gjorgje Ivanov, i cili për moszgjidhjen e çështjes së emrit, para së gjithash ka fajësuar Greqinë.

Ajo, sipas Ivanovit, nuk ka as dëshirë, e as interes që të përballet me këtë problem, por ndonjëherë, sipas kreut të shtetit, nevojitet edhe kohë që shtetet tjera ta kuptojnë atë që po bën Greqia kundrejt Maqedonisë.

Por, Zdravko Savevski, analist dhe profesor në Universitetin “FON”, thotë se është e kotë të pritet në kohë, pasi ajo, sipas tij, nuk punon për Maqedoninë.

“Duke u nisur nga ngecja e demokracisë në Maqedoni, nga bindja e shumë shteteve se në Maqedoni ka shumë trendë që nuk janë për t’u përshëndetur, mendoj se nuk jemi në rrugë të mbarë dhe se imazhi i shtetit gjithnjë e më shumë po rrënohet te opinioni ndërkombëtar. Ka shumë pak mirëkuptim për Maqedoninë, për shkak të ngecjes së proceseve dhe e gjithë kjo nuk lë hapësirë për të pritur mbështetje në raport me kontestin e emrit”, thotë Savevski.

Ndryshe, në konkluzionet e samitit të fundit të NATO-s, thuhet se “për aq kohë sa Maqedonia nuk zgjidh çështjen e emrit, Aleanca do t’i qëndrojë besnik vendimit të Bukureshtit, i përsëritur në Lisbonë, Çikago dhe këtu në Uells, sigurisht edhe në samitin e radhës, i cili do të mbahet në Poloni pas dy vjetësh”. Kjo nënkupton se pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë, nuk do të ketë anëtarësim në NATO.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG